Shtresimet historiko-legjendare lidhur me Krajën e Sipërme (1)

Prof. Dr. Bahri Brisku
Duke u nisur nga tematika që është marrë në shqyrtim lidhur me rajonin e tërësishëm të Krajës, të dhënat arkivore, gjuhësore, etnografike hapin horizonte gjithëpërfshirëse dhe të palëkundshme që ky rajon malor, në çdo aspekt bënte një jetë arbërore. Kjo popullatë në këto lugje të kthetrave të Rumisë, me një moral të lartë, nëpër shekuj, ruajti shpirtin e tipareve të etnogjenezës të kombit, qoftë në gjuhë, në veshje, në krijimet gjeniale folklorike dhe në kultivimin e monumenteve arkeologjike.
Është tërësisht i njohur fakti që me ish pushtetarët e fqinjëve vazhdimisht marrëdhëniet kanë qenë të ngarkuara me armiqësi. Pjesa e sipërme e Krajës – Shestani ka qenë i rrezikuar nga synimet e pandërprera të shkombëtarizimit. Siç është evidentuar nëpër anale historike, në hapësirat etnike shqiptare në Mal të Zi ekzistojnë zona të tëra të cilat tërësisht janë qëruar nga gjuha, tradita dhe kultura kombëtare shqiptare. Pra, në Piper, Kuç, Spuzhë, në Bjellopavliq (Palëbardhit) tërësisht është kryer denacionalizimi i shqiptarëve të atjeshëm.
Është për t’ju gëzuar faktit që përkundër aplikimit të metodave decionalizuese nga ana e ish pushtetit malazias, Kraja e Sipërme ka shpëtuar nga ky rrezik. Në vazhdim lidhur me shtresimet historike nga aspekti gjuhësor që është një element i përfillshëm për të dëshmuar lashtësinë e banorëve të trevës ku jetojnë, çështja e tipareve të strukturës së të folmes së Shestanit prekshëm dëshmon lashtësinë shekullore të kranjanëve në shpatijet e këtyre bjeshkëve. Në historinë e gjuhësisë, çështja e formimit të një të folmeje gjuhësore lidhet me çështjen e historisë së formimit etnik. Fjalori, tiparet e strukturës sintaksore, thekset e zanoreve të të folmes aktuale të banorëve të kësaj pjese të Krajës janë të dhëna të qëndrueshme që kjo popullatë i takon periudhës shumë të lashtë historike.
Sipas studimeve të thella gjuhësore të shkencëtarëve të njohur të kësaj fushe, Eqrem Qabej, Jeriçek, Hahn, Shufflay etj., me anë të lashtësisë së gjuhës është vërtetuar autoktonia e vazhdimësisë së jetës iliro-shqiptare në hapësirat ekzistuese. Dijetari i shquar – albanologu gjerman Hahni, në bazë të metodave shkencore në lidhje me evoluimin e emërtimeve gjeografike, ka arritur që t’i asgjësojë tezat e dyshimta të disa dijetarëve duke aprovuar teorinë gjuhësore që shqiptarët janë popullatë etnike në rajonet ku ekzistojnë.
Faktori historiko gjuhësor i disa toponimeve si Rum-bi – Rumi, krah, krahinë – Krajë, Ulk – Ulqin, dele Dallmat dardhë – Dardahia, Dardanelja, u ka ndihmuar shkencëtarëve si Çabej, Hahni, Shuflay, plejadës së rilindasve etj., që të sheshojnë tezën reale të prejardhjes të shqiptarëve si vazhduesit gjenetikë të ilirëve.
Siç është e ditur, disa fshatra të Shestanit gjenden të vendosur pranë Liqenit të Shkodrës. Ky faktor natyror iu ka imponuar që të merren me lundrim dhe peshkim. Një pjesë e këtyre banorëve janë marrë edhe me ndërtimin e mjeteve të lundrimit. Është me peshë të veçantë për shkencat e albanologjisë që kjo kategori personash që janë marrë me lundrim, peshkim dhe me ndërtimin e mjeteve të lundrimit, kanë krijuar terminologjinë autoktone shqiptare. Lidhur me këtë çështje gjuhësore disa pseudoshkencëtarë kanë hedhur teza që neve na mungon terminologjia e lundrimeve dhe e peshkimit. Opsion i qartë i tyre ishte që gjoja shqiptarët nuk na paskan jetuar në këto rajone sepse na mungonka kjo terminologji.
