Ali-bardhiShkruan: Mr. Ali Bardhi

Treva e Anës së Malit shtrihet nga Ura e Vjetër e Bunës e deri tek Ura e Mërkotit, përgjatë bjeshkës së Rumisë e deri në kepin e liqenit të Shasit, duke përfshirë këtë të fundit, më pas vazhdon duke u ngjitur përgjatë lumit Buna prej vijës së liqenit të Shasit deri tek Ura e Vjetër e Bunës.

Historia e trevës së Anës së Malit është shumë e lashtë dhe prania e jetës së njeriut në këtë trevë shkon pandërprerje deri në parahistori. Kjo gjë argumentohet nga gjetjet e ndryshme të kulturës materiale në këtë trevë, duke përfshirë periudhën e neolitit dhe enolitit, peiudhat e bronzit dhe hekurit, antikitetin, mesjetën e në vazhdimësi. (Mr. Aleksandar Çilikov, Rezultatet dhe rëndësia e hulumtimeve arkeologjike të Qytetit të Vjetër të Shasit, fq. 27)

Në këtë kuptim, njëra prej dëshmive kryesore në argumentimin e jetës në një vend janë edhe varrezat, si pjesë e kulturës materiale dhe shpirtërore. Andaj në këtë studim kemi arritur që nëpërmjet dëshmive dhe kallëzimeve të banorëve vendas të evidentojmë në shumë fshatra të Anës së Malit (pjesa që sot i takon komunës së Ulqinit) lloje të ndryshme varrezash, që përkojnë me periudha të caktuara, si vendvarre të periudhës ilire, që njihen me emrin Mogile apo Tumula, siç quhen edhe sot. Thuhet se ka edhe varreza të periudhës antike, por akoma janë të pastudiuara, të periudhes arbnore-bizantine, kulturës së Komanit, fesë islame, që përkojnë me sundime të ndryshme dhe principatat e feudalëve vendas apo të huaj, ku edhe këto janë ende të pastudiuara dhe të panjohura për ne. Por ajo që do të trajtohet në këtë artikull janë vetëm varrezat me mbishkrime osmane gjatë periudhës osmane dhe pas saj, në trevën e Anës së Malit (pjesa e Ulqinit).

Gjurmët e varrezave të para muslimane në trevën e Anës së Malit (sipas defterit të Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1582, pothuajse në të gjitha fshatrat e nahijes së Bregut të Përtej Bunës, Anës së Malit, dalin të shënuara shumë emra të përkatësisë islame, gjë që na argumenton se anamalasit e kanë përqafuar fenë islame që herët. Shih. Prof. Dr. Iljaz Rexha, Të dhëna onomastike dhe demografike për Shasin dhe vendbanimet e nahijes së Bunës së Përtejme sipas defterëve osmanë të shekujve XV dhe XVI, ff. 75- 98) nuk dihen saktësisht, meqenëse kemi mungesë edhe të studimeve rreth kësaj çështjeje, si edhe për faktin se mbishkrimet që kemi hulumtuar deri tani dhe dhënia e një përgjigjeje për zanafillën e varreve muslimane në këtë trevë përmes dëshmive që kemi në dispozicion në nivelin e njohurive që kemi sot, e bëjnë akoma të pamundur që të përcaktohen dëshmitë e para të varreve muslimane në këtë trevë.

Një dëshmi e cila paraqet rëndësi për historikun e varreve muslimane në këtë trevë, paraqet edhe raporti arkeologjik i Cetinës i vitit 1985, në të cilin thuhet se janë evidentuar varre muslimane në lokalitetin e lashtë të Anës së Malit, pikërisht brenda hapësirës së Qytetit të Vjetër të Shasit. Edhe banori i fshatit Shas, Halil Doda, pohon të një- jtën gjë, të cilit gjyshi i tij t’i ketë thënë se në Kalanë e qytetit antik të Shasit ndodhen varreza të muslimanëve. Por, për të konkluduar për këto të dhëna me rëndësi për gjurmët e para të varrezave muslimane në Shas, si vendbanimi më i lashtë dhe qendra e kësaj treve, duhet të jetë shtysë dhe arsye më shumë për t’u bërë gërmime arkeologjike si edhe të jepet një raport më i hollësishëm.

