xhevat-lloshi“Qyteti i Tivarit duhet të ketë mbi 2500 veta. Banorët e krahinës janë të krishterë dhe myslimanët banojnë kryesisht në qytet. Prodhohen deri 5000 fuçi me vaj ulliri për eksport.
Kadillaku i Ulqinit ka 20.000 banorë dhe po ashtu myslimanët jetojnë vetëm në qytet, i cili ka 7 deri 8 mijë frymë. Prej andej eksportohen deri 7000 fuçi me vaj ulliri; prodhohen gjithashtu 1000 bute me verë, si edhe mjaft kripë.”

Paraqitja gjeografike dhe harta e Shqipërisë më 1842, nga Konti Fedor Karaczay
Shruan: Xhevat Lloshi

Deri më tani gjeografët tanë nuk e kanë njohur një përshkrim të gjeografisë së Shqipërisë, të shoqëruar edhe me hartën përkatëse, të përgatitur prej kontit Fedor Karaxhaji (F. Karaczay) dhe të botuar më 1842 në Londër nga revista shkencore e Shoqatës Gjeografike Mbretërore Journal of the Royal Geographical Society, vëll. ix. f. 47-74. Titulli anglisht është Geographical Account of Albania. Extracted from a Manuscript of Count Karaczay dhe shënohet se është marrë nga dorëshkrimi i tij. Përkthimi anglisht nga origjinali gjermanisht është bërë prej T. Wittick-ut në mars 1841 dhe përkthyesi i kishte dërguar një varg pyetjesh autorit. Në Shoqatën Gjeografike ruhen dorëshkrimet e tij të përmbledhura si një Përkujtesë: për a) Provincën e Kotorrit; b) Malin e Zi dhe c) Shqipërinë nën Turqinë.

Konti Karaxhaji ishte hungarez. Kishte lindur më 3 tetor 1787 dhe ishte me prejardhje nga Vali-Shaka Moldava. Fedori i ri hyri në fillim në Akademinë ushtarake të Vjenës, më 1805 kaloi si kadet i husarëve dhe më 1813 arriti gradën major i kalorësisë së lehtë. Pas thyerjes së Napoleonit ishin nën sundimin e Austrisë mjaft vise të tjera dhe prandaj Fedori pati mundësinë të vizitonte disa prej tyre. Duke u nisur nga interesat ushtarake, ai i kushtonte vëmendje përshkrimit gjeografik të vendeve të ndryshme. Kështu më 1818 botoi një libër për Moldavinë, Vllahinë, Besarabinë dhe Bukovinën. Libri i tij me karakter ushtarak, që është ribotuar disa herë më pas, ishte një Manual për nënoficerët e kalorësisë (1823). Edhe pjesa veriore e Italisë ishte nën sundimin austriak. Në Vjetarin e Mbretërisë Lombarde për vitin 1825, botuar në Milano, ai shënohet si shambelan i shtëpisë së princit Maksimilian, kalorës i Urdhrit II, major i regjimentit të kalorësisë.

Pas një udhëtimi në jug të Italisë, botoi librin Udhërrëfyes për Sicilinë (1826), të cilin e kanë shfrytëzuar autorë të tjerë; është cituar në veçanti te Gjeografia universale e C. Malte-Brunit (1755-1826) të vitit 1829, botuesit të veprës së arbëreshit Engjëll Mashi. Rrugën tjetër e bëri në Lindje dhe më 1834 botoi Rrëfime nga Orienti. Në Londër ishte më 1830 dhe për këtë botoi më 1835 Londra dhe rrethinat e saj. Ishte një udhërrëfyes i një natyre tjetër, siç e vinte vetë në dukje në parathënie. Përveç paraqitjes së qytetit, u interesua për jetën shoqërore deri te veçoritë e kombit anglez, paraqiti drekën angleze dhe shërbëtorët e shtëpive, madje edhe Parlamentin anglez. Për ne ka interes të shënohet veçan, se në vitin kur u botuan shënimet për Shqipërinë, domethënë më 1842, ai tashmë ishte kolonel në shërbimin austriak, ndërsa më vonë komandant në Mantovë.

Në Teheran të Persisë ishte themeluar më 1851 një Kolegj Politeknik. Kur vdiq pedagogu i xhenios Zati më 1852, në vendin e tij erdhi Karaxhaji si instruktor. Aty ai u ngrit deri në gradën e gjeneralit dhe u bë shef i Shtabit të Përgjithshëm. Vdiq më 2 korrik 1859.

fedorPërshkrimet gjeografike për viset nën sundimin osman janë të hershme. Me interes për trevat shqiptare janë Rumelia dhe Bosnja nga Haxhi Kalifa ose Qatip Çelebiu, nxjerrë nga vepra e tij e papërfunduar Cihan-nüma (1648-1657). Ndoshta këtë e ka njohur Karaxhaji, sepse përkthimi e botimi i asaj pjese gjermanisht është bërë më 1812 në Vjenë. Udhëpërshkruesi tjetër i njohur ka qenë Evlija Çelebiu, i cili i ka vizituar trevat shqiptare tri herë (1660, 1662, 1670) dhe i ka përshkruar në veprën e vet të gjerë Seyahatname, por nuk besoj se Karaxhaji e ka njohur. Prandaj mendoj se ky duhet renditur pas U. Martin-Likut (me një vepër pioniere për Shqipërinë më 1814, duke gjurmuar lashtësinë e saj deri te ilirët dhe me një gramatikë e fjalor të shqipes), pas Ami Buesë (me veprën për Turqinë Europiane, 1840, ku jep edhe ndarjen fisnore të shqiptarëve) dhe August Grizebahut (botanistit gjerman, që udhëtoi nga Prizreni deri në Shkodër më 1839 dhe i botoi shënimet e veta më 1841).Veçantia e botimit anglisht të Karaxhajit është se shumica dërrmuese e autorëve anglezë, që në një mënyrë ose tjetër kanë shkruar për Shqipërinë deri në mesin e shek. XIX, kanë folur për Shqipërinë e Jugut ose për qendrat e bregdetit shqiptar, ndërsa Karaxhaji është përqendruar te pjesa nga Vjosa e lart.

