
Ambasada e Malit të Zi prezanton premierën e filmit “Forever Hold Your Peace”
Në kuadër të programit kulturor të Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë, me moton “Në rrugëtim: nga Dita e Pavarësisë deri te Dita e Shtetësisë”, u mbajt mbrëmë në Prishtinë një ngjarje e veçantë kulturore: premiera solemne e filmit “Forever Hold Your Peace”, me regji të Ivan Marinoviq, shkruan Ulqini Online.
Ngjarja shënoi një moment të rëndësishëm jo vetëm për kulturën malazeze, por edhe për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, duke sjellë pranë artit filmik një publik të larmishëm nga sfera të ndryshme të jetës institucionale dhe shoqërore në Kosovë.
Ceremonia u nderua me praninë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ambasadorëve të akredituar në Prishtinë, përfaqësuesve të botës akademike, artistëve të njohur, gazetarëve dhe figurave të njohura të biznesit. Po ashtu, të pranishëm ishin edhe shumë anëtarë të diasporës malazeze në Kosovë, të cilët ndihmojnë në ndërtimin e urave të qëndrueshme kulturore dhe shoqërore midis dy vendeve.
Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, z. Bernard Çobaj, theksoi rëndësinë e diplomacisë kulturore si një formë e fuqishme e afrimit mes popujve dhe promovimit të vlerave të përbashkëta evropiane. Ai shtoi se ky rrugëtim kulturor simbolizon përkushtimin e Malit të Zi për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me fqinjët, përmes artit dhe dialogut.
Filmi “Forever Hold Your Peace”, i cili trajton me finesë tematikat e jetës në komunitetet e vogla të bregdetit Adriatik, u mirëprit nga publiku, duke hapur rrugën për diskutime të mëtejshme mbi artin bashkëkohor ballkanik.