Procesverbali ndaj qytetarit në policinë e Ulqinit (10.09.2025)

Dilemat tona

Veprimet e fundit kundër  Flamurit Kombëtar Shqiptar, përkatësisht identitetit të shqiptarëve në Mal të Zi, është dëshmi së këtu  vazhdon sindromi kundër shqiptarëve si në monizëm edhe tash në pluralizëm, që është në kundërshtim me ligjet e vendit  dhe normat ndërkombëtare, ndërsa është për çdo kritikë heshtja nga Ministria e të drejtave të njeriut e të pakicave duke mos reaguar ndaj këtij provokimi që ka irrituar shqiptarët, që është në kundërshtim me barazinë qytetare e nacionale në këtë mjedis shumënacional

Nga Nail  Draga

Mbrojtja e identitetit kombëtar  të shqiptarëve në Mal të Zi, paraqet çështje të veçantë e cila nuk është e kohës së re, sepse shqiptarët në këtë mjedis vazhdimisht janë ballafaquar me pushtetin për të realizuar në praktikë të drejtat e tyre legjitime. Në lidhje me këtë çështje  me të drejtë është pritur që të bëhën ndryshime  nga miratimi i pluralizmit politik(1990), por me gjithë ndryshimet pozitive, këtu ende ekziston sindromi i pushtetit kundër shqiptarëve, duke penguar realizimin praktik të të drejtave të garantuara sipas ligjeve vendore  dhe normave ndërkombëtare.

Shqiptarët kanë një flamur

Një çështje e tillë ka të bëjë me simbolët kombëtare, përkatësisht me Flamurin Kombëtar Shqiptar, që është dëshmi autentike e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi. Ndonëse çështja e përdorimit të simboleve kombëtare është rregulluar me ligje përkatëse  nga viti 2000 dhe në vitin 2020, ende ka individë nga pozitat e pushtetit të cilët vuajnë nga sindromi antishqiptar ku iu pengon përdorimi dhe shpalosja e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Nuk ka dilemë se individët e tillë vuajnë nga kompleksi i hegjemonizmit shtetëror por ata duhet të kuptojnë se në Malin e Zi shumënacional çdo popull ka simbolet e veta kombëtare, ku as shqiptarët nuk bëjnë përjashtim. Andaj në këtë  aspekt në Mal të Zi të gjithë  duhet ta kenë të qartë se shqiptarët kudo që janë kanë një flamur kombëtar pavarësisht animozitetëve nga indvidë apo subjekte të ndryshme.

Denime e deportime për Flamurin kombëtar  

Veprimet e policisë ndaj individëve të cilët kanë përdorur në publik Flamurin Kombëtar Shqiptar nuk është dukuri e panjohur për shqiptarët në Mal të Zi.  Në lidhje me  këtë çështje cekim dy raste ndaj shqiptarëve shtetas të Shqipërisë, të cilët janë dënuar dhe deportuar nga Mali i Zi.

Rasti i parë ka të bëjë me dy shtetas të Shqipërisë të cilët në të kthyer nga Kampionati Evropian i Futbollit,  duke kaluar nëpër qytetin e Budvës me 21 qershor 2016, gjoja kanë provokuar qytetarët e turistët, pasi në veturën e tyre kanë pasur të ngjitur Flamurin e Shqipërisë, janë dënuar për përkundërvajtje me gjobë prej 230 euro, sepse në vendin publik kanë shpalosur flamurin e një shteti tjetër.

Ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me veprimtarinë e njohur me emrin  “Dita e Kështenjës“ në Ostros-Krajë, me 17.11.2019, ku qytetari nga Shqipëria I.D.(64) ka përdorur Flamurin e Shqipërisë në vend publik dhe sipas policisë ka bërë vepër për kundërvajtje se ka përdorur flamurin e shtetit të huaj, është gjobitur  me 300 euro dhe deportim për një muaj nga Mali i Zi, masë ndëshkuese e cila vazhdon edhe tash(!). Siç kanë njoftuar nga Drejtoria e Policisë, në të dy rastet është vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rendin e Qetësinë Publike.

Ndryshime  ligjore në favor të barazisë

 Irfan  Domnori  

Duke marrë parasysh se Ligji për Rendin e Qetësinë Publike në lidhje me përdorimin e simboleve kombëtare të pakicave që ishte në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Simboleve Kombëtare, përfundimisht në Kuvendin e Malit të Zi, me 27.12.2019 u bënë ndryshime cilësore, në Ligjin për Rendin e  Qetësinë Publike(neni 23),   ku Flamuri  Kombëtar Shqiptar nuk mund të ndalohet  të përdoret në publik, se ai është i  shqiptarëve në këtë mjedis  e jo të një shteti tjetër. Një ndryshim i tillë ligjor eliminoj pabarazinë kombëtare e ate qytetare që ishte e pranishme dekada më radhë.