Për ta rrokur lëndën e këtyre shënimeve të botuara më shumë se 170 vjet më parë, lexuesit i duhet të zhvendoset nga përfytyrimi që ka sot për Shqipërinë natyrore dhe politike. Viset tona ishin pjesë e Perandorisë Osmane, sundimi i së cilës kishte hyrë në rrugën e dobësimit mbi viset e Ballkanit. Në jugun tonë sapo ishte krijuar një shtet i vogël i Greqisë, por ndërkaq sapo ishin shembur edhe dy pashallëqet e mëdha shqiptare. Fuqia e madhe e kohës, që ishte e interesuar më drejtpërdrejt për zhvillimet në këtë zonë ishte Austria, e cila përfshinte Hungarinë dhe arrinte deri në Kotorr. Synimet e saj shkonin larg në jug dhe ishin synime perandorake, madje edhe pas disfatës prej Prusisë më 1866, ajo e quajti veten Perandoria Austro-Hungareze. Konti Karaxhaji ishte fisnik dhe ushtarak i lartë pikërisht i kësaj Austrie. Horizonti i tij ishte perandorak dhe me këtë ndriçohet vështrimi i tij i gjerë për shumë vende, edhe për ato që nuk i kishte shkelur, siç ishte rasti i vendit tonë.

Cila ishte Albania sipas Karaxhajit? Është një pyetje që lind vetvetiu, sepse ai asnjëherë nuk e ka përmendur emërtimin Shqipëria. Veç kësaj, ka një mospërputhje të madhe ndërmjet Shqipërisë, siç e njohim ne sot, dhe Albanisë së këtij hungarezi. Arsyeja e parë është se në shek. XIX trevat shqiptare ishin nën sundimin e gjatë osman, të copëtuara në vilajete e sanxhaqe qëllimisht për të mos u ngulitur një tërësi shqiptare. Ndërkaq, ka edhe një arsye tjetër historike më të lashtë. Në vend të shpjegimeve të gjata, që nuk e kanë vendin për këtë rast, po shënoj nja dy të dhëna. Në prill të vitit 1461 sulltan Mehmeti i ka dërguar një letër Gjergj Kastriotit, duke e quajtur “Skënderbeu, princi i Arnautllukut dhe Epirit.” Emri i vendit tonë si Shqipëria nuk kishte lindur ende atëherë, ndërsa ky emërtim sipas turqishtes ishte me prejardhje nga ‘Albania’, sepse për greqishten banorët e saj ishin ‘arvaniti’ dhe prej këndej me metatezë në turqishten për banorët ‘arnavut’, kurse për vendin e tyre Arnavutlluk. Edhe Skënderbeu iu përgjigj në maj 1461; nuk e di se nëpër cilat gjuhë ka kaluar letra pas disa përkthimesh derisa e ka lexuar përfundimisht sulltani, por besoj se ka qenë kështu: “Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbeg, princ i arnautëve dhe i epirotëve.” Pothuaj dy shekuj më vonë, më 1635 Frang Bardhi botoi Fjalorin e tij të njohur, që titullin e ka latinisht: Dictionarium latino-epiroticum, domethënë mbiemri ‘epirot’ këtu ka kuptimin e përgjithshëm ‘shqip’, sepse edhe emri i gjuhës sonë ende atëherë nuk kishte hyrë në përdorim, ajo vijoi të quhej gjuha arbëreshe deri në fund të shek. XVII. Robert Pinkertoni, ai që nënshkroi më 1819 marrëveshjen me Vangjel Meksin për përkthimin e Dhiatës së re shqip, shkruante më 28 gusht 1816 për shqiptarët: “Ky komb zë një pjesë të madhe të Ilirikut të lashtë dhe të Epirit.” Do të pranojmë, rrjedhimisht, se emërtimet Albania dhe Epiri në historinë shumëshekullore ose ndërthureshin, ose shiheshin si dy entitete të veçanta, por nuk përputhen me nocionin tonë të sotëm për Shqipërinë.

Edhe për Kontin Karaxhaji Albania ishte një entitet tjetër kundrejt Epirit. Për këtë arsye, ndonëse në titull unë kam përdorur fjalën ‘Shqipëria” për lexuesin e sotëm, brenda tekstit të përkthyer kam lënë fjalën Albania, që lexuesi të mos pështjellohet ose të habitet. Pak vjet më vonë pas tij një autor dhe udhëtar anglez, Henry Tozer në ‘Kërkime në Malësitë e Turqisë’, 1869, është shprehur pa mëdyshje, se në të dy anët e Shkumbinit jeton e njëjta racë, ndërsa ata të veriut quhen gegë dhe janë pasardhës të ilirëve, ndërsa ata të jugut quhen toskë dhe janë pasardhës të epirotasve.

Vetë autori mes të tjerash shkruan: Përpara kryengritjes së Ali Pashës të Janinës, krahinat jugore të Albanisë ishin të bashkuara me veziratin e Epirit ose Toskëria, kurse pjesa që mbetet përbënte veziratin ose ejaletin e Shkodrës. Pasi disa ndryshimesh më të vogla, më 1837 ky vezirat u prish dhe vendi u vu drejtpërdrejt nën vezirin e Rumelisë, por më 1838 u rivendos, ndonëse disa pjesë u shkëputën prej tij. Kjo do të thotë se Karaxhaji pranon dy gjëra: e para, se dikur Albania ishte ajo që ne e quajmë sot Shqipëria dhe përbëhej prej dy veziratesh, të Shkodrës dhe të Epirit, por u ndanë në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Pas vdekjes së këtij, ndodhën një varg ndryshimesh gjithnjë sipas synimit osman për të mos u ruajtur një tërësi shqiptare. Së dyti, autori e njëjtëson Epirin me Toskërinë. Përfundimisht, Karaxhaji na ka dhënë gjeografinë e Albanisë pas prishjes së pashallëkut të Janinës. Sipas tij ky përkon me nocionin e periudhës ilire Epiri, të cilin Fjalori enciklopedik shqiptar e përcakton kështu: Krahinë dhe një nga shtetet e Ilirisë së Jugut, që shtrihej nga malet Akrokeraune dhe rrjedha e mesme e Vjosës në V., deri në gjirin e Ambrakisë në J., dhe nga malet e Pindit në L., deri në brigjet e detit Jon në P. Pikërisht Albaninë në jug deri në këtë vijë të lumit të Vjosës ka pasqyruar edhe harta e tij për. Kjo do të thotë njëkohësisht, se Karaxhaji duhet lexuar jo duke e quajtur se ka gabuar rëndë, por se ka zgjedhur të përshkruajë atë pjesë veriore e qendrore të Shqipërisë, për të cilën kishte mbledhur njoftime. Edhe kur kishte botuar librin për Moldavinë, Vllahinë, Besarabinë dhe Bukovinën, ai nuk mund të qortohet se kishte gabuar kundrejt shteteve të sotme, në të cilat bëjnë pjesë këto njësi gjeografike.

