
Në lidhje me jehonën që po i jepet çështjes së legalizimit të objektit në formë kishe, të cilin Kisha Ortodokse Serbe me ndihmën e ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi duke përdorur helikopterin ushtarak, e vendosi në majën e Malit të Rumisë më 18 qershor 2005, Lidhja Demokratike në Mal të Zi lëshon këtë:
KUMTESË
Lidhja Demokratike në Mal të Zi, si forca e parë politike shqiptare në Malit të Zi, shpreh shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e vendosur ndaj përpjekjeve të fundit për legalizimin e këtij i cili u vendos në majë të Malit të Rumisë më 18 qershor 2005 nga Kisha Ortodokse Serbe me ndihmën e helikopterit ushtarak.
Vendosja e objektit përbën një rast të paprecedent jo vetëm që ka irrituar opinionin e gjerë, por cenon edhe paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ky objekt, në formë kontejneri, është vendosur në një hapësirë publike që tradicionalisht ka pasur vlerë të madhe historike dhe kulturore, të lidhur me ritualet dhe traditat shekullore të banorëve të zonës. Sipas dëshmive të trashëguara brez pas brezi, banorët çdo vit ngjiteshin në majën e Rumisë duke bartur me vete nga një gur, me qëllim simbolik që të “rritej” maja e malit, siç pasqyrohet edhe në këngën popullore:
“Oj Rumija bjeshkë e naltë,
Ti u bash o ma e naltë,
ti u bash ma e naltë se je”…
Ky ritual, megjithatë, nuk ka qenë asnjëherë i lidhur me ndërtimin e një kishe apo objekti fetar.
Në ditën e vendosjes së tij, më 18 qershor 2005, Lidhjes Demokratike në Mal të Zi reagoi menjëherë duke ju drejtuar institucioneve shtetërore për largimin e objektit dhe lirimin e hapësirës publike. Gjithashtu, z. Mehmet Bardhi, duke e denoncoi publikisht këtë akt në Parlamentin e Malit të Zi. Pas reagimeve të shumta, Inspekcioni përkatës, konstatoi egzistencën e objektit dhe solli Aktvendim për heqjen e tij si ndërtim të paautorizuar por Aktvendim nuk është ekzekutuar.
Në bazë të këtyre rrethanave, Lidhja Demokratike në Mal të Zi kërkon:
1. Ekzekutimin e menjëhershëm të Aktvendimit të inspekcionit për heqjen e objektit të paligjshëm në majën e Rumisë;
2. Ndalimin e çdo procedure për legalizimin apo transferimin pronësisë në favor të ndonjë subjekti fetar;
3. Ruajtjen e karakterit kulturor e historik të majës së Rumisë si hapësirë tradicionale për kryerjen e ritualeve shekullore.
4. Monitorim ndërkombëtar nga Delegacioni i Bashkimit Europian dhe institucionet përkatëse për zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
