binak-aliaKreu i Shtetit vlerëson luftëtarë e atdhetarë të shquar të qëndresës dhe çështjes kombëtare shqiptare

TIRANË : Më 20 prill 2016 në Tiranë, me një ceremoni solemne, të mbajtur në Institucionin e Presidentit të Republikës, Kreu i Shtetit, Sh.T.Z. Bujar Nishani vlerësoi, sot disa prej figurave më të shquara të Malësisë së Gjakovës e të trojeve të tjera shqiptare, atdhetarë e prijës aktivë me ndikim të madh në qëndresën kombëtare dhe çështjen shqiptare.

Në këtë ceremoni ku ishin të pranishëm Ambasadori i Kosovës Ramiz Lladrovci, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, familjarë dhe personalitete nga Kosova dhe viset e tjera të banuara nga shqiptarët në rajon, Presidenti Nishani nderoi Binak Alinë (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin “Në vlerësim të figurës së tij të shquar si prijës popullor i kryengritjeve anti-osmane të Malësisë së Gjakovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, në vitet 1840-1880, atdhetar e përfaqësues i Malësisë së Gjakovës në Lidhjen e Prizrenit, si dhe për rolin e çmuar si pleqnar i mençur, ndërmjetës e pajtues i shumë gjaqeve e mosmarrëveshjeve në gjithë Veriun e vendit dhe Kosovë” si dhe Ali Ibër Nezaj (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: “Në vlerësim të figurës së tij të shquar si atdhetar e prijës aktiv me ndikim të madh në qëndresën kombëtare shqiptare të fundit të shekullit XIX, si një nga figurat qendrore të Lidhjes së Prizrenit, përfaqësues i denjë i malësorëve të Krasniqes dhe mbarë Malësisë së Gjakovës”.

Gjithashtu në këtë veprimtari vlerësimi dhe nderimi historik, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi Kryetarin e parë shqiptar të Ulqinit, Cafo Beg-Ulqinin (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin “Në nderim të figurës së tij të respektuar, të atdhetarizmit e veprimtarisë së tij politike dhe patriotike, si Kryetar i Parë Shqiptar i Bashkisë së Ulqinit për dy dekada në mes të dy luftërave botërore, si dhe deputet i Ulqinit në Parlamentin e Shqipërisë, para Luftës së Dytë Botërore, frymëzim për kombëtarizim dhe atdhedashuri”; Isa Demajn (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” “Në vlerësim të veprimtarisë së tij të shquar si një nga organizatorët dhe prijësit e demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, në kërkim të lirisë, përdorimit të Flamurit Kombëtar dhe gjuhës shqipe në administratë, themelimit të universitetit, për Kosovën Republikë dhe vetëvendosje për shqiptarët në territoret e tyre në ish- Jugosllavi”; si dhe Mexhid Mehmetin me Titullin “Naim Frashëri” “Në vlerësim të figurës së tij të shquar si një mësimdhënës, poet, prozator e gazetar që, me personalitetin e veprën e tij, ka frymëzuar e frymëzon brezat e rinj jo vetëm në Luginën e Preshevës, por dhe në mbarë trojet shqiptare”.

Ndërkohë, me këtë rast veprimtari e biznesmeni i shquar Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York, njohës dhe i afërt me familjen e Binak Alisë, zoti Harry Bajraktari, enkas me këtë rast, ka shkruar për dhënjen e këtij titulli të lartë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Bujar Nishani.

“Binak Alisë ju dha titulli : Kalorësi i Urdhërit të Skëndërbeut”

Në rezidencën e tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, sot në Tiranë dekoroi Binak Alinë me titullin ” Kaloresi i Urdhërit të Skenderbeut”, pas vdekjes.

“Në vlerësim të figurës së tij të shquar si prijës popullore te kryengritjeve antiosmane të Malësisë së Gjakovës dhe Rrafshit të Dukagjinit në vitet 1840- 1880, atdhetar e përfaqësues i Malësisë së Gjakovës në Lidhjen e Prizrenit, si dhe për rolin e çmuar si pleqnar i mençur, ndërmjetës e pajtues i shumë gjaqeve e mosmarrëveshejeve në gjithë Veriun e vendtit dhe Kosovë”, thuhet në tekstin e mirënjohjes.

Binak Alia njihet për veprimtarinë e tij në Malësinë e Gjakovës, në Kosovë dhe përgjithësisht në Shqipërinë e Veriut, si aktivist politik e juridik, pjesëmarrës në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit dhe në shumë kuvende të tjera, ku janë marrë vendime të rëndësishme lidhur me fatin e shqiptarëve. Zgjuarësia dhe mendjemprehtësia e tij natyrore do ta vendosin në krye të një epoke dhe në krye të kuvendit, duke pasur parasysh suksesin e tij në fushën e drejtësisë zakonore dhe si udhëheqës e organizator i shumë kryengritjeve kundër ushtrive Osmane. Ishte në krye të Kuvendit të Junikut, ku lëshoi thirrjen historike për pajtim mes shqiptarëve para se të fillonin kryengritjet e mëdha kundër Perandorisë Osmane.