Janë evidentuar shumë vendvarre pa nishane në fshatrat e Anës së Malit, si edhe me mbishkrime osmane, nga ku numri i tyre në një vendvarr varion nga një deri në rreth njëqind të tillë, dhe se mbi 500 varre janë bërë objekt i studimit tonë. Por më poshtë po japim vetëm vendvarret e hulumtuara me mbishkrime arabo-osmane në trevën e Anës së Malit të Ulqinit. Në fshatin Shtegvashë ndodhet 1 (një) vendvarr, Kravar Nalt – 3 (tre) vendvarre, Lamij apo Kravar Poshtë – 1 (një) vendvarr, Sukubinë – 2 (dy) vendvarre,  Draginë – 3 (tre) vandvarre, Rashtishë Nalt – 4 (katër) vendvarre, Rashtishë Poshtë – 1 (një) vendvarr, Brajshë – 5 (pesë) vendvarre, Katërkollë – 3 (tre) vendvarre, Shas – 3 (tre) vendvarre, Selitë – 4 (katër) vendvarre, Shtodër – 2 (dy) vendvarre, Krythë – 7 (shtatë)vendvarre, Sumë – 1 (një) vendvarr,  Kaliman – 2 (dy) vendvarre, Bojk – 7 (shtatë) vendvarre, Millë Nalt – 4 (katër) vendvarre, Milla Poshtë – 3 (tre) vendvarre, Kosiq – 1 (një) vendvarr, Zenelaj – 1 (një) vendvarr, Kllezna Nalt – 8 (tetë) ve  arre, Kllezna Poshtë – 2 (dy) vendvarre, Pelink – 1 (një) vendvarr, i ndarë me rrugë në tri parcella: Mërkot (pjesa e Anës së Malit) – 2 (dy) vendvarre, Leskoc – 2 (dy) vendvarre, Megjureç – 1 (një) vendvarr.

Gurëvarret e para me mbishkrime arabo-osmane që kemi hasur e që i përkasin periudhës osmane në trevën e Anës së Malit, fillojnë që nga dekada e parë e shek. XVIII e më pas. Nga hulumtimet e bëra në varrezat e trevës së Anës së Malit, na rezulton se guri i parë me mbishkrim osman është gjetur në varrezat e xhamisë së fshatit Shtodër dhe i përket vitit h. 1119 / 1707. Në të thuhet: “…[ibn] Cafer ruhuna el-fatiha sene 1119” që d.m.th. “…[i biri] Xhaferit Shpirtit të tij el-fatiha Viti 1119”.

Për shkak se nishani i këtij varri është i thyer, mund të lexohet vetëm viti i vdekjes së të ndjerit edhe emri i të atit të tij. Nga vetë fakti se i ndjeri ka vdekur në vitin h. 1119 / 1707, i ati i tij Xhaferi, mund të ketë vdekur shumë më përpara tij, nga ku shohim se edhe para kësaj date të dëshmohet besimi islam në Anë të Malit.

Kultura e këtyre varreve, që është e pranishme në trevën e Anës së Malit – Ulqin, i ngjanë një muzeu të hapur me dekorime dhe zbukurime, por ndodh që të ketë edhe nishane të thjeshta pa ndonjë zbukurim a dekorim. Në disa vendvarre të fshatrave të Anës së Malit ndodh që të ketë edhe nishane të tilla që mund të bëhet e mundur edhe njohja e jeta social-ekonomike e personit të vdekur, pasi në të shumtën e rasteve një prej dëshmive të gjendjes social-ekonomike të të vdekurit është edhe cilësia e punimit të gurit, bukurshkrimi e deri te detajet e tjera si dekorimi etj., pasi për të gjitha këto nevojiteshin shpenzime. Mund të thuhet se qëllimi kryesor i vendosjes së gurvarrit me mbishkrim të ketë qenë ruajtja për mbrojtjen dhe identifikimin e varrit të të vdekurit, si dhe në raste të caktuara mungesa e cilësisë, bukurshkrimit dhe dekori i thjeshtë i gurvarrit mund të ketë qenë shkak për t’u shmangur shpenzimeve të tepërta.

