Nga Ali Salaj

Kuvendi  i Komunës së Ulqinit miratoi Buxhetin për vitin 2026 në vlerën prej afër 24 milionë euro, i cili  përfaqëson një rritje prej pothuajse 2 për qind krahasuar me buxhetin e planifikuar për vitin 2025, duke konfirmuar kështu, siç thuhet në njoftimin e Kuvendit, “një hap të fuqishëm fiskal dhe zhvillimor të vetëqeverisjes lokale”. Kuvendi paraqiti informata të mjaftueshme për të bindur veten se financat janë në rregull dhe se objektivat e planifikimit buxhetor dhe financiar janë duke u përmbushur. Mirëpo, në  shikim të parë vërehet se në zonën e Anës Malit është planifikuar një buxhet tejet qesharak dhe përbuzës prej vetëm 350 mijë euro. Në zonën që përfaqëson gati 45 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të Komunës së Ulqinit dhe ku jeton komuniteti   shqiptar, pritet të investohet në ndërtimin e trotuarit nga Krytha në Katërkollë, rregullimi i qendrës së Katërkollës dhe rregullimi i qasjes për ankorim në vendet publike në liqenin e Shasit. Ky buxhet nxori në pah anomalitë e pushtetit të Ulqinit, i cili Anën e Malit e konsideron si një rajon të dorës së dytë, duke e trajtuar komunitetin vendas me një përçmim dhe injorancë të paparë. Nuk mund të kuptohet ndryshe që në një zonë ku Komuna e Ulqinit vjel me miliona euro, siç është sistemi i ujësjellësit, i cili furnizohet nga burimet e ujit në Lisën Bore, Fraskanjel, Brajshë, Millë, Kaliman dhe në Kllezën, duke e mbuluar e tërë konsumin e qytetit të Ulqinit edhe gjatë sezonit turistik, nuk i kthehet asnjë benefit për mirëqenien e komunitetit dhe për infrastrukturën e këtij vendi.

Në Anë të Malit gjendet edhe pika   kufitare më e frekuentuar në vend, ajo Sukubinë-Muriqan, ku në një të ardhme do ti bashkëngjitet autostrada e Adriatikut, e cila gjeneron të ardhura të mëdha, pastaj veprimtaria e agrobiznesit të kompanisë së njohur  “Voli” në tokat qiramarrëse në Shas, e cila punon me përfitime të jashtëzakonshme duke e ngulfatur bujkun vendas, si dhe përfitimet nga rezervati më i mirëfilltë i gjuetisë në Mal të Zi, siç është Ana e Malit etj. Prandaj me të gjitha këto burime që ia shfrytëzojnë Anës së Malit, edhe sikur të bëhet ndarja e  gjysmës së këtij buxheti nuk do ti dilnin haku këtij rajoni që me dekada është lënë pas dore.

Nëse i kthehemi planifikimit buxhetor për këtë vit në Anë të Malit, jemi të sigurt se edhe ky investim qesharak nuk do të realizohet. Ka vite të tëra që  qendra e Katërkollës është zënë peng si pasojë e pronës private, të cilën përfaqësuesit komunalë nuk kanë dëshirë ta zgjidhin. I vetmi objekt publik, i njohur si “kooperativa”, është shndërruar në pronë private dhe bëhet pengesë shtesë për rregullimin e qendrës. Sa i përket ndërtimit të trotuarit, dihet publikisht që në fillimet e rindërtimit të rrugës Katërkollë-Krythë janë ndarë 90 mijë euro për trotuarin në qendër të Katërkollës, por që kurrë nuk u investuan dhe humbën pa gjurmë. Megjithatë besoj që për interesat e  oligarkut arab Muhamed Alabbar dhe partnerëve të tij do të realizohet një segment i investimit, ai i terrenit për ankorim në vendet publike në liqenin e Shasit. Derisa miliarderi arab Alabbar po i bënë donacione qyteteve tjera në Mal të Zi, siç është rasti i Shërbimit të Zjarrfikësve në Podgoricë, ku dha mbi 200 mijë euro, Komuna e Ulqinit po e mbështetë atë me investime direkte, edhe pse do të ishte e udhës që ai të jepte donacione për komunitetin në Anë të Malit, sepse mori vendin më të bukur dhe më atraktiv në Malin e Zi- liqenin e Shasit.

Është e paspjegueshme që një komunitet i cili kishte energji për nismat pluraliste shqiptare në Malin e Zi, sot është shndërruar në një popull anemik me një klimë pesimizmi që e zgjat agoninë. Nga një popull që me këmbëngulje ngjalli frymën kombëtare me themelimin e partive të para: LD në MZ, UDSH, PPD, sot  po mbijeton me një mentalitet të dështuar, i cili nëpër kafenetë e tymosura, në oda, gëzime dhe hidhërime merren vetëm me “politikat globale” dhe me “analiza” se çka po ndodhë në  Prishtinë, Tiranë, Palestinë apo Amerikë. Të trullosur nga Facebook-u dhe mediat tjera sociale, ata po jetojnë në botën virtuale, pa u interesuar se si po mashtohen para syve të tyre. Të painteresuar për gjendjen korruptive dhe informale të politikën komunale, nuk arritën asnjëherë të shfaqin aktivizmin dhe veprimin e organizuar kundër padrejtësive që po u bëhen. Sikur ky komunitet të ishte pakë më vigjilent, do  të kishte kërkuar me kohë komunë urbane dhe nga  buxheti aktual, Komuna e Ulqinit do të ishte e detyruar të ndante 30 për qind ose mbi 6 milionë euro. Por, situata mbetet e dhimbshme për nivelin e vetëdijes politike, intelektuale dhe demokratike në kohën në të cilën po jetojmë. Paradoksi është edhe më i madh kur shohim se përfaqësuesit politikë të anamalasve po shfaqin qëndrim destruktiv ndaj vendlindjes së tyre.

By admini