
Komunat në Mal të Zi e kanë përmbyllur vitin 2025 me gjithsej 57.42 milionë euro borxhe të pashlyera, ndërsa Ulqini renditet ndër komunat me nivelin më të lartë të detyrimeve financiare në vend.
Sipas raportit të publikuar nga Qeveria dhe të cituar nga e përditshmja “Pobjeda”, komunat më të ngarkuara me borxhe janë Budva, Herceg Novi, Ulqini, Cetinja dhe Rozhaja, të cilat së bashku gjenerojnë rreth 70 për qind të borxhit total të vetëqeverisjeve lokale, transmeton Ulqini Online
Ulqini mban vendin e tretë në këtë listë, me një borxh total prej rreth 8.82 milionë euro. Nga kjo shumë, 2.59 milionë euro lidhen me shlyerjen e detyrimeve të mëparshme, ndërsa pjesa tjetër përfshin shpenzime operative dhe transfere institucionale.
Një nga problemet kryesore të kësaj komune mbetet niveli i lartë i shpenzimeve rrjedhëse, të cilat arrijnë në afro 5.8 milionë euro, duke e vendosur Ulqinin ndër komunat më të ngarkuara në këtë kategori në nivel vendi.
Ndryshe nga këto komuna me borxhe të larta, Tuzi përmendet si shembull pozitiv, pasi është ndër ato njësi lokale që e kanë mbyllur vitin pa asnjë euro detyrim të pashlyer, çka e veçon për disiplinë të lartë financiare.
Diferencat mes komunave pa borxh, si Tuzi, dhe atyre me barrë të rëndë financiare, si Ulqini, tregojnë për nevojën e përmirësimit të menaxhimit buxhetor dhe kontrollit të shpenzimeve në nivel lokal.
Burimi: Pobjeda