Këtu tashti shtrohet një pyetje tjetër thelbësore: nga i ka marrë të dhënat Konti Karaxhaji për përshkrimin dhe hartën e tij? Është shprehur qartë për këtë nënkonti Percy Strangfordi më 1865: “Krahinat e brendshme dhe malore të Shqipërisë Veriore janë një trevë e panjohur për turistët anglezë dhe pothuaj nuk janë vizituar nga eksplorues dhe udhëtarë të vërtetë. E vetmja paraqitje e njohur për mua, e cila përmban diçka të plotë për hollësitë gjeorgrafike, është një ndihmesë e kontit austriak Karaxhaji, botuar në Proceedings of the Royal Geographical Society. Megjithatë ajo është mbështetur jo te një udhëtim vetjak, por te informacioni i dhënë nga kleri katolik i vendit, shumica prej të cilëve, dalmatë ose italianë, janë shtetas austriakë. Besoj se nuk do të zgjatem dhe do ta kufizoj numrin e udhëtarëve anglezë të kohëve të fundit më të pranueshëm te dy persona: z. Hughes dhe z. Dunn Gardner. I pari, tashti sekretar për Lindjen në Stamboll dhe i biri i të ndjerit udhëtar të njohur në Shqipërinë e Jugut, ka udhëtuar në vijën e Drinit të Bardhë deri në Pejë… Por nuk është botuar asnjë paraqitje për udhëtimet e të dyve.” Del e qartë se Karaxhaji është interesuar për viset tona, ndërsa lëndën për to e ka mbledhur nga goja e të tjerëve. U është drejtuar klerikëve katolikë jo shqiptarë dhe me këtë shpjegohen pasaktësitë e tekstit të tij, ndonëse duket që informuesit e tij, për shkak të detyrës priftërore, i kanë shkelur ato vise, porse sa më në jug shtrihej njohja e tyre, aq më e paplotë bëhej. Njëkohësisht kuptohet përse vazhdimisht në tekst ka të dhëna për përbërjen fetare të popullsisë në ato treva.

Shtrirja e Albanisë sipas koordinatave gjeografike, për Karaxhajin në Lindje shkon në një vijë, e cila është një gradë dhe 10 minuta (10 10’) më e ngushtë se e ashtuquajtura Shqipëria Etnike (sipas një harte, që i quhet Ahmet Gashit). Por këtu ka një mospërputhje ndërmjet koordinatave, nga njëra anë, dhe tekstit e hartës së Karaxhajit, sepse p.sh. Prishtina lihet në Serbi, ndërsa me këto koordinata do të duhej të dilte në Albani. Për Karaxhajin Albania në Lindje shkon deri te Rumelia ose një pjesë e Maqedonisë së lashtë, domethënë nuk përmend ndonjë Maqedoni bashkëkohëse. Me shifra ky kufi është në 210 20’, por duke e lënë jashtë Tetovën. Më në jug e përfshin Resnën, por lë jashtë Prespën. Sot për ne kufiri politik është deri në 210 4’ (deri në Vërnik), domethënë 16’ më pak, të cilat përfshihen në Kosovë e në Maqedoninë perëndimore. Në jug-lindje kufiri i Albanisë hyn thellë, duke përfshirë Konicën dhe deri afër Mecovës, ndërsa poshtë në jug hyn sërish thellë, duke lënë jashtë majtas Delvinën dhe djathtas Janinën. Kjo pjesë jugore dhe jug-lindore del kështu si një zgjatim me konfiguracion pak të çuditshëm. Në Perëndim autori shënon Detin Adriatik dhe me shifra 190. Sot ne shënojmë 190 dhe 16’, sepse përfshijmë edhe ishullin e Sazanit. Ndonëse është lënë jashtë bregdeti i Epirit, ai e quan se vija bregdetare e Albanisë është 240 milje, të cilat bëjnë rreth 380 km, domethënë edhe më tepër se vija tërësore e sotme (!).

Në Veri për Karaxhajin Albania kufizohej me Bosnjën dhe Serbinë, domethënë nuk përmendej veçan Mali i Zi, ndonëse më tej në tekst flet për të, madje edhe në hartë nuk ka shënuar ndonjë ngjyrë për kufijtë e tij. Me shifra e jep 430, ndërsa ne e shënojmë 420 39’, domethënë 21’ më pak, për shkak të shkëputjes së viseve shqiptare pas vendimeve të njëpasnjëshme të Fuqive të mëdha deri më 1913. Këtu harta shkon deri në lartësinë e Kollashinit me një pykëzim, duke e lënë jashtë këtë në të djathtë dhe Nikshiqin në të majtë. Në tekst shprehet se një pjesë e Albanisë Veriore është nën sundimin e Austrisë, domethënë Gjiri i Kotorrit dhe Budva. Në Jug Albania kufizohet me Epirin dhe me shifra 400 25’, ndërsa Shqipëria e sotme shkon deri në Konispol, 390 38’ të gjerësisë jugore.

Vijën bregdetare të Albanisë e nis te Gjiri i Kotorrit, por në hartë është shënuar prej një pike pak më lart se Tiavri. Një mospërputhje me hartën, në tekst është shkruar që “në pjesën më veriore, e cila është nën sundimin e Austrisë, ka tre limane të mira: Gjirin e Kotorrit dhe limanet e Trastes e të Budvës, ndërsa banorët e saj janë ndër detarët më të mirë të Mesdheut.” Në jug përmend si pikë fundore Porto Palermon, në J. të Kepit të Gjuhëzës, porse në hartë e ka ndërprerë te Kepi i Gjuhëzës, duke e lënë jashtë edhe Himarën. Vija sipas tij është e gjatë rreth 240 milje, po të llogariten edhe dredhimet e bregut. Gjithashtu shton se nga Budva deri te Shëngjini (410 48 gjer. V.) deti hyn thellë në tokë. Pa u zgjatur me hollësi të tjera, del se nuk ka përputhje të plotë ndërmjet të dhënave të tekstit dhe vijave të përcaktuara në hartë. Shpjegimi i parë për këtë është, besoj, se autori dëshironte të jepte në tekst njoftime që mund të shërbenin për të kaluar nëpër këto zona, pavarësisht se në hartë ndaheshin prej vijash kufitare. Një shpjegim plotësues do të ishte ky: harta është botuar nga një njeri tjetër dhe nuk mund të jemi të sigurtë, që ai ka bërë krahasimin me tekstin; ndoshta edhe vetë Karaxhaji nuk e ka mbajtur këtë parasysh, por gjithsesi, do të merreshin si më të sigurta të dhënat e hartës. Atëherë çfarë është kjo hartë?

