
Ilustrim
Komuna e Ulqinit ka ndarë një publikim të ICP Office – Municipality of Ulcinj, ku mësohet se ka kontraktuar punimet për rregullimin dhe valorizimin e lokalitetit arkeologjik të Shasit, një nga pasuritë më të rëndësishme kulturore dhe historike të rajonit, shkruan Ulqini Online.
Punimet, të cilat do të zgjasin tre muaj, do të realizohen nga kompania MONTAL DSD nga Podgorica. Sipas projektit të paraparë, do të rregullohen gjithsej 12 shtigje për këmbësorë, me një gjatësi totale prej 2700 metrash, duke përmirësuar ndjeshëm qasjen dhe lëvizjen brenda këtij lokaliteti arkeologjik.
Po ashtu, projekti përfshin vendosjen e 45 stolave, 50 koshave për mbeturina si dhe 15 tabela informuese, të cilat do t’u shërbejnë vizitorëve për orientim dhe informim mbi rëndësinë historike të Shasit.
Punimet realizohen në kuadër të projektit ndërkombëtar GIFTSnet – Network for Green and Inclusive Fortified Tourism Solutions, që është pjesë e programit Interreg Kroacia – Bosnja dhe Hercegovina – Mali i Zi, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Objektivi kryesor i këtij projekti është valorizimi turistik i lokalitetit arkeologjik të Shasit, si dhe rritja e aksesueshmërisë për vizitorët, duke kontribuar në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Ulqinit.
