IBRAHIM RUGOVA:  NJË BURRË SHTETI NDRYSHE QË BËRI MIQ PËR KOMBIN SHQIPTAR

 

Urtësia e Ibrahim Rugovës dhe Trimëria e Adem Jasharit

 

Nga Frank Shkreli

Përshëndetje dhe falënderime organizatës pan-shqiptare VATRA për promovimin e librit të Z. Adnan Merovcit, “Në Hap me Rugovën”.

 

Përshëndetje të veçantë autorit për veprën e tij, një vepër e cila plotëson shumë boshllëqe në jetën dhe veprimtarinë e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës — nga përspektiva e një personi i cili ishte afër tij dhe me të, për pothuaj një dekadë.  Për këtë duhet të jeshë krenar, pasi siç thua edhe vet në libër, vërtetë ke shkruar “për një njeri me vlera dhe vepra monumentale”.

 

Për ata që nuk e kanë lexuar librin, aty ka të dhëna dhe informacione të pa ditura deri tani mbi jetën plot veprimtari të Presidentit të parë të Kosovës.    Për Ibrahim Rugovën janë shkruar një numër i madh librash si edhe mijëra artikuj në median shqiptare dhe në shtypin botëror, për rolin e tij në historinë moderne të shqiptarëve.  Por, libri i Adnan Merovcit e paraqet Ibrahim Rugovën në një dritë disi tjetër, pra edhe si njeri i thjeshtë – mbrenda dhe jashtë mjediseve të kancelarive botërore.

 

Njëkohësisht, Z. Merovci e paraqet Presidentin Rugova edhe si mik dhe shok me ‘të dhe me të tjerë, me shprehjet dhe me sifatet, me të qeshurat dhe seriozitetin e momenteve të caktuara, shpesh sfiduese por edhe në raste shoqërore e familjare.   Libri është një përmbledhje të dhënash e rrëfimesh autentike dhe pasqyrimesh të atyre që autori i cilëson si “rugovizma”.   Në librin prej pothuaj 500-faqesh, autori sjellë për lexuesin kujtimet e tija gjatë periudhës që ai punoi për Presidentin Rugova dhe me të, gjatë udhëtimeve dhe takimeve, me disa prej udhëheqësve më të lartë ndërkombëtarë, por edhe të botës shqiptare.  Lista është e gjatë, por autori sjellë për lexuesin dhe për studiuesin dokumentacion të dorës së parë nga takimet dhe deklaratat e Presidentit Rugova – të cilat për herë të parë shohin dritën e diellit.  Libri përfshinë gjithashtu një numër fotografishë historike, takimesh të Presidentit Rugova me personalitete dhe bashkbisedues të tij kombëtarë e ndërkombëtarë dhe përfundon me një radhitje dokumentacioni, komunikatash dhe letër këmbimesh të Presidentit Rugova, me persona të dalluar të politikës dhe me organizata të ndryshme mbrenda Kosovës.

 

Unë kam kam pasur privilegjin ta takoja, Dr. Rugovën më s’pari si njeri, si intelektual e shkrimtar, por mbi të gjitha si shqiptar, në shtëpinë time në Virginia, afër Washingtonit, tetorin e vitit 1989, në vizitën e tij të parë në Washington.

 

Dr. Ibrahim Rugova ishte ftuar së bashku me Prof. Dr. Engjell Sedaj nga Kisha Katolike shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Bronx, Nju Jork, për të marrë pjesë në seminarin kushtuar 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjeter Bogdanit, në Universitetin e njohur katolik, Fordham.  Besoj se Tonin Mirakaj, një protagonist kryesor i seminarit dhe ish-kryetari i Këshillit të Kishës është këtu sonte.   Ajo vizitë ishte gjithashtu edhe kontakti i parë i Rugovës me shqiptarët e Amerikës, për të cilët siç e tregoi edhe koha, Dr. Ibrahim Rugova mbetet edhe sot udhëheqsi më i dashur shqiptar jo vetëm i komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe i të gjitha trojeve shqiptare.

