Stina-e-me-te-vegjelve-vera(Diell, Det, Diarre, Dehidrim)

Shkruan Dr Argëzon Sulejmani

Muajt e verës për shumë arsye përbëjnë data dhe kujtime të veçanta në fëmijërinë e secilit. Fëmijët e të sotmes gjatë këtyre muajve do të krijojnë fabulat e tyre prej pushimeve, njohjeve të reja, argëtimit me familjen, etj. Kryefjalë e kësaj stine padyshim është Dielli. Por, fëmijet e të gjitha kohëve, bashkohen në një tjetër –D- që ndërlidhet me këtë stinë. Është Deti. Më pas vinë Diarretë(barkqitjet). Vijohet me Dehidrimin(Çlëngëzimin).

Diarrea nënkupton praninë e tri apo më shumë jashtëqitjeve të lëngshme përgjatë një dite. Kjo gjendje shoqërohet gjithnjë edhe me simptomë të tjerë, siç: anoreksi(mungesë oreksi), të vjella, dhëmbje barku dhe febrilitet(zjarrmi).
Paraqitja e ketyre simptomëve tek më të vegjlit gjithnjë percillet me dinamikë të paparashikuar. Kjo, për faktin se kemi të bëjmë me organizma në formësim e sipër, me një imunitet ende të pa konsoliduar, me prani përqindjeje shumë të lartë lëngore si dhe pamundësi kontakti verbal.

Vera, stina -D- e fëmijëve. Diell e Det. Jo rrallëherë: Diarre e Dehidrim.

Shkaktarët më të shpeshtë drejt këtyre simptomatologjive barten përmes:
– kontaktit direkt(me të sëmurin),
– mungesës së higjienës,
– ushqimin e kontaminuar.

Llogaritet, që:
– 70% të diarreve mirren përsiper nga virusët stinorë (Rotavirus, Norovirus, Adenovirus, Astrovirus, Enterovirus),
– 10-20% nga bakteret (Campylobacter Jejuni, Salmonella, Shigella, E. Coli, Clostridium Difficile, Vibrio Cholerae),
– kurse rreth 5-10% nga protozoarët.

Sipas statistikave, llogaritet që në vitin e parë të fëmijërive dominojnë në masë të madhe viruset, nga mosha 1-4 vjeçare edhe më tej vazhdojnë zotërimin të zënë më pas edhe nga bakteret, kurse në moshat më të mëdha se 5 vjeç terreni vërshohet kryesisht prej baktereve.

Një numër të konsiderueshëm të diarreve verore e shkaktojnë edhe intoksikimet alimentare(helmimet) që rrugëtojne deri në stomakun e me të vegjëlve përmes ushqimit të kontaminuar(helmatisur) me enterotoksina(lëndë e helmët për zorrët) të tajuara nga bakteret e tipit Stafilokok aureus, Clostridium perfrigens, Bacilus cereus, etj.

Karakteristikë e diarreve akute është: inkubacioni i shpejtë, paraqitja e përnjëhershme e simptomëve si dhe shërimi pas 10-12 ditëve(më së largu dy javëve). Inkubacioni i shkaktarëve më të shpeshtë: Rotaviruset 1-3 ditë, Salmonela 1.5-1 ditë, Shigella 1-4 ditë, Gardia lamblia 7-14 ditë.
Me këtë edhe dallohen nga intoksikimet alimentare(helmimet prej ushqimit), të cilat kanë periudhë të shpejtë latente(30min-10orë), simptomë të nxituar klinik(rreth 1 ditë), me mungesë febriliteti.

Pasojë evidente e diarreve, kryesisht sezonale, është dehidrimi(çlëngëzimi). Duke ditur që organizmat përbëhen në masë të madhe nga lëngjet(veçanarisht uji), kurse ato më të vegjlit sasijisht absolute nga to, mirret me mend se sa vulnerable është zvogëlimi i lëngjëve trupore. Varësisht nga shkalla e çlëngëzimit, dehidrimi kalkulohet në tri shkallë:
– i lehtë(kur kemi të bëjmë me humbje peshe, që është me e vogël se 5% e tërësisë),
– i mesëm(humbje kilogramësh 5-10% nga pesha e normales),
– i rëndë(në rastet me rënje të peshës trupore mbi 10%).
Veç kësaj, të mundshme janë edhe komplikimet edhe të mëtejme, si: malnutricioni(nënushqyeshmëria), konvulzionet febrile(shtangjet prej zjarrmisë), bakteremia(depërtimi i shkaktarit diarreal deri në gjak).

Në kushte shtëpie është me rëndësi që të përcillet me kujdes gjendja e përgjithshme e fëmijes, të përcaktohet me përafri shkalla e dehidrimit(në format e lehta, mund të bëni trajtim shtëpiak) si dhe të kihet informacion bazik mbi rehidrimin e më të vegjëlve.
Në treg mund të gjeni zgjidhje për rilëngezimin e organizmit përmes formave që treten në ujë(ORS, Rehidran, Elektrolit plus, etj) dhe që jepen përmes gojës në sasi te vogla(me lugë), me pauza disaminutëshe ndërmjet këtyre dozave. Si terapi përkrahëse mirren edhe Probiotikët dhe Simbiotikët, me perdorim të njëhershëm në ditë. Antipirretikët(kundërzjarrmikët) jepen veç në rastet kur simptomet janë evidente dhe të faktuara, në doza adekuate për moshën dhe peshën e fëmijës.

Dieta ushqimore është një tjetër temë me rëndësi thelbësore në rehidrimin e të dehidruarit. Në rastet më të rënda preferohet një pushim prej 2-3 orësh në dhënjen e ushqimit, kurse në ato më të lehtët sipas studimeve të fundit nuk parapreferohet ndërrim regjimi i të ushqyerit. Preferohen ushqimet e a.q. ‘të thata, ose thekura’: keks, tost, banane, molle, uje; me pas oriz i zier, zarzavate të ziera, patate të ziera, jogurt; më tutje supa të pulës e të ngjashme, derisa me konsolidimin e organizmit rikthehet për më tej regjimi ushqimor i përditshëm.

Përdorimi i antibiotikëve në trajtimin e dehidrimeve akute gjithnjë e më pak gjen zbatim kohëve të fundit. Për këtë, vetiniciativa prindërore nuk është e arsyeshme në këtë drejtim. Për kycjen e materjeve të tilla farmakologjike gjithnjë duhet konsultuar mjeku pediatër i fëmijës tuaj. Ai do të vlerësojë nëse rasti konkret, e ka apo jo të nevojshme terapinë me antimikrobikë. Thuhet që, përdorimi i tyre arsyetohet veç në moshat e vogla me simptomatologji vulgare, tek të sëmurit kronik, rastet me komplikime, tek izolimi i shkaktarit(mikrobik) të saktë nga strishotë përkatëse.

Ajo që duhet të dini është, se:
– dehidrimi nga diarretë verore është një simptomë bashkangjitëse,
– është plotësisht e shërueshme dhe nuk lë pasoja,
– kërkon durim dhe njohuri bazike,
– rehidrimi oral përbën një gjetje spektakolare,
– përqindja më e madhe e rasteve trajtohen me format shtëpiake apo ambulantore,
– një përqindje shumë e vogël e rasteve kërkon trajtim spitalor.

Pra, nuk ka arsye që stinës tuaj të ja mohoni D-elikatesën nga frika e D-iarreve e D-ehidrimit. (Për)jetoni me D-etin dhe D-iellin.

Stina-e-me-te-vegjelve-vera

By admini