Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi (KKSH) ka reaguar ashpër ndaj një rasti të ndodhur në komunën e Ulqinit, ku një qytetar shqiptar është marrë në pyetje nga policia për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar në hapësirat e pronës së tij private, transmeton Ulqini Online.

Në kumtesën për opinion, KKSH bën të ditur se ka pasur qasje direkte në procesverbalin zyrtar të këtij rasti dhe e cilëson veprimin e policisë si shkelje të qartë të Ligjit për Simbolet Kombëtare si dhe Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike të Malit të Zi. Sipas dokumentit të policisë, flamuri shqiptar ishte përshkruar si “flamur i një shteti tjetër” – një interpretim që KKSH e konsideron të pasaktë dhe të pabazuar në ligj.

“Flamuri për të cilin bëhet fjalë nuk është simbol i një shteti tjetër, por është flamuri kombëtar i shqiptarëve në Mal të Zi, i cili është zyrtarisht i pranuar nga Qeveria e Malit të Zi që nga data 24 shtator 2020”, thuhet në deklaratë.

Këshilli rikujton se dokumenti “Etaloni i stemës, flamurit, himnit dhe festës kombëtare të popullit shqiptar në Mal të Zi” është dorëzuar dhe arkivuar zyrtarisht në Kuvendin e Malit të Zi më 23 mars 2021, siç parashihet me ligjin për simbolet e pakicave kombëtare. Gjithashtu, neni 4 i Ligjit për Simbolet Kombëtare u njeh këshillave të pakicave të drejtën për të përcaktuar simbolet e tyre, ndërsa neni 23 i Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike thekson se shpalosja e simboleve të një shteti tjetër nuk përbën shkelje, nëse ato janë simbole të një pakice kombëtare.

Duke qenë se ngjarja ndodh në prag të festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, KKSH kërkon nga institucionet përkatëse që të ndalin çdo formë presioni mbi qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të shprehin identitetin dhe krenarinë e tyre kombëtare përmes simboleve kombëtare.

“Respektimi i ligjit dhe i të drejtave të fituara të pakicave nuk duhet të jetë i diskutueshëm, sidomos në një shoqëri që aspiron vlerat demokratike dhe bashkëjetesën ndëretnike”, thuhet ndër të tjera në reagimin e firmosur nga kryetari i KKSH-së, Faik Nika.

Në përfundim, Këshilli njofton se i ka drejtuar një shkresë zyrtare institucioneve shtetërore përgjegjëse, duke kërkuar masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të pakicës shqiptare në Mal të Zi.

By admini