Nga Ali Salaj
Gjatë periudhës së pluralizmit, shqiptarët në Malin e Zi në vazhdimësi e kanë rikujtuar Masakrën e Tivarit përmes formave të organizimeve të ndryshme me qëllim që të reflektohet ndaj një ngjarjeje të dhimbshme kombëtare. Edhe këtë vit, 81 vjetori i tragjedisë u përkujtua në Tivar, por kësaj here me një konotacion të dyshimtë, që tërthorazi kishte për qëllim të devijonte historinë dhe mundësisht të përpunonte një narrativë të re për këtë ngjarje tragjike.
Kryetari i Këshillit Boshnjak në Malin e Zi, Sulo Mustafiq, i cili çuditërisht ishte bashkëorganizator i simpoziumit me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, në fjalën hyrëse paraqiti një realitet të ri, ku konteksti i ligjëratës së tij e ndryshon kuptimin historik të ngjarjes. Ai mes tjerash tha se në Masakrën e Tivarit kishte “një numër boshnjakësh dhe të disa kombësive tjera…”Kjo narrativë e Mustafiqit është në kundërshtim me pikëpamjen logjike dhe formale pasi dihet se pas viteve 1990 dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, termi “boshnjak” nisi të përdorej dhe u standardizua për të përshkruar kombin/etninë boshnjake, kryesisht myslimane në Bosnjë e Hercegovinë. Kjo etni nuk ishte e pranishme në Kosovën e asaj kohe dhe përfshirja e tyre në Masakrën e Tivarit është një fabrikim politik për qëllime të caktuara dhe për manipulim të identitetit. Për ta bërë sa më të besueshme mekanizmin veprues të gënjeshtrës, simpoziumi nis me disa rite fetare islame, që është e pakuptueshme për një manifestim autentik shqiptar. Kësaj narrative i bashkohet edhe Aleksandar Sasha Zekoviq, aktivist për të Drejtat e Njeriut në Malin e Zi, ku media malazeze CDM (Cafe del Montenegro) i referohet vlerësimit të tij se në Masakren e Tivarit “shumica ishin shqiptarë, megjithëse midis viktimave kishte rreth 40 serbë”! Kjo qasje e re ka për qëllim ti paraqitet faktorit ndërkombëtar se Masakra e Tivarit nuk është bërë vetëm ndaj një etnie, siç janë shqiptarët, por edhe ndaj popujve tjerë, duke lansuar kështu një histori të re për këtë ngjarje. Kjo është e domosdoshme që të bëhet para se Mali i Zi të integrohet në Bashkimin Evropian dhe mundësisht të kamuflohen mohimet e krimeve të luftës në Malin e Zi. Kësisoji, simpoziumi i ashtuquajtur “ndërkombëtar” për herë të dytë i vrau shqiptarët, i vrau pasardhësit e viktimave dhe të parët e tyre. Është e pakuptueshme se si KKSH në Malin e Zi u ngjiz me Këshillin Boshnjak dhe prodhuan një hibrid të përçudshëm historik për Masakrën e Tivarit, që është një instrumentalizim i rrezikshëm me tendencë të erozionit të historisë dhe ngjarjes në fjalë.
Ndërkohë që ka qenë e pritshme dhe e domosdoshme që Këshilli Boshnjak dhe KKSH të organizonin një simpozium për Shaban Polluzhën dhe luftëtarët e tij, të cilët e shpëtuan popullatën e Sanxhakun nga masakra dhe gjenocidi i çetnikëve dhe partizanëve serbë. Polluzha dhe trimat e tij, në atë kohë, nuk mbrojtën muslimanët dhe boshnjakët e Sanxhakut, siç identifikohen sot, por mbrojtën shqiptarët më të denjë të fiseve Kelmend, Shkrel dhe Hot. Një simpozium i tillë do të ishte thirrje për kujtesë dhe drejtësi dhe jo për heshtje politike dhe identitare.