 

Në librin e tij, “Në hap me Rugovën”, Adnan Merovci ka shkruar se Ibrahim Rugova, “posedonte atribute profetike” që e dallonin nga të tjerët.  Për këtë unë isha bindur nga takimi i parë me ‘të.   Autori gjithashtu citon Dr. Rugovën t’i ketë thënë se, “Jemi popull i vogël, edhe lisat duhet t’i bëjmë për vete”.   Presidenti i ardhëshëm ishte i qartë se ai i konsideronte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si “lisin e madh” që duhej ta bëjmë për veten.  Gjithashtu pyetjes se si duhej vepruar për tu përballur me shtypjet brutale serbe që po shtoheshin gjithnjë kundër shqiptarëve në Kosovë, ai qe përgjigjur tetorin e vitit 1989 se, fillimisht duhej të ndërmirreshin urgjentisht dy gjëra si hapa të parë:   ndërkombtarizimi i çështjes së Kosovës dhe vendosja e një numri të konsiderueshëm forcash ushtarake të OKB-së ose të NATO-s në Kosovë, pikë kjo që më vonë, siç shkruan edhe Z. Merovci, kryesonte 10-pikat e planit veprues paraqitur bashkisë ndërkombëtare, për zgjidhjen e krizës në Kosovë.  Duket pra, se që në vizitën e parë në Shtetet e Bashkuara, Ibrahim Rugova, kishte menduar për masat dhe opcionet më të mira dhe më të efektshme fillestare për të zgjidhur të ardhmen afat gjatë të Kosovës.   Ai e konsideronte ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës si një mision personal.  Por, ai kurrë nuk u predikonte të tjerëve, ashtu siç shkruan edhe Z. Merovci, por i shpjegonte faktet me urtësi dhe pa zemërim. Rugova ishte i bindur fillimisht, se ndërkombtarizimi i çështjes së Kosovës ishte prioritet numër një, sepse mendonte se Serbia deri atëherë e kishte fituar luftën propagandistike kundër Kosovës me lajme të rrejshme, sepse “Ata dolën në pazar para neve”, ishte shprehur ai.  Me ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës i bërë realitet, pohon autori, Ibrahim Rugova, “Ishte çdoherë një hap para të tjerëve”.

 

Tashti, me ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, jo vetëm Kosova, por i mbarë kombi shqiptar kishte një zëdhënës dhe një udhëheqës ndryshe, në nivelin ndërkombëtar.  Kishte një zë të urtë, pa pretendime, që dëgjohej e respektohej nga të gjithë bashkbiseduesit ndërkombëtarë.   Siç është shprehur edhe ish presidenti amerikan Klinton, Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare nga pikëpamja historike dhe njerëzore.  Si askush tjetër, Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës bindshëm, përdhunimin historik të kombit shqiptar dhe si përfundim, bota me në fund, e dëgjoi.

 

Libri “Në Hap Me Rugovën”, ndër të tjera, sjellë një shënim në lidhje me takimin e parë të Ibrahim Rugovës me Presidentin Bill Klinton në manifestimin vjetor, “Prayer Breakfast” në Washington, shkurtin e vitit 1994, ku kishte marrë pjesë edhe Nëna Tereze.   Pas fjalimit të murgeshës shqiptare para mijëra përfaqsuesve nga mbarë bota, sipas autorit Merovci, “Nëna e Madhe Tereze iu drejtua Presidentit Klinton duke i thënë: ‘Ky (Rugova) është Presidenti i vendit tim.  Të lutem mbroje dhe shpëtoje popullin tim, që edhe ai të ketë paqe e demokraci.” Merovci shkruan se Presidenti Klinton, si reagim, e siguroi Nënë Terezën për ndihmën dhe angazhimin e tij për mbrojtjen e Kosovës.  Merovci shënon gjithashtu se pas ndërrimit jetë të murgeshës shqiptare dhe pas ndërhyrjes s NATO-s për çlirimin e Kosovës, Presidenti Klinton ka deklaruar para varrit të Nënë Terezës në Kalkutë: “Nënë, ndihem i çliruar në shpirt që me ndihmën e Zotit, e kreva amanetin tëndë. Tash populli yt po jeton i lirë dhe po ndërton demokracinë.”

