
Nga Haxhi Zeneli
Mungesa e investimeve të qëndrueshme shpesh është tregues i zhvillimit të dobët ekonomik të një vendi. Në atë vendet ku kursimet e qytetarëve janë minimale dhe ku pjesa më e madhe e popullsisë jeton vetëm për të siguruar ushqimin bazë,aty mungon jo vetëm një strategji zhvillimore, por edhe kapaciteti për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme. Ulqini është shembull i gjallë i kësaj situate. Prej vitesh dëgjojmë për premtime investimesh nga të huaj në Ulqin, por përvoja e dekadave të fundit ka treguar se shumica e këtyre paralajmërimeve kanë mbetur vetëm në brazdat e spekulimeve. Kemi ngritur zërin vazhdimisht sepse zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik mungon. Ulqini, megjithëse ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, shpesh mbetet në vendnumëro, i bllokuar nga projektet e papërfunduara dhe nga vendimmarrja e paqartë. Kur bisedojmë me banorët për ndërtimet masive që janë bërë dhe po bëhen në qytet, pyetja që shtrohet është: a janë të përballueshme këto banesa për vendasit? Shumica përgjigjen se jo. Ndërtimet kryesisht u shërbejnë blerësve të huaj, ndërsa çmimet janë të papërballueshme për qytetarët lokalë. Si pasojë po ndryshon struktura shoqërore e qytetit jo nga dëshira por si pasojë e zhvillimeve të pakontrolluara dhe mungesës së një politike të qartë urbane dhe sociale. Së fundmi ka pasur reagime ndaj një investitori arab, Mohamed Alabbar, për të cilin u tha se do të ndërtojë komplekse banimi në Ulqin. Disa pretendojnë se kjo do të ndikojë në ndryshimin e strukturës së popullsisë, po ka mundësi. Por duhet të shtrojmë pyetjen: sa ndërtime janë bërë deri më tani nga ndërtues ndoshta që nuk janë as banorë të kësaj komune? Dhe sa ndërtues kanë kontribuar në infrastrukturën publike,rrugë, trotuare, kanalizime,etj? Pothuajse asnjë. Ulqini vazhdon të vuajë mungesën e një planifikimi të mirëfilltë urban. Shqiptarët e diasporës që kanë investuar në qytet shpesh ndihen të zhgënjyer. Vlera e investimeve të tyre nuk është e sigurt pasi ndërtimet e reja rrisin ofertën dhe ulin kërkesën për objektet ekzistuese. Mungon një treg i rregulluar i patundshmërisë dhe një strategji për ruajtjen e vlerës së pronës. Ne mund të kemi mendime të ndryshme për situatën në Ulqin por faktet flasin qartë: me këtë mentalitet politik dhe ekonomik, qyteti do të mbetet një treg i vogël, me kapital të ulët dhe pa perspektivë reale për zhvillim. Mendoj se perfituesit janë vetëm një grup i vogël pronarësh me lidhje familjare dhe politike. Deklaratat se “Ulqini është komuna më e varfër,por me popullin më të pasur” janë vetëm një formë hipokrizie, kur realiteti tregon se të rinjtë po largohen çdo ditë nga vendlindja, më shumë se nga viset tjera të Malit të Zi. Ulqini është bërë si ajo shprehja popullore: “As nuk ja jep askujt, as vet nuk e përdor”. Atëherë,ku qëndron problemi, çfarë duam në të vërtetë? Investime të reja që sjellin zhvillim të mirëfilltë,apo të vazhdojmë të funksionojmë si më parë,me politikë të vakët dhe pa vizion? Sepse nëse vazhdojmë kështu, të rinjtë nuk do të shohin më të ardhme këtu,sytë e tyre do të jenë gjithmonë drejt mërgimit.
Bota po ndryshon,integrimet po ndodhin dhe zhvillimi nuk pret. Nëse nuk e zhvillojmë vetë vendin tonë, të tjerët do të na shohin si të pazhvilluar dhe gjithmonë do të jemi në shënjestër. Sado të përpiqemi t’u rezistojmë ndryshimeve, kjo është vetëm një iluzion i përkohshëm. Prandaj,sa nuk është vonë,le të përgatitemi për të dalë në detin e hapur;le të ndërtojmë “anijen” tonë dhe të jemi të zotët ta lundrojmë vetë,në vend që të presim që dikush tjetër të na shpëtojë.
Qershor,2025