
Ilustrim: Rruga e Shtojit
Policia ka njoftuar se ka zbardhur një tentativë vrasjeje që ndodhi pardje në orët e pasdites në Shtoj dhe ka arrestuar dy persona.
Sipas njoftimit, të publikuar nga cdm, para dy ditëve rreth orës 16:00, përpara një lokali, A.M. (19), J.D. (20) dhe A.F. (23) nga Rozhaja, kanë sulmuar fizikisht punonjësin e këtij lokali, E.M. (18) po ashtu nga Rozhaja, i cili ka pësuar edhe një plagë me thikë në pjesën e shpinës, transmeton Ulqini Online.
“Atij i është ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa autorët e këtij rasti janë larguar në drejtim të panjohur nga vendi i ngjarjes,” thekson policia.
Me rastin është njohur prokurori në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë, i cili e ka kualifikuar rastin si vepër penale – tentativë vrasjeje, dhe ka dhënë udhëzimet për veprimet e mëtejshme të shërbimeve policore.
“Duke ndërmarrë aktivitete intensive në terren, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe ndriçimit të ngjarjes, si dhe ndjekjes penale të autorëve, oficerët e Policisë së Sigurisë në Tivar kanë kontrolluar një automjet të markës Mercedes në zonën e atij qyteti, ku janë gjetur personat J.D. dhe A.M.,” shton policia.
Ata janë dorëzuar oficerëve të Policisë së Sigurisë në Ulqin, të cilët kanë arrestuar të dyshuarit J.D. dhe A.M., dhe ata janë dërguar dje me kallëzim penal te prokurori kompetent për procedura të mëtejshme.
Raste të tilla kanë filluar të jenë të shpeshte dhe autorët nuk kanë të bëjnë me qytetarë të Shtojit, Ulqinit apo edhe rretheve. Qetësia në Shtoj duket se është prishur.