Binak Alia njohu mirë mentalitetin e njerëzve dhe karakterin e fiseve karshi njëri- tjetrit dhe kur hynte një “gjykatore”, nuk dilte pa e përfunduar paqjen. Ky burrë i Bujanit të fisit Krasniqe të Malësisë së Gjakovës, personifikonte shpresën e madhe të këtyre njerëzve të ndrydhur me shekuj nga ushtria osmane dhe ushtritë e tjera pushtuese.

Familja e Binak Alisë, që do të marrë mbiemrin Mulosmanaj, nga i dyti i tyre Ali Mula, ka një histori përplot luftëra të zhvilluara në periudha të ndryshme për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Mulosmanajt që përbëjnë një familje të madhe atdhetare nga Fangu i Malësisë së Gjakovës, me një strukturë tradicionale, luftuan trimërisht kundër Perandorisë Osmane para Lidhjes së Prizrenit, më 1845, 1862,  pas Lidhjes më 1881, 1910 dhe në betejat përfundimtare më 1912, kur Shqipëria fitoi Pavarësinë, kundërshtoi me kryengritje të armatosur hegjemonizmin serb e malazez ndaj territoreve shqiptare, fashizmin, nacizmin dhe së fundmi komunizmin, duke rënë në fushëbetejë shumë personalitete të kësaj dere të madhe të Mulosmanajve- të fisit Krasniqe. Karakteri, trimëria, humanizmi, veprimi dhe tradita e saj ka bërë që shumë figura (Binak Alia, Shaban Binaku, Mic Sokoli, Ali Binaku, Zeqir Halili…), me veprat e tyre madhore kombëtare ta ngrisin famën në një vlerë të fiqishme kombëtare. Gjyshi i Musli Mulosmanajt, Shaban Binaku për veprimtarinë e tij kombëtare në vitin1910 u var në litar në Gjakovë nga xhonturqit së bashku me Avdullah Hoxhën. Rrallë mund ta gjesh një familje me kaq figura nga një trung që aq gjatë e me aq guxim t’ i ketë kundërshtuar armiqtë e shumtë të Shqipërisë.

Dekorimi i Binak Alisë nga presidenti Nishani, për këtë figurë historike, është edhe një mirënjohje, një respekt për gjithë atë që ai bëri për çështjen kombëtare, për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, për gjithë ato familje të gjaksuara dhe dhe për pajtimin e atyre që ndodheshin në  konflikt në mes veti.

Me rastin e dekorimit të Binak Alisë, Musli Mulosmanajt, i cili në emër të familjes e mori këtë dekoratë të lartë nga presidenti Nishani, i uroj shumë sukses si atij ashtu edhe familjes Mulosmanaj në SHBA dhe në Fanga të Bujanit.

Musli Mulosmanaj është prijësi dhe trashëgimtari më i njohur sot i familjes së Binak Alisë, një burrë i përkushtuar pas Shqipërisë etnike dhe Monarkisë Mbretërore, i cili me dashuri të jashtëzakonshme kultivon traditat, ndjenjën dhe virtytin e të parëve të tij. Musli Mulosmanaj është djali i madh i Çelë Shabanit, stërnip i Binak Alisë e nip i Shaban Binakut, oratorit më të njohur të kuvendeve kombëtare për lirinë e Shqipërisë.

Musli Mulosmanaj njihet si antisllav e antikomunist. Në New York ka mbajtur kontakte me të gjitha organizatat nacionaliste që ideal dhe përkushtim kishin bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët demokratik.

Së bashku me Hysen, Can dhe Abedin Mulosmanaj, iu bashkuan Organizatës Kombëtare, Lëvizja e Legalitetit (OKLL).

Në vitin 1986 mori detyrën e kryetarit të Degës së Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit për New York dhe New Jersey, që ishte një ndër degët më të mëdha në botën e lirë shqiptare. Ka qenë për 23 vjet anëtar i “Vatrës” në New York.

Është i lidhur shumë me Kosovën. Atje kaloi 17 vjet.  Ka përcjellë të gjitha ngjarjet dhe ka kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e saj.  Mori pjesë në të gjitha protestat dhe demonstratat që u organizuan në New York dhe Washington kundër politikës hegjemoniste serbe dhe kundër diktaturës së E. Hoxhës në Shqipëri.

Harry Bajraktari
New York
20 Prill, 2016

* Autori është veprimtar e biznesmen i shquar shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.

By admini