Në favor të këtij konstatimi është edhe Vendimi nga KKSH  më ç rast   Flamuri Kombëtar Shqiptar është pranuar zyrtarisht nga Qeveria e Malit të Zi më 24 shtator 2020  ndërsa  dokumenti “Etaloni i stemës, flamurit, himnit dhe festës kombëtare të popullit shqiptar në Mal të Zi” u dorëzua në Kuvend më 23 mars 2021.

Dënohet me gjobë për kundërvajtje(!?)

Ndonëse sipas ligjit lejohet përdorimi i Flamurit  Kombëtar Shqiptar në ambiente publike, në Mal të Zi, ndodhin raste të çuditshme ku ata të cilët janë të obliguar të mbrojnë ligjshmërinë, veprojnë kundër ligjit.  Në lidhje me këtë çështje kemi rastin  konkret kur  qytetari(A.N.) nga Bratica e Ulqinit,  duke u kthyer nga Tuzi ku ka marrë pjesë në tubimin  e Listës shqiptare për  zgjedhjet parlamentare me datën 28.08.2020 në veturën e tij ka pasur dy flamuj Kombëtar Shqiptarë  ku është ftuar që me datën 07.10.2020  të paraqitet në Gjyqin për Kundërvajtje në Tivar. Ai është akuzuar për kundërvajtje sipas Ligjit për Rendin e Qetësinë Publike, sepse në veturë ka pasur dy flamuj të Shqipërisë. Por, në vend që kjo gjykatë të kërkojë falje qytetarit, se punonjësit e policisë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, ajo vendosë të qytetari A.N. të dënohet me gjobë për kundërvajtje(!?).

Nuk ka dilemë se një veprim i tillë dëshmon në praktikë se në Mal të Zi nuk vepron shteti ligjor, por vendoset sipas disponimit të individëve, të cilët vuajnë nga komplekset dhe animoziteti kundër simbolit kombëtar të shqiptarëve.

Deklarata në polici si në monizëm

Por, pavarësisht se ligjet janë të qarta, me 10 shtator  2025  në Ulqin, një qytetar   është ftuar në polici për të dhënë deklaratën në lidhje me vendosjen e Flamurit Kombëtar në objektin e shtëpisë së tij. Opinioni për këtë veprim nga ana e policisë është informuar përmes një kumtese nga ana e LDMZ, e më pas edhe nga KKSH.

Ftesa e qytetarit në policinë e Ulqinit dhe  dhe marrja në pyetje sepse kanë shfaqur flamurin kombëtar  në objektin e tyre privat të përkujton kohën e monizmit ku shqiptarët pas demonstratave në Kosovë në vitin 1981, janë ftuar në biseda informative  që përbën  akt diskriminues, kundër   të drejtave dhe lirive të njeriut të garantuara me ligjet ekzistuese  dhe standardët ndërkombëtare.

Në sajë të Procesverbalit del qartë se qytetari akuzohet se ka vendosur flamurin e një shteti tjetër, nga del të kuptohet se fjala është për Flamurin Kombëtar Shqiptar, edhe pse si i tillë  është  i shënuar. Në këtë dëshmi të procesverbalit, duket qartë se ai nuk ka numër protokolli e as vulë, e pasaktësi me data të shënuara, që  thënë më së buti paraqet joseriozitet nga zyrtari i policisë, nga del se kemi të bëjmë  me provokime e kërcënime ndaj shqiptarëve për mos ta përdorur flamurin kombëtar në objektët private.

Përfundim

Më këtë veprim të kundërligjshëm nga ana e zyrtarit të policisë në Ulqin duhet të merret prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme, si dëshmi e funksionimit të shtetit ligjor, ndërsa,  nëse nuk do të merren masa  ndaj individit të tillë ka gjasa që rasti të përseritet.

Në lidhje me këtë provokim  i cili ka irrituar shqiptarët nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka qenë e udhës që shqiptarëve më së pakut  t´ iu kërkohet falje. Ndërsa nga ana tjetër   ka munguar reagimi nga Ministria e drejtave të njeriut dhe të  pakicave  sepse ajo ekziston enkas   për  mbrojtje të identitetit kombëtar të shqiptarëve sipas ligjeve e normave ndërkombëtare.

Nuk ka dilemë se  tentimi për të krijuar konfuzion   dhe frigë të qytetarët shqiptarë në Mal të Zi, se kinse kemi të bëjmë me flamurin e një shteti tjetër është veprim i dështuar sepse shqiptarët kudo që janë kanë një flamur kombëtar, pavarësisht  se a iu pëlqen apo nuk iu pëlqen të tjerëve, çështje e cila është zgjidhur ligjërisht edhe në këtë mjedis.

(Nëntor 2025)

By admini