Harta e Albanisë është botuar së bashku me tekstin përshkrues, si edhe veçan, në të dy rastet për Shoqatën Gjeografike Mbretërore. Botuesi ka qenë J. Murray, ndërsa me punën hartografike është marrë John Arrowsmith (1790-1873), hartografi më i njohur anglez i asaj kohe. Me këtë kuptohet përse është një paraqitje aq e hollësishme dhe me cilësi, pavarësisht prej konceptimit të saj, që natyrisht i përket F. Karaxhajit dhe jo J. Arrowsmith-it. Shkalla është 1:1.200.000, 13,5 x 9 inç. Arrousmithi ka qenë një ndër anëtarët themelues të Shoqatës Gjeografike Mbretërore. Nga viti 1834 botoi një Atlas gjeografik universal, në të cilin kishte 2 harta të botës dhe 19 të Europës. Në hartën 19 jepej Turqia në Europë, duke përfshirë Arkipelagun, Greqinë, Ishujt Jonianë dhe pjesën jugore të Dalmacisë. Këtë pjesë jugore e ka edhe në hartën 15 për Perandorinë Austriake.

Kjo hartë është e mbushur me emërtimet përkatëse në mënyrë kaq të hollësishme, sa mund të krahasohet me hartat ushtarake të sotme. Përveç gjeografëve, ajo do të kërkonte vëmendje edhe nga gjuhëtarët, për të nxjerrë listën e plotë të emërtimeve gjeografike, e cila është e nevojshme për studimet tona. Siç do ta trajtoj edhe pak më poshtë, për shembull, për Semanin në hartë jepet te grykëderdhja Lumi Chervesta ose Semani, ndërsa brenda hartës, duke iu afruar Voskopojës shtohet edhe Kavroni.
Një pyetje e mëtejshme, është se cila ka qenë harta e përgjithshme e kësaj pjese të Ballkanit perëndimor, mbi të cilën janë hedhur të dhënat për Albaninë. Me fjalë të tjera: Kush e ka hartuar së pari një hartë të tillë, përpara se të hidheshin në të kufijtë e Albanisë? Disa emërtime, si p.sh. për Detin Adriatik janë anglisht, po ashtu anglisht është legjenda dhe nuk do të quhej e saktë që këto t’i përkisnin dorës së Karaxhajit. Siç e thashë, ai ka botuar një Atlas të gjeografisë universale duke nisur nga viti 1834, por kishte filluar t’i përgatiste hartat që më 1830. Rrjedhimisht, mund të hamendësohet që Karaxhaji ka përgatitur një variant të parë të hartës, të cilin pastaj e ka përdorur Arrousmithi për të punuar hartën, që botoi. Kështu besoj se Arrousmithi i ka hedhur të dhënat e Karaxhajit në një prej hartave të veta anglisht, që i kishte të gatshme. Kjo e bën edhe më të ndërlikuar çështjen e emrave gjeografikë në atë hartë, por edhe më interesante për ta gjurmuar më tej. Do ta bënte edhe më interesante, sepse atëhere do të duhej të hulumtonim, se nga i kishte marrë Arrousmithi emrat për hartat e veta. Gjithashtu, mos ndoshta vetë Karaxhaji është mbështetur mbi hartat e Arrousmithit? Do të ishte një kureshti e madhe të parashtrohej një temë e tillë gjurmimi: Tradita e emërtimeve për viset shqiptare në hartat e botuara në Angli. Dhe këtë pikë do ta mbyllja me një pyetje të fundit: A do të gjendej në Shoqatën Gjeografike të Londrës kopja origjinale e hartës së paraqitur nga Karaxhaji?

Harta e botuar veçan dhe bashkë me tekstin e punimit ka edhe një legjendë anglisht. Tregohet se kufijtë janë shënuar me ngjyra të ndryshme: Perandoria Austriake me të kuqe; Albania me të verdhë; Bosnja e Serbia me të gjelbër; Hercegovina me të purpurt dhe kufijtë e sanxhaqeve me të kaltër. Me shifra romake shënohen: I. Mali i Zi i mirëfilltë. II. Berdat. III. Pashallëku i Shkodrës. IV. Sanxhaku i Prizrenit. V. Sanxhaku i Ohrit. VI. Sanxhaku i Elbasanit. VII. Sanxhaku i Vlorës. VIII. Sanxhaku i Janinës. Më tej vijohet me shkronja të mëdha: A. Vezirati i Hercegovinës. B. Sanxhaku i Novipazarit në Bosnjë. C. Sanxhaku i Krushevacit në Serbi. D. Sanxhaku i Prishtinës në Serbi. E. Sanxhaku i Shkupit (në Rumeli). F. Sanxhaku i Manastirit (Bitoli). G. Sanxhaku i Delvinës në Epir.

