Nga Nikë Gashaj, akademik
Me nocionin “mergimtarët” nënkuptohen bashkësitë e formuara në bazë të vendimeve individuale dhe familjare që braktisin vendlindjen e vet dhe shpërngulen e vendosen në një vend dhe shtet tjetër, shpesh herë duke a kthyer shpinën të afërmve të vet, prindërve, vëllezërve e motrave, kushërinjve e miqve e shokëve, trojeve të veta etnike, kulturës dhe kombit të vet. Ata këtë vendim e marrin për shkaqe ekonomike, përgjithësisht për arsye të varfëris familjarë, të papunësis, dhe më pak politike etj. Ata vendosin që të jetojnë në një mjedis tjetër, ku flitet një gjuhë tjetër, ku kultura dhe tradita e tyre kurrë nuk ka qenë e pranishme. Mirëpo, ata vetë e kanë zgjedhur këtë rrugë që ta ndërrojnë mjedisin kulturor dhe në pikën e fundit, kryesisht të asimilohen, ata apo pasardhësit e tyre, çka paraqet çështje shqetësuese për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar, në rend të parë të nacionalitetit shqiptar. Kështu ka ndodhur, edhe me një pjesë të shqiptarëve të Malit të Zi, që janë shpërngulur në vendet e Europës Perëndimore, Australi, SHBA dhe gjetiu.
Ndërkaq, është e domosdoshme që të bëhet dallimi ndërmjet dy grupeve të mergimtarëve: në ata që kanë të drejtë të bëhen nënshtetas të shtetit të ri dhe ata të cilëve nuk e kanë këtë të drejtë. Pikërisht, lënia pas dore e këtyre dallimeve është shkak i mosmarrëveshjeve të shumta, si në literaturën relevante ashtu edhe në debatet publike. Në kuptimin e parë përdoret termi mergimtarët, ndërsa për kategorinë e dytë përdoret “metikët“.
Kush janë mergimtarët?
Mergimëtarët janë persona të cilët janë vendosur në një shtet tjetër në pajtim me dispozitat e mergimit të atij vendi dhe të cilët kanë të drejtë për ta fituar nënshtetësinë, pas një periudhe relativisht të shkurtër (3-5 vjet), në dakordim me kushtet e tjera minimale të përcaktuara (p.sh.njohja e gjuhës zyrtare dhe njohja elementare e institucioneve politike dhe të historisë së vendit). Këto janë kushtet themelore për ta fituar nënshtetësinë e shteteve në të cilat janë më së tepërmi përqëndruar mërgimtarët: SHBA, Kanadaja dhe Australia.
Shikuar historikisht, raporti i mergimtarëve ndaj procesit të ndërtimit të kombit shumicë ka qenë i ndryshëm në krahasim me pakicat kombëtare. Për dallim prej pakicave kombëtare, “garat“ në ndërtimin e identitetit nacional nuk kanë qenë as të dëshirueshme, as të mundshme për mergimtarët në demokracitë perëndimore. Grupet merguese janë, parimisht, tepër të vogla dhe territorialisht të përçara dhe të thërrmuara për përpjekjen e rekonstruimit të kulturës së tyre burimore në shtetin e ri. Në vend të asaj, ata tradicionalisht pranojnë që të integrohen në kulturën e shumicës societale. Janë të rralla rastet që mergimtarët janë ankuar se njohja e gjuhës zyrtare është kusht për të fituar nënshtetësinë e shtetit të tyre të ri, apo që fëmijëve të tyre iu duhet të mësojnë gjuhën zyrtare në shkolla. Ata e kanë pranuar që perspektiva e tyre, e veçanërisht perspektiva e fëmijëve të tyre varet nga participimi i tyre në institucionet themelore sociale, ekonomike dhe politike (të cilat funksionojnë në gjuhën zyrtare të shtetit përkatës).
Demokracitë perëndimore dhe mergimtarët
Demokracitë perëndimore sot kanë më shumë se dy shekuj eksperiencë me mergimtarët dhe ka fare pak fakte që mergimtarët të cilët kanë të drejtë në fitimin e nënshtetësisë paraqesin ndonjë kërcënim për stabilitetin dhe kohezionin e shteteve të tyre të reja, në të cilat jetojnë. Në gishtërinj mund të numërohen shembujt e grupeve merguese, që kanë organizuar lëvizje separatiste ose parti nacionaliste, ose kanë përkrahur lëvizjet revolucionare për rrëzimin e qeverive demokratikisht të zgjedhura në shtetet përkatëse.