Supozimeve të tilla iu kundërvihet terminologjia e gjerë e bregliqenasve të Krajës së Sipërme, e cila jo vetëm që është parasllave, por edhe kryekëput shqiptare, si: pjesët e mjeteve të lundrimit: lopata, brinja, pipël, papël, lundër – lundrim, dru – dërrasë, ndenjëse etj. Pastaj emërtimet e peshëve: gjunës, ngjalë, bli (peshk), mrinë, luspë, shkumë, shkarpin, amë, floçkë, enë – anije, brenë, breshkë si çekërk, ferket – lundër e vogël, flok – vel i anijes, fustë – lloj lundre, korbë, gavu – sipërfaqe në mes të barinjve dhe korbëve, harap – një lloj veli, kallum – lidhja e brinjëve dhe korbave në fund të anijes, labe – anije e fisit labeat, macë – shtyllë horizontale që mban velin e barkës dhe terma të tjera me origjinë pararomake.
Fusha e gjerë e terminologjisë detare dhe lundruese që është pronë e peshkatarëve të bregliqenit në hapësirën e Krajës së Naltë janë dëshmi e patjetërsueshme e vazhdimësisë së jetës së këtushme albano-shqiptare. Gjithashtu të dhënat onomastike që i kemi evidentuar në këtë vështrim studimor, të cilat janë nxjerrë nga Defteri i studiuesit Selami Pulaha i shekullit XIV-XV në vitin 1974, si evidentim vjetor, qartas dëshmojnë për Krajën dhe Shestanin që ishin të banuar me albanë (shqiptarë) të besimit katolik. Rrethanat historike të asaj kohe shkaktuan që pjesa më e madhe e tyre të kalojnë në besimin islam, ndërsa një e treta e tyre u konvertuan në besimin ortodoks. Një pjesë e shqiptarëve arritën që ta ruajnë besimin e vjetër – katolik. Këtë gjë e bëri Kraja e Epërme – Shestani. Këta si edhe shqiptarët që kaluan në besimin islam së bashku arritën që të mbronin identitetin, gjuhën dhe traditat e lashta zakonore shqiptare. Pjesa e shqiptarëve e cila për shkaqe materiale dhe privilegjeve u islamizuan, asnjëherë nuk e identifikuan veten me pushtetin osman. Ata ruajtën traditat shqiptare. Kështu nuk vepruan ata shqiptarë të cilët prej besimit katolik kaluan në besimin ortodoks. Të tillët humbën gjuhën dhe zakonet shqiptare. Plotësisht u asimiluan në sllavë.
Banorët e Krajës së Poshtme të katundeve: Priftaj, Perashaj, Gjonashaj, Markashaj etj., deri te Gështenja, tërësisht patën kaluar në besimin islam, por në asnjë aspekt nuk e tretën identitetin shqiptar.
Toponimet me substratin ilir dhe tumat, gomilat, varret e tyre hedhin dritë të bollshme mbi ekzistencën tonë historike para romake. Sa i përket onomastikës historike shqiptare, në kohën e fundit studiuesja me prejardhje nga katundi Hutaj i Krajës, ka botuar një vepër studimore – Fshati në Sanxhakun e Shkodrës (në shekullin XV-XVI), Tiranë, 1990. Kjo bazohet në deshifrimet onomastike dhe demografike. Në këtë studim të Përparime Hutajt, sipas mbiemrit Hutaj te Krajës së Poshtme, ceken një seri emërtimesh të hapësirës së Krajës të cilët janë me origjinë shqiptare. Lidhur me mikro onomastikën e vendit, shihet që tërësisht ka qenë autoktone-shqiptare, por që në shtresimet e reja, nën trysninë e administratës sllave, janë bërë falsifikime.
Temë nga projekti “Fol, shkruaj dhe përdore gjuhën tënde, gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2025”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.