Edhe në këtë anë nuk ka përputhje të plotë ndërmjet tekstit dhe hartës. Pikë së pari nuk përdoret po ajo terminologji. Sanxhaku në tekst pranohet si sinonim me pashallëkun dhe Mali i zi e Berdat nuk përfshihen në numërimin fillestar. Prandaj si sanxhaku i parë jepet pashallëku i Shkodrës, i cili përmban 6 kadillëke: Mali i Zi, Tivari, Ulqini, Shkodra, Podgorica, Leshi. Sipas Kontit, qeveria osmane e merrte Malin e Zi si pjesë të Shkodrës, sepse nuk e kishte pranuar pavarësinë e tij. Për më tepër termi ‘Mali i Zi’ për të nuk e përfshinte Tivarin, Ulqinin dhe Podgoricën, rrjedhimisht, shfaqet me një shtrirje krejt tjetër nga ai që përfytyrojmë sot. Radhitja më tej është e tillë: II. Sanxhaku i Dukagjinit. Nuk përmendet te Legjenda e hartës. Përfshin kadillëket: Dukagjini, Peja dhe Gjakova. III. Sanxhaku i Prizrenit. Ky del i katërti te Legjenda. IV. Sanxhaku i Elbasanit. Në Legjendë del i gjashti. V. Sanxhaku i Ohrit. Në Legjendë gjithashtu del i pesti. VI. Sanxhaku i Vlorës. Në Legjendë del i shtati. Kështu në tekst, përveç dy që u përmendën më sipër, mungojnë edhe: VIII. Sanxhaku i Janinës; kurse nga pjesa renditur me shkronja të mëdha në hartë mungojnë në tekst: A. Vezirati i Hercegovinës. B. Sanxhaku i Novipazarit në Bosnjë. C. Sanxhaku i Krushevacit në Serbi. D. Sanxhaku i Prishtinës në Serbi. E. Sanxhaku i Shkupit (në Rumeli). F. Sanxhaku i Manastirit (Bitoli). G. Sanxhaku i Delvinës në Epir.

Ky dallim i madh kërkon shpjegim, se mos është rrjedhim i referimit të ndarjeve osmane në periudha jo të njëjta, ose i njoftimeve të ndryshme që kanë pasur Karaxhaji dhe Arrousmithi. Ndërkaq për këtë problem ka një hollësi me rëndësi. Përkthyesi dhe përgatitësi i tekstit në gjuhën angleze ka shtuar këtë shënim: “Pjesa jugore e Albanisë banohet prej myslimanësh ose prej të krishterësh ortodoksë, aty nuk ka katolikë. Prej kësaj rrethane duhet shpjeguar mungesa e infomacionit më të hollësishëm në dorëshkrimin e Kontit Karaxhaji, sepse atë që e kishte mbledhur në krahinat veriore dhe qendrore në masën më të madhe e kishte prej rrëfimeve të klerit katolik që banonte në vend. Informacioni i mangët që kishte marrë prej udhëtarësh është përfshirë në rrëfimin që jep për ndarjet politike të vendit dhe në atë për rrugët kryesore që e përshkojnë”. Kështu pranohet se Karaxhaji e kishte të mangët njohjen për ndarjen politike të vendit dhe do ta besojmë se legjendën për hartën e ka përpiluar Arrousmithi me njohuritë e veta. Përkthyesi ka ndërhyrë edhe ndonjë herë tjetër. Kështu shkruan: “Informacioni që përmbahet në dorëshkrimin e Kontit lidhur me këtë vargmal është mjaft i varfër.”

Pasi u bë e qartë se çfarë kuptonte autori me termin Albania, nuk do të habitemi për ndarjen e saj të mëtejshme.
Albaninë Veriore e nis ndërmjet grykës së lumit Narenta (V. të 430 gjer. V.) dhe të lumit Buna (afër 410 50’ gjer. V.) me një masiv të gjerë malor, ndërsa më tutje paraqet hollësisht rajonin e Malit të Zi, të përfshirë si pjesë të kësaj Albanie, e cila vjen në jug deri te lumi Drin.
Albani Qendrore quan pjesën që shtrihet në J. të lumit Drin dhe shkon deri te kreshta, e cila përfundon te Kepi i Rodonit. Në të vërtetë për ne kjo është Shqipëria Veriore.
Me Albaninë Jugore kupton pjesën e ndërmjet Kepit të Rodonit dhe Kepit të Gjuhëzës, domethënë atë që ne e quajmë sot Shqipëria e Mesme ose Qendrore, por asaj i bashkon dhe një pjesë të Shqipërisë Jugore poshtë lumit Shkumbin.

Gjatë përkthimit shqip vështirësia më e madhe ka qenë dhënia e emrave gjeografikë. Para së gjithash, nuk duhet harruar se jemi më shumë se një shekull e gjysmë përpara. Qyteti i Lezhës, për shembull, njihej atëherë me emrin Leshi dhe nuk kishte përse të kthehej në trajtën e sotme. Njëkohësisht burimi nuk ka qenë drejtpërdrejt nga goja e shqiptarëve, por nga klerikë përgjithësisht italianë dhe rrjedhimisht sipas trajtave në atë gjuhë do të merreshin emrat. Duke qenë trevat tona nën sundimin osman, në disa raste trajtat do të ishin sipas turqishtes. Kështu, Tetova e sotme atëhere zyrtarisht ishte Kalkandeleni. E gjithashtu në një varg rastesh emrat ishin sipas serbishtes. Së bashku këto sjellin që emërtimet të jenë prej katër gjuhësh të përziera. Nuk përjashtohen edhe gabimet jo vetëm të dorëshkrimit, por edhe të transkriptimit që ka bërë përkthyesi anglisht. Në këto rrethana, i kam dhënë sipas trajtës sonë të sotme ata emra, për të cilët jo vetëm nuk ka dyshim, por edhe duke vepruar kështu, nuk është cenuar ana historike e origjinalit. Kur ka qenë e vështirë të caktohej me përpikëri se cili do të ishte emri i sotëm, është lënë për ta përcaktuar gjeografët në punimet e tyre. Së fundi, edhe duke i lënë në trajtën e origjinalit disa emra, që kuptohen lehtë se çfarë duan të thonë për ne, është ruajtur gjendja e asaj periudhe historike, e cila mund të ketë interes qoftë edhe vetëm për gjuhësinë. Për shembull, lumi i Osumit gjatë gjithë tekstit del Chervesta. Nuk e di cili do të ishte shqiptimi i origjinalit, prandaj e kam dhënë Çervesta, ndërsa përse është quajtur kështu e vlen të bëhet një hulumtim i mëtejshëm, por nëse do ta jepja thjesht Osumi, kjo do ta fshihte kërkesën për shpjegimin e nevojshëm. Po kështu lumi i vogël i Darçit në Kavajë quhet Spirnaca te grykëderdhja; Erzeni quhet lumi i Shijakut dhe në grykëderdhje Lisana; Vjosa quhet edhe lumi Vedis; dega e Matit, lumi i Urakës është dhënë Oraça etj.

