
Dilemat tona
Çështja e barazisë gjuhësore nuk është çështje personale apo partiake, sepse përmes saj dëshmohet barazia qytetare e kombëtare në çdo mjedis ndërsa pabarazia gjuhësore në komunën e Ulqinit është përgjegjësi e pushtetit lokal si në të kaluarën edhe tash të cilët kanë hezituar në zbatim të ligjshmërisë dhe të normave ndërkombëtare si kudo në vendet demokratike
Nga Nail Draga
Në çdo vend demokratik shumëkombësh barazia e qytetarëve të mjediseve të tilla dëshmohet përmes përdorimit të gjuhës dhe të alfabetit të saj, duke filluar nga emri personal, mbiemri, mbishkrimet e institucioneve, emërtimeve të vendbanimeve, rrugëve, tabelave rrugore etj. Dhe nga një pamje e tillë vizuale, qytetarët mjedisin e tillë e përceptojnë me një realitet dhe spektër pluralist gjuhësor, kulturor e kombëtar.
Indiferent ndaj pabarazisë gjuhësore
Dukuria e pabarazisë gjuhësore në Komunën e Ulqinit është dëshmi e mos respektimit të Statutit të komunës dhe të kushtetutës. Pasi kjo komunë është dygjuhësore të gjithë subjektet janë të obliguar te respektojnë këtë normë ligjore si në nivel lokal apo ata qendror që këtu janë të përfaqësuar. Nuk ka dilemë se në lidhje me këtë çështje përgjegjësia bie mbi pushtetin lokal të cilët janë të obliguar të jenë në mbrojtje të ligjshmërisë si kudo në vendet demokratike.
Raste të tilla ka mjaft, por kësaj here si ilustrim po paraqesim tabelat rrugore në afërsi të Shkollës Fillore”Bedri Elezaga” në Katërkollë dhe në afërsi të doganës Sukubinë- Muriqan.
Deri më tash nuk kemi pasur rast të dëgjojmë se ndokush ka reaguar nga pushteti lokal I Ulqinit, apo ndonjë parti politike nga del se janë indiferent ndaj kësaj dukurie!
Praktika pozitive evropiane
Në lidhje me këtë çështje shqiptarët në Mal të Zi me të drejt kanë pritur që në pluralizëm çështjet e barazisë gjuhësore të avancohen, duke marrë për model vendet demokratike shumëkombëshe si Belgjika, Zvicra, Finlanda etj. Por, këtu janë në praktikë disa paradokse sepse ate çka e lejon kushtetuta e ligji nuk zbatohet në praktikë nga institucionet, përkatësisht nga individët në subjektët përkatëse, duke dëshmuar abuzim me të drejtën dhe identitetin kombëtar.
Fjala është për ato mjedise ku shqiptarët janë popullsi autoktone si shumicë apo pjesë e konsedirueshme e popullsisë në komunat përkatëse. Pasi barazia gjuhësore përveç ligjeve është e garantuar edhe statutet komunale, mos zbatimi praktik i kësaj të drejte nuk duhet kërkuar fajtorë në adresë tjetër por në komunën përkatëse.
Refuzimi i shqipës në Plavë
Rasti i komunës së Plavës ku ende refuzohet që emërtimet e tabelave rrugore të shkruhen edhe në gjuhën shqipe, është dëshmi e mos funksionimit të shtetit ligjor, në mbrojtje të barazisë qytetare e nacionale të qytetarëve në këtë mjedis.
Ndërsa mos reagimi i partive politike të shqiptarëve të cilët janë pjesë e qeverisë në lidhje me këtë çështje dëshmon mungesë guximi për tu ballafaquar me realitetin, në mbrojtje të identitetit të shqiptarëve sipas kushtetutës dhe të normave ndërkombëtare.
Provokim jo vetëm për nxënësit
Në këtë aspekt janë të pranishme anomali të theksuara në komunën e Ulqinit, ku shqiptarët janë popullsi shumicë, ku rasti në Anë të Malit është dëshmi transparente në lidhje mbi këtë çështje.
Nxënësi i cili e ndjek mësimin në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore”Bedri Elezaga” në Katërkollë e ka të vështirë të kuptojë se tabela rrugore të shkolla e tij nuk është e shkruar edhe në shqip, por është vetëm në gjuhën malazeze. Kush duhet të japë shpjegim për këtë defekt jo vetëm teknik, sepse nuk është respektuar kushtetuta dhe statuti i komunës së Ulqinit.
Tabelat rrugore vetëm në një gjuhë(malazeze), e jo në gjuhën amtare të nxënësit thënë më së buti është provokim për nxënësit dhe të gjithë qytetarët e këtij mjedisi. Sepse mos shënimi i tyre në gjuhën shqipe është dëshmi e pabarazisë gjuhësore që ndikon negativisht në vetdijën dhe edukimin e tyre.
Ndërsa mos reagimi në lidhje me këtë çështje nga stafi drejtues i shkollës nuk mund të arsyetohet, sepse gjendja është irrituese jo vetëm për nxënësit e kësaj shkolle. Kur kështu veprohet në këtë mjedis ku shqiptarët janë shumicë përkatësisht e vetmja popullsi, atëherë është e tepërt të diskutohet se si veprohet në mjediset tjera kur shqiptarët janë popullsi pakicë.
Duhet reagim qytetar dhe i medieve
Nëse nuk reagohet me kohë ndaj një dukurie të tillë atëherë çdo kush mund të vendosë ndonjë tabelë sipas shijes dhe disponimit personal dhe të mos shqtësohet fare. Diçka e tillë mund të ndodhë vetëm në ato vende ku nuk respektohet ligjshmëria!
Në mungesë të reagimit institucional duhet reagim qytetar duke pasur qendrim kritik dhe të argumentuar ndaj një padrejtësie që reflekton negativisht të qytetarët, të cilët gjuhën e kanë vlerë të identitetit kombëtar shqiptar.
Në këtë drejtim nuk ka dilemë se mediet luajnë rol të veçantë, andaj ata nuk duhet të heshtin, por e kundërta duke qenë aktiv për të ndikuar në eliminimin e një pdrejtësie e cila irriton qytetarët e çdo mjedisi. Sepse ate që nuk e bën pushteti lokal apo partitë politike duke pasur qendrim indiferent mediet ofrojnë mundësi të mëdha në eliminimin e dukurive të tilla si kudo në vendet demokratike, ku respektohet barazia qytetare e kombëtare.
Përfundim
Në mungesë të mekanizmit mbrojtës të gjuhës shqipe në nivel të komunës individë të ndryshëm brenda apo jashtë saj me apo pa qellim nuk respektojnë ligjshmërinë dhe statusin e komunës kur është në pyetje barazia gjuhësore në këtë mjedis dygjuhësorë.
Pasi deri më tash asnjë sekretariat në kuadër të komunës, nuk është angazhuar për të eliminuar këtë anomali atëherë i mbetet kryetarit të komunës së Ulqinit të angazhohet personalisht në lidhje me këtë çështje për të eliminuar pabarazinë praktike të gjuhës shqipe ne mbishkrimet jo vetëm në tabelat rrugore. Vetëm në këtë formë do të eliminohej pabarazia gjuhësore e cila është irrituese për shqiptarët në këtë mjedis. Ndërsa heshtja ndaj një dukurie të tillë shkon në favor të qasjes diabolike të individëve apo subjekteve të cilëve iu pengon barazia gjuhësore, çështje e cila mbetet e hapur dhe meriton përgjigje institucionale si në nivel lokal e ate shtetëror.
(Maj 2026)
