
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi do të shënojë Ditën e Flamurit Kombëtar dhe 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me një program festiv të veçantë, duke sjellë në Ulqin një mbrëmje artistike të pasur me performanca nga emra të njohur të skenës shqiptare.
Në koncert do të marrin pjesë artistët Ilir Shaqiri, Nikollë Nikprelaj, Selami Kolonja, Kastriot Tusha, si dhe artistja vendase Gjylie Pelingu Hoxha. Publiku do të ketë mundësinë të shijojë edhe një paraqitje artistike nga aktori Bislim Muçaj, i cili do të sjellë elemente të artit skenik për të plotësuar atmosferën festive.
Aktiviteti do të zhvillohet më 23 nëntor, në Qendrën për Kulturë në Ulqin, duke nisur nga ora 18:00.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve thekson se ky aktivitet synon të promovojë vlerat kulturore, gjuhësore dhe artistike të shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe të bashkojë komunitetin në një ditë me rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare.
Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët të marrin pjesë në këtë mbrëmje festive për të kremtuar së bashku 28 Nëntorin – simbolin e unitetit, identitetit dhe krenarisë kombëtare.