Vështirësia tjetër ka qenë me njësitë e masave. Meqë botimi është anglisht, janë përdorur masat angleze, të ndryshme nga njësitë tona dhjetore. Nga një provë e bërë, doli se nuk do të ishte e drejtë të ktheheshin sipas njësive tona, sepse përftoheshin mospërputhje. Për shembull, autori thotë se liqeni i Ohrit është 20 milje i gjatë. Duke e marrë miljen angleze 1609 metër, do të dilte 32,180 km, mirëpo gjeografët tanë e japin 30,4 km. Për këtë arsye janë lënë madhësitë sipas njësive angleze, d.m.th. në milje dhe në këmbë; nuk e di si do t’i ketë pasur autori në dorëshkrim.

Si në çdo punim gjeografik, natyrisht që pjesën kryesore do ta zinin paraqitja e maleve bashkë me përbërjen e tyre gjeologjike dhe ndonjëherë të mineraleve, majat e kullotat e tyre, si dhe sa janë të pyllëzuar e me çfarë llojesh të drurëve; më tej fushat dhe shkalla e pjellorisë së tyre dhe bimët bujqësore kryesore; liqenet e kënetat me peshqit e shpendët e tyre, vijat ujëndarëse, lumenjtë që nga burimi e deri te grykëderdhja, bashkë me natyrën e brigjeve të tyre dhe të luginave që formojnë, si dhe me të dhëna për mundësitë e lundrimit nëpër ta; grykat e njohura krahas mundësive që japin për t’u mbrojtur nga një armik sulmues; klima; kulturat bujqësore dhe bimësia natyrore, pemët frutore dhe prodhimet kryesore të bujqësisë e të blegtorisë (dhentë e dhitë janë të shumta nëpër gjithë viset malore të Albanisë), kafshët e egra, produktet e ndryshme për tregti dhe në veçanti zejtaria për armët e zjarrit. Me kujdes të veçantë janë treguar tiparet e bregdetit me gjiret, limanet, thellësinë e ujit, erërat detare dhe mundësitë e ankorimit, deri edhe piakt e doganave dhe magazinat e mallrave. Pjesa e fundit është një përpjekje për të dhënë rrugët ose më mirë vijat e komunikimit ndërmjet krahinave e qendrave kryesore të banimit e të tregtisë dhe për qëllime ushtarake. Përgjithësisht thuhet se nëpër vend gjatë muajve të thatë mund të kalojë një ushtri, por jo e ngarkuar me artileri të rëndë.

Nga moria e të dhënave të ndryshme të këtij punimi do të nxirrja në dukje përmbledhtas të dhënat demografike, ndonjë njoftim historik dhe sidomos veçoritë etnografike. Besoj se ato do të ngjallnin kureshtjen e cilitdo lexues, i cili ndërkaq ka edhe njohuri për gjendjen e sotme.
Shqiptarët e bregdetit nga Tivari në Ulqin Konti Karaxhaji i quan detarët më të mirë të Mesdheut dhe ne e dimë se ulqinakët, për shembull, gjithmonë kanë qenë të dëgjuar si të tillë.

Qyteti i Tivarit duhet të ketë mbi 2500 veta. Banorët e krahinës janë të krishterë dhe myslimanët banojnë kryesisht në qytet. Prodhohen deri 5000 fuçi me vaj ulliri për eksport.
Kadillaku i Ulqinit ka 20.000 banorë dhe po ashtu myslimanët jetojnë vetëm në qytet, i cili ka 7 deri 8 mijë frymë. Prej andej eksportohen deri 7000 fuçi me vaj ulliri; prodhohen gjithashtu 1000 bute me verë, si edhe mjaft kripë.

Lugina e Moraçës banohet prej 5 fisesh malësore: Uskocët (në rrjedhën e sipërme të lumit), Moraçët dhe Rovcët, rreth 10.000 frymë, dhe janë të bashkuar në një organizim politik, të quajtur Moraça dhe Rovaça e Berdës. Në J. të Riçanit janë dy fiset e tjera: Piperët dhe Kuçët e Berdës; i pari rreth 9000 frymë, i dyti 17.000. Berdanët përfshijnë 4 Berdat (Fushëbardha, Piperi, Kuçi dhe Moraça) dhe janë të besimit ortodoks.

Për Fushën e Plavës njofton se përfshin 23 fshatra me popullsi 6-7000 veta të besimit katolik, që nuk u paguajnë haraç turqve.
Shkodra si pashallëk arrin deri te 100.000 banorë, gjysma e të cilëve janë katolikë. Qyteti ka 40.000 frymë dhe përbëhet nga kështjella, lagjja Tabakët e myslimanëve dhe Terzia e katolikëve. Qyteti ka 4000 dyqane, ndërsa në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (shkurt më tej FESH) pohohet se më 1870 kishte 3500 dyqane. Tregtarët janë të pasur dhe eksportojnë prodhime deri në Trieste, Venecie e Vlorë. Po në këtë vilajet është edhe Drishti, i cili ka një kështjellë dhe rreth 1000 banorë myslimanë. Sipas FESH kishte 1200 banorë më 1926 dhe sot ka 1600, por në kodër janë vetëm gërmadhat e kalasë. Fushën e Shkodrës e vlerëson si tokën më pjellore në Albani. Numri i myslimanëve aty është më i madh si përpjesë.

Për Kontin Karaxhaji lugina e Drinit të Zi banohet kryesisht prej shqiptarësh katolikë. Mirditorët janë katolikë dhe arrijnë mbi 18.000 frymë. Prenk Lleshi mëton se ata janë pasardhës të Skënderbeut. Matjanët janë myslimanë dhe arrijnë jo më shumë se 6000 veta; ata janë në gjendje të përhershme kryengritjeje. Kthella përbëhet prej 2000 frymësh.

Kadillëku i Podgoricës ka gjithashtu afër 100.000 banorë. Qyteti i Podgoricës ka 6000 banorë dhe katër të pestat janë myslimanë. Me të dhënat e sotme në Podgoricë myslimanët përbëjnë vetëm 11 për qind të popullsisë, një dëshmi kjo e ndryshimit të thellë të përbërjes së popullsisë shqiptare prej ardhjes së fshatarëve sllavë nga të gjitha anët dhe vendosjes së tyre në këtë qytet. Me këto të dhëna mbështetet pohimi ynë i sotëm, se ndikimi i turqishtes ka qenë më i ndjeshëm në qytetet sesa në fshatrat. Në Veri të qytetit ndodhet Dioklea e lashtë, e cila po rrënohet, sepse sepse banorët po i marrin gurët për të ndërtuar shtëpitë e veta.

