
Thirrje për shtyrjen e seancës parlamentare nga deputeti Ilir Çapuni që nuk hasi në mirëkuptim të Parlamentit të Malit të Zi
Në një deklaratë të fortë në Kuvendin e Malit të Zi deputeti dr. Ilir Çapuni ka kërkuar shtyrjen e seancës parlamentare në të cilën pritej të shqyrtohet një Marrëveshje e shumëpërfolur që, sipas tij, rrezikon rëndë të drejtat e popujve pakicë dhe strukturën demografike të Ulqinit, shkruan Ulqini Online.
Duke theksuar mungesën e transparencës dhe përjashtimin e aktorëve kyç nga procesi, Çapuni nënvizoi se dokumenti në fjalë është miratuar në mënyrë të paprecedentë – përmes komunikimeve në WhatsApp – dhe është dërguar në procedurë urgjente në Kuvend, pa diskutim publik apo parlamentar të mirëfilltë.
“Me gjithë përpjekjet tona për të hapur një dialog konstruktiv me Qeverinë e Malit të Zi, nuk kemi gjetur mirëkuptim. Institucionet që duhet të përfshihen në këtë proces janë anashkaluar, dhe argumentet tona janë injoruar,” thuhet në deklaratë.
Çapuni ka bërë thirrje për ndërprerjen e seancës dhe për përfshirjen aktive të kryeministrit dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi në procesin e harmonizimit të qëndrimeve, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të drejtave të komuniteteve pakicë.
Sipas tij, marrëveshja e propozuar, përveç se nuk respekton standardet ligjore dhe demokratike, rrezikon të shkaktojë pasoja të parikuperueshme për identitetin kulturor dhe etnik të Ulqinit – një qytet me shumicë të popullsisë që i përket pakicave etnike.
“Asnjë investim, sado i madh të jetë, nuk mund të justifikojë ndryshime që cenojnë identitetin dhe strukturën demografike të një komuniteti,” paralajmëroi Çapuni, duke cituar standardet ndërkombëtare dhe ligjin për të drejtat e pakicave në Mal të Zi.
Në fund të deklaratës, ai kujtoi se edhe përfundimet zyrtare të Kuvendit të Komunës së Ulqinit janë relativizuar, ndërsa apeloi për ndërgjegjësim të menjëhershëm institucional, përndryshe – siç theksoi – “do të jemi dëshmitarë të një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj procesit të integrimit evropian dhe vetë rendit demokratik të shtetit”.