Me iniciativë të përbashkët të Këshillave Kombëtare Shqiptare në Mal të Zi dhe në Serbi, në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet tyre, u realizua një vizitë e të rinjve nga Lugina e Preshevës në trevat shqiptare të Malit të Zi.

Të rinjtë fillimisht vizituan selinë e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, ku u pritën nga kryetari i këtij institucioni, z. Faik Nika. Në fjalën e tij përshëndetëse, Nika shprehu kënaqësinë që nisma e bashkëpunimit ndërmjet dy këshillave po nis pikërisht me të rinjtë, të cilët përfaqësojnë të ardhmen e kombit shqiptar.

“Në kuadër të aktiviteteve të rregullta të Këshillit, e shoh të domosdoshme zhvillimin e takimeve të përbashkëta mes të rinjve shqiptarë nga treva të ndryshme. Pikërisht për këtë arsye kemi filluar këtë nismë, për të cilën shpresoj se do të ketë ogur të mirë dhe që shkëmbimi i vizitave të të rinjve të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ne si shqiptarë shpesh kemi mungesë njohjeje mes nesh, prandaj duhet të krijojmë ura lidhëse ndërmjet rinisë dhe të njihemi më afër me proceset dhe sfidat që përjetojnë bashkëmoshatarët tanë në vendet ku jetojnë,” theksoi Nika.

Gjatë qëndrimit në Ulqin, të rinjtë do të vizitojnë disa nga pikat më atraktive të qytetit, ndërsa më pas do të udhëtojnë drejt Malësisë, me qëendër Komunën e Tuzit, për t’u njohur me trashëgiminë kulturore dhe historike të kësaj treve.

Kryetari Nika gjithashtu falënderoi bashkëpunëtorët në realizimin e këtij projekti: Gzim Muratin nga shoqata “The Future”, Besfort Sulejmanin, koordinator i Zyrës për të Rinjtë pranë kabinetit të kryetarit të Komunës së Preshevës, kryetarin e OJQ-së “Horizonti i Ri”, Nazif Veliqin, si dhe koordinatorin e shoqatës “Progres”, Ilir Gojçaj. Ata do të shoqërojnë të rinjtë gjatë vizitës, duke i njohur nga afër me bukuritë natyrore dhe veçoritë kulturore e historike të Ulqinit dhe Malësisë.

By admini

Leave a Reply