Në vend të kësaj, mergimtarët integrohen në sistemin politik, ekonomik dhe social të shtetit të tyre të ri. Këtu po cekim se në vendet me një vërshim të madh të mergimëtareve, si dhe në numrin më të madh të shteteve të tjera të Perëndimit, refugjatët që e kanë fituar azilin politik po ashtu e kanë statusin e mergimtarëve me të drejtë nënshtetësie.
Analizuar historikisht, qeveritë e Perëndimit nuk i kanë dalluar refugjatët nga mergimtarët ekonomikë, duke patur dhe drejtuar një raport politik, pak a shumë identike në lidhje me pranimin dhe asimilimin e tyre.
Mergimtarët nuk i kanë kundërshtuar aksionet e drejtuara për integrimin e tyre. Mirëpo, ajo nuk do të thotë, se ata nuk janë përpjekur që të bëjnë negociata mbi kushtet e integrimit. Debati aktual mbi “multikulturalizmin“ në vendet e mergimit paraqet në të vërtetë shqyrtimin mbi redefinimin e kushteve të integrimit. Mergimtarët kërkojnë një qasje më tolerante (“më multikulturore“) të integrimit, që do t’iu lejojë, madje, do t’i inkurajojë, për t’i ruajtur aspektet e ndryshme të trashëgimisë së tyre kombëtare, madje edhe pas integrimit të tyre në institucione të përbashkëta, ku përdoret gjuha zyrtare e shumicës.
Mergimtarët insistojnë mbi të drejtën e ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar, të kulturës dhe të zakoneve (kuzhina kombëtare, veshja, religjioni), si dhe për të drejtat të shoqërohen me qëllim të ruajtjes së identitetit të vet.
Synimet e tilla janë legjitime dhe nuk konsiderohen sipas teorive politike perëndimore “jopatriotike“, ose “antiamerikane“, ose “antiperëndimore“. Aq më tepër, institucionet shtetërore, mendojnë teoricienët perëndimorë, do të duhej t’u përshtateshin këtyre synimeve – p.sh.shkollat dhe institucionet e tjera publike punën e vet do të duhej t’ua përshtatnin festave religjioze të mergimtarëve, mënyrës së veshjes së tyre, kufizimit në ushqim etj.
Sigurimi i kushteve për realizimin e të drejtave të integrimit
Si përgjigjen demokracitë liberale në këto kërkesa për multikulturalizmin e mergimtarëve? Edhe këtu demokracitë liberale, shikuar historikisht, u kanë kundërshtuar kërkesave të tilla. Deri në vitet gjashtëdhjetë, shtetet kryesore të merguarit (SHBA, Kanadaja dhe Australia) e kanë zbatuar një politikë të asimilimit të plotë. Nga mergimtarët është pritur që të përvetësojnë normat dhe vlerat ekzistuese kulturore të shtetit ku jetojnë, çka gradualisht, në pikëpamje të të folurit, të veshjes, të shfrytëzimit të kohës së lirë, të mënyrës së ushqimit, në madhësinë familjare etj. Ata do t’i bëjnë të padalluar në krahasim me njerëzit e lindur në atdheun e tyre të ri.
Është konsideruar që një politikë e tillë do të sigurojë lojalitetin e tyre ndaj shtetit ku kanë vendosur të jetojnë dhe dotë garantojë që mergimtarët të bëhen anëtarë produktivë të shoqërisë.
Ndërkaq, në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar fillohet të shihet se politika e një asimilimi total është joreale, e papranueshme dhe e padrejtë. Ajo është joreale për arsye se, pavarësisht nga intensiteti i asimilimit, mergimtarët kurrë nuk e humbin identitetin e vet kombëtar dhe kulturor në terësi. Andaj, paraqitja e “veshit për shkrirje“ kurrë nuk e ka shprehur gjendjen e vërtetë; fakti se mergimtarët janë integruar në institucionet shoqërore dhe se e kanë mësuar gjuhen zyrtare të shtetit të ri, nuk do të thotë se ata me atë e kanë humbur identitetin e vet kombëtar dhe kulturor.
Politika e asimilimit është po ashtu e paarsyeshme, duke marrë parasysh se faktet tregojnë se mergimtarët, që e kanë ruajtur në mënyrë të dukshme identitetin kombëtar dhe kulturor mund të jenë anëtarë lojalë dhe produktivë të shoqërisë.
Integrimi i drejtë i mergimtareve në shtetin e ri
Definitivisht, politika e asimilimit është e padrejtë, sepse i diskriminon mergimtarët dhe e bën integrimin proces të dhunshëm. Sipas disa autorëve perëndimorë, kërkesa e mergimtarëve për modelin “multikulturor“ të integrimit është kërkesë e drejtë dhe me rëndësi për procesin e konstituimit të kombit shumicë. Në qoftëse demokracitë liberale kërkojnë nga mergimtarët që të integrohen në institucionet shoqërore ku përdoret gjuha zyrtare e shtetit, atëherë si detyrë e shumicës etnike është sigurimi i kushteve të të drejtave mergimtare të integrimit.