 

Zoti o n’qiell. Amerika o n’tokë.”, kështu kujton autori fjalët e gjyshit të vet.  Këto janë fjalë shumë me vend të gjyshit të Adnanit. Kështu besonte edhe Ibrahim Rugova.  Prandaj, nëqoftse do të kisha ndonjë vërejtje në lidhje me librin, është besimi im se lidhjet e Presidentit Rugova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan, besoj se duhej të kishin zenë një vend më të spikatshëm.

 

Rugova vet i konsideronte lidhjet me Amerikën dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan si tepër të veçanta, ndërsa, përfaqsuesit më të lartë politikë të këtij vendi e kanë konsideruar Rugovën si një mik të madh të Amerikës.   Në letrën dërguar familjes dhe popullit të Kosovës, me rastin e vdekjes së Presidentit Rugova, Presidenti Xhorxh W Bush ka shprehur ndjenjat e të gjithë amerikanëve duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara, me vdekjen e Presidentit Rugova, humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës, për qendrimet e tija parimore kundër dhunës”.

 

Me cilin udhëheqës tjetër të 100-viteve të kaluar, përfshirë politikanët aktualë, mund të krenohen shqiptarët.  Rugova jo vetëm që e deklaroi, por i vuri themelet e miqësisë së përherëshme midis Shteteve të Bashkuara e Kosovës.

 

Unë mund të jem i njëanshëm përsa i përket Ibrahim Rugovës, por megjithkëtë do të ndajë me ju disa mendime ose komente, bazuar në njohurinë time me të këtë burrë shteti shqiptar.  Ibrahim Rugova, pa dashur të ofendoj askënd, ruante një krenari atdhedashurie si asnjë udhëheqës tjetër shqiptar i kohërave moderne.  Ish-Presidenti i Kosovës, me bashk-biseduesit e tij, shqiptarë apo ndërkombëtarë, ofronte gjithmonë urtësinë, miqësinë e qëndresën, që gjatë shekujve kanë përberë vlerat e qenjës shqiptare — së bashku me besën, nderin e burrëninë.   Presidenti Rugova besonte se bota, sidomos ajo perëndimore, do të kishte respekt më të madh për shqiptarët nëqoftse do t’u përmbaheshin këtyre vlerave bazë të identitetit arbënor. I frymëzuar nga këto virtyte, ai me durim, guxim e besim – fillojë të rivendosë para botës, dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, të nepërkambur për më shumë se 50 vjetë nga një ideologji sllavo-komuniste anti-perëndimore, krejt e huaj për kulturën shqiptare.

 

E respektova Ibrahim Rugovën për bindjen e tij se komunizmi ishte rreziku më i madh që i ka ndodhur kombit shqiptar në shekullin e 20-të, si dhe për faktin se besonte që kombi shqiptar, në liri e demokraci, duhej të ndërtonte bazat e ekzistencës së tij dhe të shtetformimit – jo mbi një ideologji të huaj sllavo-komuniste ose trashëgiminë e saj — por mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të kombit.

 

Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor perëndimor plotë urtësi, të gërshetuar me traditat dhe vlerat më të mira të kombit shqiptar.  Megjithëse shumë e kanë kritikuar dhe e kritikojnë gjithnjë se ishte tepër paqësor për kohën që jetoi, Ibrahim Rugova ishte i vetdijshëm se trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për t’u përdour në mbrojtje të interesave të kombit, por ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e të drejtës dhe interesave kombëtare dëshmohet gjithashtu edhe duke i ruajtur nderin emrit shqiptar.

 

Një gjë tjetër që e dallonte Presidentin Rugova.  Ashtu siç ve në dukje edhe autori i librit, “Në hap me Rugovën” —   Rugova fliste pak, por jehona e mesazhi i të tij për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve u dëgjua anë e mbanë botës.  Siç citohet në libër edhe ish-Presidenti amerikan Bill Klinton, “Nuk kishte avokat që të shpjegonte më mirë hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tija, se Ibrahim Rugova”.

 

Sikur do t’i referohet aktualitetit politik shqiptar, autori ka një kapitull në libër me pyetjen, “Kush do ta kishte zëvendësuar Rugovën?  Është një pyetje hipotetike, natyrisht e vështirë për t’iu përgjigjur.  Por, për një gjë jemi të sigurt.