Gurvarret apo nishanet me mbishkrime arabo-osmane të gjetura në trevën e Anës së Malit kanë disa karakteristika me rëndësi, ku mund të përmendim disa prej tyre, si punimi i gurit, koka e nishanit, simbolet dhe dekorimet e gdhendura, forma e shkrimit, shkrimi apo shprehjet me përmbajtje fetare e letrare, identiteti (emri dhe mbiemri) i të ndjerit, lutja, data e vdekjes etj.

Në përgjithësi varret janë me dy gurë, nga ku njëri është i vendosur në anën e kokës dhe quhet “guri i kokës”, kurse tjetri që ndodhet në anën e këmbëve quhet si “guri i këmbëve”, por ndodh që varri të ketë vetëm njërin nga gurët.

Sa i përket gurit të përdorur në varret e kësaj zone, mbi bazën e pohimeve të mjeshtrave të varreve aktuale në Ulqin, ato janë disa llojesh, si gur vendas dhe i importuar. Kurse sa i përket punimit të gurit, nuk kemi fakte se ku mund të jenë gdhendur ato, por në varrezën e xhamisë së Katërkollës kemi gjetur një gurëvarr të vitit 1282 h. / 1865, në të cilin është shkruar “Amile Adem Dibra”, që d.m.th. “E punoi Adem Dibra”, i cili ka shumë gjasa të ketë qenë vendas, pasi në fshatin Lisën ekzistojnë disa familje me këtë mbiemër. (vijon)
(Autori është kryeimam i Ulqinit) /Koha Javore/

By admini

2 thoughts on “Bardhi: Gjurmët e varrezave të para muslimane nuk dihen saktësisht”
  1. Si mund te thone dikush qe shqiptaret “e kane perqafuar fen islame”, kur me e drejte eshte te thoni qe “u eshte imponuar”. Si u eshte imponuar? Fillimisht sa per sy e faqe qe mos te jene cak i dhunes dhe represioneve fiskale, dhe me kalimin e kohes u eshte bere pjes e jetes. Tani thone “e kemi perqafuar”, “na ka shpetuar nga asimilimi” … Fenomeni i shendrrimit te kishave ne xhamia eshte me se i njohur ne trojet tona, apo jo? Prandaj nuk eshte nevoja te diskutohet gjate.
    Sa u perket shkirimit arab ne varreza, ju e dini shume mire qe shkrimi shqip ishte i ndaluar, madje edhe me vone, ne shekullin XVII dhe XIX kemi raste te njohura ku ne gurvarre shkrimi eshte ne arabisht. Arsyeja ishte se nuk dinin shkrimin shqip, ngaqe ishte i ndaluar nder shekuj.
    Shiqojeni statistikat e perqindjes se popullates shqiptare katolike dhe vecanarisht fenomenin konvertimit pas vdekjes se Skenderbeut, se si masovikisht dhe ne afate te shkurtra “perqafuan” fen muslimane.

  2. PER FAT TE KEQ, NE SHQIPTARET, DUHET GJITHMONE TE MERREMI ME JETEN E TE NENSHTRUAREVE NEN OKUPIM. E NGANJEHERE TE THEMI SE NEN OKUPIM LULEZONIM. DERISA ZAGREBI, NEN SUN DIMIN AUSTRO-HUNGAREZ, PARA 350 VITESH KISHTE UNIVERZITETIN, NEVET EDHE NE VARREZA U DETYRONIM TE PERDORNIM GJUHEN E HUAJ. PER NEVET SHQIPTAREVE, CDO OKUPUAS NUK NA SHPETOJ, AS NUK NA SHPETON. VETEM NA VERBOI.

Comments are closed.