Këtu jetojnë fiset e Berdës, Kelmendit, Hotit, Shalës e Shoshit, ndërsa në pjesën fushore shumica e popullsisë është myslimane. Fisi Kuçi shtrihet në Lindje të Podgoricës afër Medunit dhe janë myslimanë të dëgjuar për trimëri. Fiset e Kelmendit e të Dinoshit janë katolikë. Thuhet se kelmendasit arrijnë 3000 frymë, por një pjesë e madhe bashkë me peshkopin e Pejës në shek. XVIII u shpërngulën në Hungari dhe ende quhen me emrin kelmendas. Në FESH kjo shpërngulje përcaktohet më 1740 dhe sot i bie në krahinën e Sirmies pranë lumit Sava. Fisit i Hotit thuhet se arrin 4000 veta. Fisi i Shalës dhe i Shoshit janë katolikë dhe secili ka deri 1200 frymë. Në FESH nuk jepet asnjë e dhënë me shifra për to. Këto katër fise (Kelmendi, Hoti, Shala e Shoshi) quhen së bashku Malësorët ose banorët e Katër Maleve; “ata janë luftarakë dhe jashtëzakonisht të aftë në përdorimin e armëve”.

Sipas Karaxhajit, brenda në kështjellën e Leshit është një xhami, aty ku ishte më parë kisha Shën Mëri Nikolla i Barit. Dhe: “Në këtë kishë është varrosur i famshmi Gjergj Kastrioti, që njihet më mirë me emrin Skënderbeu.” Nuk e di se nga e ka marrë ai këtë të dhënë, por Marin Barleti tregonte kishën e Shën Kollit si vendvarrimin e Skënderbeut. Arkeologu F. Prendi e ka përjashtuar mundësinë që varri të ketë qenë brenda kësaj kështjelle dhe ka argumentuar se është fjala për xhaminë Selimie, të ndërtuar mbi godinën pjesërisht të rrënuar të kishës së Shën Kollit në pjesën e poshtme të qytetit, aty ku është sot Memoriali i Skënderbeut. Dhjetë vjet më parë unë kam botuar një variant tjetër: gjatë udhëtimit të dytë nëpër Shqipëri më 1867 përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike, A. Tomsoni, kishte kaluar në Lezhë dhe kishte vizituar kishën e Shën Katerinës, tashmë të shndërruar në xhami, ku varri i Skënderbeut duhej të ishte poshtë minares së tanishme, domethënë në anën jugore të kishës dhe në një të tretën e gjatësisë së saj nga ana lindore.

Sanxhaku i Dukagjinit ka gjithsej 210.000 banorë. Peja ka 12.000, shumica dërrmuese shqiptarë dhe aty bëjnë armë në sasi të madhe e të cilësisë së mirë. Gjakova ka 18.000 banorë, pothuaj të gjithë myslimanë, si dhe 1100 dyqane.

Sanxhaku i Prizrenit përfshin 80.000 banorë, vetëm një e katërta myslimanë. Prizreni ka 15-20.000 banorë, ka punishte të mëdha armësh dhe pushkët e pisqollat janë shumë të vlerësuara. (Në ribotimin më 2009 të FESH gabimisht ka rënë një pjesë e tekstit për këtë qytet, po ashtu siç është vënë pas Pelikanit artikulli për Pejën). Nga Peja deri në Prizren shumica dërrmuese e popullsisë përbëhet prej shqiptarësh të besimit katolik, por mes tyre janë vendosur edhe shumë myslimanë. Është një popullsi mjaft punëtore për bujqësi dhe prodhojnë pushkë të cilësisë së mirë.

Për sanxhakun e Elbasanit përmenden pesë qytete. Vetë qyteti paraqitet mjaft i vogël, me 3500 banorë myslimanë, 1000 ortodoksë dhe 500 katolikë. Më duket se ky është një nga rastet ku Karaxhaji ka të dhënat më të gabuara. Për Durrësin ai shkruan se ka 9 deri 10.000 banorë, për Peqinin 700 banorë, që gjithashtu më duket një shifër e vogël. Kavaja ka 9 deri 10.000 banorë, domethënë njësoj me Durrësin, ndërsa këtu prodhohet një djathë i mirë, i cili eksportohet deri në vise të largëta të Perandorisë Turke. Për Tiranën jep shifrën 10.000 banorë, prej tyre vetëm 1000 ortodoksë. Shkruan se është pranë lumit Jakon, që do të ishte emri i Lanës së sotme.

Sanxhaku i Ohrit ka qendër qytetin e Ohrit me 1000 banorë. Me të drejtë vëren se këndej kalonte Rruga Egnatia, e cila edhe në atë periudhë përdorej për trupat osmane që vinin nga Stambolli deri në Shqipëri. Intersante është se thotë që aty pranë ka miniera argjendi e squfuri, por që nuk shfrytëzohen.

Kruja ka mbi 15.000 banorë dhe nuk lë pa vënë në dukje se ka qenë selia e Skënderbeut, ndonëse gabon duke e quajtur këtë qytetin e tij të lindjes. Fushën e Krujës e quan Mavra, që shqip është Zeza dhe sot lumi në hyrje të Fushë-Krujës është lumi i Zezës, ndonëse sot thonë Ura e Zezë, ndërsa në të vërtetë është Ura e Zezës.Në hartë te Kepi i Rodonit është shënuar Kalaja e Skënderbeut.

Për sanxhakun e Vlorës vihet në pah se nga pyjet e pishës merret lëndë ndërtimi e shkëlqyer, ndërsa ka puse nafte në disa vende; nafta mblidhet dhe eksportohet. Më duket se ky është njoftimi i parë për eksportin e naftës nga vendi ynë, ndonëse me kaq të dhëna nuk marrim vesh se si ishin këto puse konkretisht, si mblidhej dhe transportohej nafta. Qyteti i Vlorës ndodhet mbi një kodër të rrethuar me mur; ka 8-10.000 banorë; prodhohen përlhura leshi e armë, ndërsa ka një numër jo të vogël çifutësh. Berati ka 8 deri 10 mijë frymë, dy të tretat ortodoksë. Gjirokastra ka mbetur vetëm me 4000 banorë, sepse popullsia është pakësuar shumë prej murtajës më 1814. Për Përmetin na tregon se aty kanë zënë vend shumë arixhinj.

