Nga Frank Shkreli
Në Janar të vitit 2009, komuniteti shqiptaro-amerikan organizoi një akademi përkujtimore me rastin e 3-vjetorit të vdekjes së Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës. Këtë muaj u bënë 13 vjetë nga ndarja prej kësaj jetë e Presidentit Rugova. Me këtë rast e kujtojmë këtë burrështeti me fjalën e mbajtur në akademinë pëkujtimore mbajtur me 17 Janar, 2009, në universitetin e njohur amerikan, Fordham të Nju Jork-ut:
“Presidentin Ibrahim Rugova e kujtojmë si diellin që gjatë viteve të kalvarit të Kosovës nuk e humbi kurrë rrugën drejt objektivit të tij, për një Kosovë të lirë e të pavarur, as nepër vranësitë më të errëta të jetës kombëtare, politike dhe shoqërore të vendit të tij.
Presidenti Rugova na la në kohën kur Kosova dhe Kombi ynë kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai, për një hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri dhe të vlerave tona kombëtare.
Unë kam pasur privilegjin ta njihja Presidentin Rugova, si njeriu i cili megjithë qenjen e tij qëndronte kundër atyre që mohonin traditat tona më të shëndosha dhe kundër sistemit komunist, që për pothuaj 50-vjetë u përpoq të shlyente të gjitha virtytet tona stërgjyshore, në favor të një ideologjie sllavo-aziatike.
Disa thonë fati, por unë them ishte Perëndia që përcaktoi Ibrahim Rugovën të jetonte në një periudhë historike për Kombin tonë, kur kënaqjet ishin të paka dhe mjerimet të shumta. Kjo periudhë historike kërkonte guxim e vendosmëri – bërtiste për një udhëheqës ndryshe për shqiptarët. Presidenti Rugova shpesh thonte se gjatë historisë, Kombi ynë ka patur shumë dështime megjithë përpjekjet e mëdha dhe flijimet e patriotëve shqiptarë që nga periudha e Gjergj Kastriotit-Skendërbeut e deri tek rilindasit në fillim të shekullit të kaluar. Megjithë këtë histori dhe vuajtjet personale dhe familjare, Dr. Ibrahim Rugova asnjëherë nuk u dmeoralizua as nuk ndërpreu përpjekjet e tija, por përdori çdo rast, sidomos me të huajt, të lartësonte emrin e Kombit shqiptar dhe të Dardanisë së tij të dashur, duke ndërkombëtarizuar njëkohësisht edhe çështjen e Kosovës dhe vuajtjet e shqiptarëve nga një shtet terrorist.
Ai ishte i bindur në drejtësinë e kërkesave të shqiptarëve të Kosovës dhe nuk kurseu asgjë për të siguruar sigurinë, paqën dhe një jetë më të mirë dhe në liri për popullin e vet.
Ç’prej se e kam njohur Ibrahim Rugovën – në fund të viteve 80-ta të shekullit të kaluar, ai asnjëherë nuk u lëkund nga vija e drejtë e shqiptarizmit dhe as nga ideali, përpjekjet e tija dhe as nga bindja e tij se me ndihmën e miqëve tanë perëndimorë, Kosova, më në fund, do të çlirohej nga zgjedha serbe dhe se më në fund do të fitonte lirinë dhe do të siguronte pavarësinë. E kishte shumë të qartë objektivin përfundimtar, si dhe mënyrën për realizimin e këtij objektivi.
Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova me diplomacinë e tij personale – që në të vërtetë filloi me vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1989, e që mund të konsiderohet gjithashtu edhe si zanafilla e diplomacisë moderne të shtetit të Kosovës – ishte një testament para botës, sidomos asaj perëndimore, e cila nuk na njihte vetëm ndoshta si “rebela” – se Ibrahim Rugova në të vërtetë rrjedhte nga një familje dhe nga popull që mendjen, zemren dhe karakterin e tij ia brumosën në frymën e idealeve të burrënisë e të nderit dhe të traditave shekullore të shqiptarit.
Presidenti Rugova vinte nga bjeshkët shqiptare, nga atje ku zanat e malit ruajnë sekretet e thelbit etnik të racës sonë, të një race që si e tillë ka siguruar të drejtën që madhështia e veprës së tij të këndohet me lahutë, si kalorës kreshnik i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës — si shtet i ri dhe i pavarur.
Megjith pështjellimet politike, pasionet e përkundërta dhe grindjet politike të botës së vogël shqiptare madje edhe në periudhën post-komuniste, gjatë gjithë kohës që e njoha, Presidenti Rugova i mbante sytë drejt vlerave kombëtare si baza për realizimin e objektivave afat-gjata. Ai i kishte sytë ngulur në epopenë e Lahutës së At Gjergj Fishtës, në thjeshtësinë burrënore të Bajram Currit dhe në politikën largpamëse të Luigj Gurakuqit, për arritjen e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.
Fatkeqësisht, ai vdiq pa qenë dëshmitar i shpalljes dhe i njohjes zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës, e sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat kurdoherë që fliste për Amerikën e përfundote me fjalët, “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe në “Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara”. Por epopeja e tij nuk vdiq me të. Ai është duke lëshuar dritë përherë e më tepër, duke lulëzuar e duke dhënë fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar.
Ndoshta duket si e rastësishme që disa organizata në Shqipëri – në bashkpunim me ambasadën gjermane në Tiranë kanë shpallur ditën e sotëme, 17 Janarin, si Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar, me qëllim për të nxitur mirëbesimin dhe bashkpunimin midis qytetarëve dhe politikanëve. Pas realizimit të madh dhe historik kombëtar — dmth pavarësisë së Kosovës — i ndjeri President Ibrahim Rugova – në këtë ditë përkujtimore — do na këshillonte se nëqoftse dëshironi të kujtoni mua dhe veprën time, atëherë ju lutem promovoni bashkpunimin midis shqiptarëve për të mirën e përbashkët, duke venë mbi të gjitha interesin kombëtar mbi atë partiak dhe interesin publik mbi atë personal.
I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!
*Fjala e mbajtur nga ish-Shefi i Drejtorisë për Evropën në Zërin e Amerikës, Frank Shkreli me 17 Janar, 2009 në akademinë përkujtimore, në 3-vjetorin e vdekjes të Dr. Ibrahim Rugovës, në Universitetin e njohur amerikan, Fordham të Nju Jork-ut.