Të dhëna onomastike dhe demografike për Shasin dhe vendbanimet e nahijes së Bunës së Përtejme sipas defterëve osmanë të shekujve XV dhe XVI (10)

Ilustrim
Prof. dr. Iljaz Rexha
Trollishta Trumshin gjendet në afërsi të fshatit të sipërpërmendur raga, dhe ishte timar i Hamzait, prijës i njësitit ushtarak, në posedim të Mehmet Hamzait, tani në zotërim të Hamzait, të birit të Mehmetit. Punuesit e kësaj toke i japin poseduesit të tokës 120 akçe në vit.
Trollishta me emrin Ublik, e braktisur, i takon nahijes së Bunës së Përtejme, timar i Hysejnit dhe ishte në posedim të Ibrahim Jusufit.
Trollishta me emrin Muriz i takon nahijes së Bunës së Përtejme.
Trollishta me emrin Puta i takon nahijes së Bunës së Përtejme dhe në vitin 1582 ishte regjistruar në afërsi të fshatit Brajsha të Anamalit në zotërim të Kuçit, i biri i Jozef-it.
Trollishta me emrin Ashtra i takon nahijes së Bunës së Përtejme dhe në vitin 1582 punohet nga jashtë.
Trollishta me emrin Gjerana i takon nahijes së Bunës së Përtejme dhe në vitin 1582 ishte në zotërim të Ymer Lika.
Trollishta me emrin Ishtoll (?) i takon nahijes së Bunës së Përtejme dhe ishte timar i Xhaferit, mbrojtës i Kalasë së Shkodrës. Në vitin 1582 kishte disa bashtina: bashtina Shirgj Nikogjinit, bashtina Kolja Klodeza, bashtina Burg në zotërim të Kakarriqit, bashtina Gjon Tuza, bashtina Gjon Stamati dhe punoheshin nga jashtë. Trollishta Kushliza – Koshliza (?) dhe toka e quajtur Kishlak në kuadër të trollishtës Ishtoll, ishte në zotërim të Hizri Musa-it.
Trollishta me emrin Paksa i takon nahijes së Bunës së Përtejme. Në vitin 1582 ishte e regjistruar si vend i braktisur dhe i pabanuar.
Ulqini nuk del i regjistruar në këta dy defterë, edhe pse mbrojtësit e Kalasë së Ulqinit dalin të regjistruar e që ishin nga Ana e Malit. Ulqini duhet të jetë i regjistruar në defterët tjerë specialë për prona, ku përfshiheshin haset (feudet) e sulltanit dhe të sanxhakbeut.
Vendbanimet Katërkollë dhe Millë të Anës së Malit, po ashtu nuk dalin të regjistruara në defterët e shek. XV-XVI meqë nuk ishin përfshirë në sistemin e timarit të administratës osmane, por ato dalin të shënuara, me forma shqipe, në hartat topografike austriake të shek XIX. Nuk kemi të dhëna onomastike dhe demografike për këto dy vendbanime, as të dhëna të tjera për vëllezëritë dhe familjet e para se kur janë vendosur në to. Duhet hulumtuar në të ardhmen regjistrimet e mëvonshme të popullsisë së këtyre dy vendbanimeve për të parë strukturën onomastike, konfesionale dhe demografike.
Vlladimiri nuk del i shënuar në asnjë dokument si vendbanim, çka do të thotë se emri i tij më i vjetër dhe i mirëfilltë popullor është Katër Kolë, që është emërtuar për herë të parë nga shqipfolësit e Anës së Malit, andaj do të ishte mirë, që me kërkesën e banorëve vendas të këtij venbanimi edhe zyrtarisht të legalizohet emri i tij më i vjetër popullor ose së paku, dubleta e tij, meqë edhe në tapitë e administratës osmane del me emërtimin Katër Kolë e jo me dubletën e tij Vlladimir.
Rezyme
Në këtë punim shkencor jemi përpjekur që të trajtojmë dhe prezentojmë të dhëna onomastike dhe demografike, deri më tani të pabotuara, kryesisht për vendbanimet e nahijes së Bunës që ishin në kuadër të sanxhakut të Shkodrës gjatë shek. XVXVI. Në bazë të toponimeve që dalin në defterët osmanë, e që sot i mbajnë fshatrat në hapësirën gjeografike të Anës së Malit, kemi konstatuar se në emërtimin e këtyre vendbanimeve: Shasi, Shën Mrija, Klishani (Kishani), Shën Gjergji, Shën Todri, Shën Koli, Shën Petra, Shën Andrea, Shën Shirgji, etj., ishin ruajtur emrat e monumenteve të kultit, të kulturës latine-romane, të traditës katolike shqiptare, si dëshmi toponomastike se ato kanë ekzistuar që nga mesjeta e hershme.
Antroponomia dhe patronimia e kryefamiljarëve të vendbanimeve të Anës së Malit në përgjithësi ishte e sferës latino-romane e krishterë dhe tradicionale shqiptare, pjesërisht në simbiozë me emra të gurrës shqipe: Gjon Bardi (Bardhi), Andre Bardoni (Bardhoni), Gjin Ulku, Prend Ujku, Prend Pllumbi, Andre Burmadhi, Kol Bukmiri, Gjin Buza, Tom Darda (Dardha), Pal Pula, Dominik Gjeli, Gjon Koka, Mark Mira, Nik Mirushi, Prend Bisha, Gika Guri, Dodë Curri, Mrika Uli
(Ylli), etj.
Në këto vendbanime të Anës së Malit kemi të bëjmë me një popullsi albaneshqiptare autoktone, vazhduese e popullsisë së hershme ilire, e formuar historikisht shumë shekuj pëpara depërtimit sllav dhe atij osman në këto treva. Këto të dhëna të dorës së parë kundërshtojnë dhe hedhin poshtë hipotezat shkencore dhe antishqiptare të disa autorëve të huaj borgjezë, e sidomos të atyre sllavë, të cilët orvateshin që të paraqitnin popullsinë shqiptare të kësaj ane si jo autoktone, të ardhur nga trevat e brendshme shqiptare më vonë, aty kah fundi i shek. XVII dhe fillimi i shek. XVIII, pas luftrave austrako-turke (1683-1690).
Temë nga projekti “Fol, shkruaj dhe përdore gjuhën tënde, gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2025”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.