Vlerësimi më i drejtë i punës së Kontit Karaxhaji, pa dyshim do të bëhej duke e krahasuar me paraqitjet bashkëkohëse të po kësaj natyre, sepse gjatë rrjedhës historike shumë gjëra kanë ndryshuar. Ky është një lëmë i mirëfilltë pune për gjeografët tanë, prandaj mua do të më lejohet të sjell vetëm një rast. Në vitin 1848 është botuar po në Londër një përmbledhje e gjerë, e cila është rishtypur me plotësime edhe më 1860. Titulli është Bibla e të gjitha vendeve (The Bible of every Land). Cilësohet si një histori e Shkrimeve të shenjta në të gjitha gjuhët dhe dialektet, në të cilat ishin bërë përkthimet. Te gjuhët indo-europiane përfshihet shqipja në familjen trako-ilire dhe në faqet 289-290 jepet një copë nga botimi i Dhiatës së re shqip më 1827, ndërsa më tej, përpara se të shkruhet për karakteristikat e gjuhës dhe versionet e përkthimeve, ka një paragraf të parë me nëntitullin Shtrirja gjeografike dhe të dhënat statistikore. Në botimin e parë më 1848 të dhënat ishin marrë prej librit ‘Rrëfim për misionin grek” të autorit S. S. Wilson, botuar në Londër më 1839. Ai kishte vizituar ishujt, në të cilët popullsia ishte kryesisht prej arvanitësh, domethënë arbëreshësh të Greqisë. Ai është shprehur se speciotët dhe fqinjët e tyre, hidrotët e psariotët janë me prejardhje ilire. Për këtë arsye ka thënë edhe gjëra që tingëllojnë të çuditshme sot. Sipas tij, përsa i përket Epirit me shqiptarë, “Pjesa më e madhe e vendit përfshihet ndërmjet gradëve 37 dhe 39 të gjerësisë veriore dhe përbën një pjesë të zotërimeve të mbretit të Greqisë, ndërsa pjesa tjetër, ndonëse qeveriset prej krerësh pothuaj të pavarur, përbën një provincë të Perandorisë Osmane.” Po të shohim hartën e sotme, kjo do të thotë se ai autor fliste për një trevë nga Vlora deri poshtë në Peloponez. Botimi i dytë anglez më 1860 e ka hequr këtë pjesë, por e ka theksuar, se “Dikur shqiptarët përbënin gjithë popullsinë e Hidrës, Specës, Parosit dhe ishujve të tjerë grekë, kurse hasen edhe në Serbi dhe në brigjet e Kalabrisë në Italinë e Jugut.” Nga ana që lidhet me paraqitjen e Karaxhajit, e vlen të shënohet, se botimi anglez e quan Shqipërinë (Albania): “një vend i cili nga pikëpamja e pozitës dhe e shtrirjes përputhet me Epirin e lashtë dhe me Ilirikun.” Kemi kështu një përkim të plotë me vështrimin e Karaxhajit për Albaninë dhe Epirin. Teksti anglisht vijon se Shqipëria “Shtrihet pjesërisht përballë Ishujve Jonianë dhe zgjatet më shumë se 250 milje përgjatë bregut të Mesdheut dhe të Adriatikut.” Këtu është fjala për Detin Jon dhe Adriatikun, ndërsa shifra do të thotë afër 380 km. Popullsia e shqiptarëve vlerësohet rreth dy milionë, kurse brenda kufijve të Greqisë së atëhershme thuhet se ishin 173.000 shqiptarë.

Një hartë tjetër anglisht është botuar pak vjet më vonë. E kishte përgatitur Xhon Rapkini dhe ilustruar H. Uorreni; bënte pjesë në Atlasin e ilustruar dhe historinë e kohëve të reja të Xhon Talisit, Londër 1851, për të cilin Rapkini kishte bërë një numër hartash për gjithë botën, kurse Shqipëria përfshihet në hartën e Turqisë Europiane. Formati është 29,7 cm x 21,8 cm dhe me ngjyra. Këtë radhë Shqipëria me emrin Albania nis nga Tivari dhe shkon poshtë deri në Prevezë, ndërsa djathtas kufizohet me Maqedoninë Turke, në jug të saj me Thesalinë Turke dhe poshtë tyre vjen Greqia. Në cepin e djathtë lart të hartës është një pikturë e Ali Pashës gjysmë i shtrirë, me një shërbëtor në gjunjë poshtë minderit, duke i shërbyer çaj. Emri i ilustruesit Uorren nuk përmendet nga studiuesi i artit Ferid Hudhri (Albania through Art, 2003), kështu që del se kjo është një pikturë e panjohur për Ali Pashën. Paraqitja e pashait është mjaft e ndryshme nga piktura e Lui Dypresë, që e jep në varkë në liqenin e Butrintit (1819).

Përveç danezit Malte-Brun, te punimet e Karaxhajit është mbështetur edhe Hajnrih Kiperti (1819-1899) për hartat e vitit 1847, botuar në Vajmar nga Instituti Gjeografik. Vënia në dukje e lidhjeve të tilla ka interes për të treguar se vepra e Karaxhajit nuk ka mbetur e panjohur, e sidomos për të vërtetuar që ajo ka luajtur rolin e vet në opinionet e diplomatëve britanikë, të cilët pak nga pak po i afroheshin çështjes shqiptare brenda Perandorisë Osmane, që kishte hyrë në fazën e shpërbërjes, opinione të cilat patën ndikimin e tyre në Kongresin e Berlinit më 1878 e deri përfundimisht në Konferencës e Londrës më 1913. Në fund të fundit, çdo koncept politik për një shtet dhe vetë kufijtë e tij, që përcaktohen e ripërcaktohen gjithmonë pas luftërash, gjejnë pasqyrim konkret në një hartë dhe në përshkrimin gjeografik brenda vijave të saj. Nga ky këndvështrim rrjedh rëndësia e punës së Kontit Karaxhaji jo thjesht nga ana gjeografike dhe etnografike, por edhe për historinë politike të shtetit tonë.

By admini