 

Sot, megjithëse e lirë dhe e pavarur, Kosova por edhe Shqipëria, me mbi 100-vjetë pavarësi, ndoshta më shumë se kurdoherë tjetër në histori, kanë nevojë për urtësi e fuqi mendore rugoviane, për “rugovizëm” pra, siç shprehet Z. Merovci në librin e tij dhe për frymëzim të vazhdueshëm, për të parë ditë më të mira për Kosovën dhe për mbarë kombin shqiptar.  Duke marrë parasyshë situatën aktuale politike në trojet shqiptare, jam i bindur se Ibrahim Rugova në urtësinë e tij dalluese, do të lëshonte sot kushtrimin e arsyes për bashkim: “Ulni burra të pajtojmë vendin!” do të thoshte. Ai citohet të ketë thënë në mbledhjen e parë të LDK-ës se, “Ne kemi forcën morale të popullit e cila çmohet në botë.  Ne jemi në gjëndje okupimi, por jemi solidarë në mes vete, falë edhe mërgimtarëve tanë në botën e jashtme.”

 

Në gjëndje okupimi të Kosovës pra, Rugova predikonte solidaritet midis shqiptarëve.  Çka i pengon sot udhëheqsit shqiptarë, në liri dhe demokraci, që të jenë solidarë me njëri tjetrin për zgjidhjen e mosmarrveshjeve politike midis tyre?

 

Në këtë moment të historisë, i lutemi Zotit që udhëheqsit politikë në Kosovë, Shqipëri  dhe kudo, në frymë “rugovizmi” të ngrihen mbi interesat personale, politike dhe partiake dhe në solidaritet me njëri tjetrin,  të bashkpunojnë si vëllai me vëlla, për të konsoliduar arritjet e deritanishme dhe për të shënuar fitore të mëtejshme historike në interes të shqiptarëve, për avancimin e lirisë dhe demokracisë së vërtetë anë e mbanë trojeve shqiptare — Në Hap Me Rugovën — dhe në miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

U kërkoj ndjesë se u zgjata më shumë se ç’kisha në mend, por dua të siguroj Z. Merovci se unë i bashkohem ofshamës së tij në fund të librit, se me:

 

Ibrahim Rugovën nuk do të ngopemi së njohuri.

Adem Jasharin përjetësisht do ta ndiejmë.

Rugova e Ademi simbolizojnë baraspeshën e shekullit të kaluar, jo vetëm të shqiptarisë.

Urtësia, e jo butësia e RUGOVËS dhe trimëria, e jo azgania e ADEMIT, janë bazamentet e dy figurave shqiptare që lëkundën parashikimet e shekullit të 20-të.

Historia shqiptare për urtësi e mençuri dhe për trimëri e heroizëm, përfundon me Rugovën e Ademin.

 

Njëri Historik.

Tjetri Legjendar.

Njëri Kryetar.

Tjetri Komandant.

Të dytë – monumentalë.

Sot, Kosovës i duhet një shtetforcues, reformator.

Cili është ky?

 

I nderuar Adnan, unë nuk mund t’i përgjigjem pyetjes tënde sepse nuk shoh askënd në horizontin politik shqiptar me Urtësinë e Ibrahim Rugovës dhe as me Trimërinë e Adem Jasharit.  Ibrahim Rugova — siç tha edhe Ramush Haradinaj në një intervistë disa ditë më parë, pas lirimit të tij në Francë — ishte burrë tjetër!  Ibrahim Rugova, gjithmonë optimist, edhe në situata të vështira i drejtohej një fuqie më të madhe edhe atëherë kur të gjitha shpresat dukeshin se ishin zhdukur, ndërsa shprehej: Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët, në miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

 

Urime Adnan, për librin “Në Hap me Rugovën”.  Na ke sjellë të dhëna dhe njohuri të reja jo vetëm për personin dhe veprimtarinë e Ibrahim Rugovës, duke i dhënë edhe një kontribut të çmueshëm historisë kombëtare të shqiptarëve.

 

Frank Shkreli

 

New York, 7 Maj, 20017

By admini