Sipas teorisë politike, integrimi i drejtë supozon ekzistimin e elementeve siç vijojnë:
(a) Duhet të shmanget integrimi “përkrye nate“, se ka të bëhet mbi një proces të komplikuar dhe afatgjatë, i cili kyçë gjenerata të shumta dhe të ndryshme. Plotësimi i kësaj kërkese supozon, ndër të tjera, që të jetë e mundshme që shërbimet e caktuara të bëhen në shumë gjuhë, si dhe përkrahjen e pushtetit shtetëror, atyre organizatave dhe grupeve brenda bashkësive mergimtare që ndihmojnë integrimin e mergimtareve në mjedisin e ri shoqëror.
(b) Është e domosdoshme të sigurohet që institucionet sociale, në të cilat mergimtarët integrohen mundësojnë dhe garantojnë një nivel të njëjtë të respektimit dhe njohjes së identitetit kombëtar dhe kulturor, sikurse edhe ndaj pjesëtarëve të kombit shumicë.
Kjo kërkon kontrollimin sistemor të institucioneve sociale, për ta vërtetuar se rregullat e tyre, organizimi i brendshëm dhe simbolet – a i diskriminojnë mergimtarët apo jo? Po ashtu, sipas teorisë politike, është e domosdoshme të kontrollohen programet shkollore për t’u vërtetuar se ato a i nxisin stereotipet mbi pakicat, ose e nënçmojnë kontributin e tyre historisë nacionale dhe botërore.
Këto janë masa të domosdoshme, se si mergimtareve do të iu ofrojnë kushte të drejta për integrim.
Politika e multikulturalizmit dhe mergimtarët
Politika e “multikulturalizmit” e qeverive të Australisë dhe Kanadasë, paraqet përpjekje që të definohen kushte të drejta dhe adekuate të integrimit. Kritikuesit e multikulturalizmit, ndërkaq, theksojnë se kërkesa e mergimtarëve për multikulturalizëm nuk do të thotë vetëm redefinim të kushteve të integrimit, por në thelb paraqet refuzimin e vetë idesë së integrimit, si dhe mospranimin e participimit në institucione të përbashkëta, që funksionojnë në gjuhën e shumicës etnike. Mirëpo, sipas teoricienëve demokratikë kjo nuk është e vërtetë. Para së gjithash, mergimtarët janë të vetëdijshëm se është në interesin e tyre – e në veçanti në interes të fëmijëve të tyre – që të integrohen në shoqërinë e re. Vetëm të integruar ata mund t’i shfrytëzojnë plotësisht mundësitë për prosperitet të cilat ua ofron shteti i ri. Sikurse mergimtarët t’i kishin dhënë më tepër rëndësi dhe ta kishin nderuar dhe respektuar identitetin kombëtar dhe kulturor më tepër sesa prosperitetin ekonomik nuk do të kishin shkuar në mergim.
Natyrisht se këtu ka edhe përjashtime. Duke pasur parasysh, se shkaqet kryesore për mergim janë kryesisht ekonomike, kërkesa e mergimtarëve për multikulturalizëm është racionale dhe e arsyeshme vetëm në qoftëse ajo është në pajtim me integrimin e tyre ekonomiko-shoqëror në një bashkësi të gjerë. Me fjalë të tjera, multikulturalizmi duhet të mundësojë një integrim më të lehtë të mergimtareve në shoqëri, e jo të pengojë integrimin e tyre.
Dhe më të vërtetë, kur të analizohen kërkesat aktuale të mergimtareve, vërehet se ato nuk janë të drejtuara për refuzimin, por për ndërrimin e kushteve të integrimit. Mergimtaret kërkojnë ndërrime në institucionet themelore – shkolla, vende të punës, gjyqe, polici dhe në shërbimet sociale- se si më lehtë të participojnë në punën e tyre.
Ata insistojnë për reformat i institucioneve në fjalë, me qëllim që identiteti i tyre kombëtar dhe kulturor më tepër të respektohet. P.sh. ata dëshirojnë që shkollat të japin më shumë informacione mbi jetën e mergimtareve; që festat e tyre kombëtare dhe fetare si dhe mënyra e veshjes të pranohen në vendin e punës; që ndihma sociale të jepet në mënyrë që te kihen parasysh dallimet kulturore, etj. Larg asaj që këto kërkesa e pengojnë integrimin, ato përkundrazi e nxisin.

