Ulqini drejt finales së madhe të Ligës së Malit të Zi në futsall

Klubi i futsallit Ulqini po shkruan një kapitull të ri suksesi në sportin malazez, sidomos pas ndeshjes se fundit ne Podgoricë, duke u afruar finales së madhe të Ligës së Malit të Zi. Ky sukses ka vlera më të mëdha kur merret parasysh fakti se të gjithë lojatarët janë nga qyteti jonë, shkruan Ulqini Online.

Skuadra ulqinake siguroi një vend në gjysmëfinale pas fitores kundër ekipit Dolcinium, gjithashtu nga Ulqini, por që në përbërje kishte shumicën e lojtarëve jo-vendorë. Në gjysmëfinale, Ulqini e vazhdoi marshimin mbresëlënës, duke triumfuar në ndeshjen e parë kundër kampionëve aktualë të Titogradit. Me takimin e kthimit që do të zhvillohet këtë të shtunë, pritshmëritë janë të mëdha që ekipi të sigurojë një vend të merituar në finalen e madhe.

Ajo që e bën këtë sukses edhe më të veçantë është strategjia e qëndrueshme dhe e guximshme e klubit, që ka zgjedhur të mbështetet ekskluzivisht në lojtarë vendorë. Ky model ka dhënë rezultate konkrete dhe përfaqëson një frymë të re në zhvillimin e sportit lokal.

Në radhët e skuadrës dallohen emra me përvojë si Adi Alaj, Gjovani Koçoviq, Edmond Kurti, etj, të cilët me përkushtim udhëheqin skuadrën, ndërkohë që brezit të ri i është dhënë hapësirë dhe përgjegjësi. Talente si Berjashi, Krumiq, Llolla, Bajraktari, Elezazaga e të tjerë janë shndërruar në shtylla të ekipit, duke sjellë energji dhe entuziazëm në fushë. Ekipi i Ulqinit udhehiqet nga trajneri Safet Kaleziqi, poashtu një ish-futbollist i njohur i futbollit të vogël nga qyteti jonë.

Ky është një model që duhet ndjekur edhe nga klubet e tjera të Ulqinit dhe më gjerë – t’u jepet hapësirë të rinjve të qytetit dhe të investohet në zhvillimin e kapaciteteve vendore. Klubi i futsallit Ulqini ka treguar se me vullnet, disiplinë dhe një strategji të qartë, sukseset nuk janë vetëm të mundshme, por edhe të qëndrueshme.

Të gjithë sytë tani janë drejt ndeshjes së kthimit, ku Ulqini ka mundësinë të shkruajë historinë dhe të sigurojë finalen e madhe – si ambasador krenar i qytetit dhe shembull për sportin vendor.

By admini

Leave a Reply