Gjylije-rexhaNga Gjylie Rexha*

Në listat e renditjes së sondazheve, zakonisht ndodhet në fund. Informacioni kërkohet nga media të tjera dhe prej kohësh publiku nuk pret edicionin e radhës në radio, për të mësuar përditshmërinë që e rrethon.

Për njerëzit e radios dhe vet radion si media, ky nuk është realitet inkurajues. Në sipërfaqen e tij, suksesi i medias matet me shifra: lexues, shikues, dëgjues, klikime…

Procesi i përcjelljes së informacionit është gjysmak dhe plotësisht i pavlerë nëse nuk ka marrës, madje sa më shumë marrës , të mesazhit. Shifra shndërrohet në njësi matëse edhe të vlerësdhe rezultatit të prodhimit medial. Në peizazhin mediatik të shifrave radio ngelet pas. Trendi ka filluar prej kohësh.

Që atëherë kur televizioni “pushtoi” skenën mediatike të shekullit XX. Por, kriza nuk shënoi zhdukjen e mediave tjera. Radio ri gjeti hapësirën e saj dhe mbijetoi. Kreativiteti dhe zotësia për transformim janë elementet kryesore në rrugën e zhvillimit të medias. Dhe, radio ofron mundësi unike për vet-transformim sa herë që media të tjera më të reja dalin në skenë.

Radio ka vdekur! Ka vdekur e atillë siç konceptohej fillimisht dhe dikur: si media propagande, si media me qëllim parësor informimin dhe si media që flet në mënyrë lineare. “Ju flet radio X …” d.m.th ju flasim “ne” dhe “ju” dëgjoni.

Vini veshin sepse “Ne” jemi ata që u tregojmë se çfarë po ndodh”. Jo, jo. Nuk ka më dëgjues të “bindur”, i cili u konsideron autoritet “juve” – njerëzve të privilegjuar të cilëve ua njeh vetëm zërin dhe në bazë të zërit u imagjinon së bashku me ngjarjet për të cilat i flisni. Gabimi i madh që bëhet nga zotëruesi i medias dhe përcjellësi i informacionit është në thelb konceptual.

Të kuptuarit e radios si mjet që mundëson vetëm dhënien e informacionit dhe pritjen që audienca të pranojë si të mirëqenë çfarëdo që i ofrohet, janë premisa të dështimit.
Dëgjuesi nuk është marrësi pasiv. Nëse konceptohet si i tillë do të “kundërpërgjigjet” shkurt dhe thjeshtë: duke ndërruar frekuencë, apo media. Kjo është tejet e lehtë në kohën e shumësisë së mediave. Lehtë është edhe të gjesh hapësirën për radion në kuadër të hapësirës përgjithshme mediatike.

Radio është gjallë! Specifikat kryesore të saj e bëjnë media unike në procesin e vazhdueshëm të transformimit dhe përshtatjes. Radio është media shoqëruese. Ajo është “zëri i sfondit” që nuk u pengon derisa kryeni veprimtari të tjera.

Nuk kërkon përqendrimin maksimal të marrësit të mesazhit dhe nuk ofron thjeshtë informacion, por prioritizon informacionin e dobishëm. Ajo është platforma që nuk u lodh me detaje të bezdisshme dhe e cila i kushton njësoj rëndësi mënyrës së rrëfimit të përmbajtjes sa edhe vet përmbajtjes.
Njëjtësimi është tejet domethënës për krijimin e asaj që studiuesit e cilësojnë “krijim të pamjeve përmes zërit”. Jo vetëm kaq. Radio nuk është vetëm zëri tërheqës i atij që u përcjell përmbajtjen, por është tingulli apo tingujt që krijojnë afërsinë dhe dijen për të panjohurat, që depërtojnë në cilindo mjedis ku ndodheni përmes mjeshtërisë së stilit të veçantë të të rrëfyerit radiofonik.

Radio është gjallë! Ajo mbijeton fal zotësisë për transformim nga kanali linear i përcjelljes së mesazhit në platformë komunikimi. Radio është media që lejon dhe pranon audiencën si prodhuese e informacionit dhe jo vetëm si burim tradicional i informacionit. Prandaj, është media e veçantë dhe me shumë përparësi në periudhën e transformimeve të thella të modeleve të funksionimit të mediave.

Gatishmëria për hapje përmes pranimit të “përmbajtjes së gjeneruar nga dëgjuesi”, menjëherë dhe derisa ngjarja ndodh, e ndërthurur me specifika të kanalit të transmetimit, i jep mundësi radios si media e shpejtë, që të tërheq dhe mbajë vëmendjen e mesazhmarrësit, pavarësisht ku ndodhet dhe çfarë bën ndërkohë. Radio nuk është vetëm gazetari.

Ajo është komunikim i vazhdueshëm dhe dialog me dëgjuesin, të cilit mbi të gjitha dhe para së gjithash duhet t’i përcillet mesazhi se është shumë i rëndësishëm dhe se mendimi i tij dhe roli i tij në ofrimin e informacionit është shumë i vlefshëm. Kjo qasje konceptuale e shndërruar në politikë editoriale ndihmon radion që të gjejë hapësirën e vet në kuadër të peizazheve gjithnjë e më të ndërlikuara mediatike.

Radio është gjallë! Ajo mbijeton fal “ngrohtësisë” që e bën përjashtim në “ftohtësinë” e mediave. “Mediat janë ftohta”, vlerëson studiuesi i mirënjohur Stephan Russ Mohl. Vërtetë janë të tilla. Ato janë kompani biznesi në thelbin e tyre. Iu nënshtrohen ligjeve të tregut dhe prodhojnë informacion që ka karakteristikat e mallit. Vlen aq sa vlerësohet në treg.

Në llogaritjen e tillë, radio sërish ka specifikat e saj. Po, ajo është kompani dhe varet nga të hyrat që gjeneron nga malli që ofron në treg. Por, nuk është media e shtrenjtë, apo është më e lirë se sa të tjerat. Ajo është lehtësisht e arritshme edhe për pasionantët dhe profesionistët të cilët nuk kanë buxhete të mëdha.
E mos varur në masë të madhe nga buxheti, e transformuar nga media e komunikimit masiv në media të komunikimit më të personalizuar, e ngritur nga profesionistë kreativë e të larguar nga shabllonet që median e konsiderojnë autoritet që përhap përmbajtje dhe e konceptuar si media me dobi shoqërore, radio mbetet gjallë. /illyriapress/

*Gazetare dhe pedagoge për Media dhe Komunikim në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, Prishtinë.

By admini