Këngët epike popullore (IV)

Prof. Dr. Bahri Brisku
Në raportet e procesverbaleve të konsullatave dendur janë shënuar ngatrresat dhe përleshjet e kusarëve shqiptarë kundër plaçkitësve detarë të Venedikut, Perastit, Spanjës, Francës, Turqisë, Napolit, Greqisë, Maltës etj. Por, ekzistojnë edhe një mori të dhënash në të cilat dëshmohet humanizmi dhe respektimi i kanuneve dhe ligjeve detare nga pala e kusarëve tanë, të cilët ishin të mirë. Në rast të rreziqeve dhe havarive që i ndodhnin detarëve të huaj, kusarët shqiptarë i jepnin ndihmë të pa kursyer në çdo aspekt në fatkeqsi.
Kusaria dhe piratëria është e vjetër sa vet detaria. Pra, është shumë e lashtë dhe ushtrohet që kur s`ekzistonin normat dhe ligjet mbi detarinë. Atë botë detaria kuptohej si degë ekonomike. Kjo si resurs ekonomik ka qenë legalizuar dhe emërtohet me termin privat nga fjala angleze privater që shprehimisht ka të bëjë me ata tregtarë që marrin anijet me qira dhe i përdorin përveç tregtisë edhe për kusari!
Për lashtësinë e kusarisë në përgjithësi kemi shënuar një dëshmi në “Odiseun” e Homerit, ku bariu i derrave, rrëfen që kur ishte fëmijë patën zënë kusarët fenikas dhe i kishin shitur si rob.
Shtrirjen e vendbanimeve dhe skeleve shqiptare më së miri na e dëshmon onomastika, oronimet shqipe, të cilat kanë një hapësirë të gjerë, duke filluar prej Dalmacisë e deri në brigjet e Dardanelës, e cila gjithashtu emërtohet nga dardanët. Në ishullin e Qiprit gjendet Gjiri i shqiptarëve, pranë Stambollit. në breg të detit gjendet Fshati shqiptar. Bregdeti grek (gjithashtu) ka shumë emërtime të vendeve dhe skeleve me emra shqip si: Hidri, Arta, Kuqana, Rrukeja, Dushkaja etj., të cilat dëshmojnë që lundrimi i tyre, jo vetëm që nuk ishte i kufizuar në Adriatik, por na jep të dhëna të qarta për ekzistimin shekullor të etnosit tonë në rajone, të cilat sot janë të okupuara.
Kusarët tanë një kohë të gjatë kanë pasur marrëdhënie të mira me detarët dhe shtetin francez, kurse me Venedikun dhe argatët e tij që ishin kusarët e Perastit etj., marrëdhëniet ishin vazhdimisht të acaruara. Këtë më së miri na e dëshmon një dokument i Ministrisë së Jashtme franceze, më 20 nëntor 1685, ku thuhet se shtetasi venedikas Nikola Petrov, nga Perasti, kapiten i anijes “Arkofedel”, e kishte lutur konsullin francez në Zarë që t`ia dërgojë një kapiten francez, në mënyrë që të mund të lundrojnë të sigurtë nëpër rajone të kusarëve shqiptarë. Ky ia siguroi një kapiten të vetin, i cili në anije ngriti flamurin francez. (Vetëm anijet franceze mund të lundronin të sigurta nëpër rajone ku dominonin kusarët dhe detarët shqiptarë).
Në mesjetë dhe deri në shekullin XIX në rajonin e Detit Mesdhe duke përfshirë edhe detrat tjerë, luftërat e kusarëve organizoheshin nga platforma e pozitave fetare dhe kombëtare. Kusarët shqiptarë më shumë ishin mbrojtës të pozitave kombëtare sesa fanatikofetare. Në bazë të Kur`anit, tregtia me robër ka qenë dhe është e ndaluar; ndërkaq detarët dhe kusarët tanë merreshin edhe me këtë tregti, sepse kishin nevojë të madhe për fuqi punëtore, qoftë në anijet e tyre si lopatarë ose si punëtorë në bujqësi.
Kusarët tanë dispononin flamurin vetanak, i cili ka pasur këtë pamje: ngjyrë të kuqe, (në hapësirë të së cilës) ka qenë e vendosur figura e ujkut të zi me shpatë në gojë; ndërsa kusarët grekë përdornin flamurin në pëlhurën e bardhë ku kanë pasë vendosur një kafkë të madhe të njeriut dhe kryqin. Kur këtyre u kërcënohej rreziku nga kusarët shqiptarë, ulnin atë flamur dhe në vend të tij vendosnin atë francez ose të ndonjë aleati tjetër të kusarëve shqiptarë.
Sipas fjalëve të Plinit Plak, në kohën antike, në Ulqin, ka ekzistuar një koloni e vogël detare e kolhidianëve, që ishin refugjatë nga qyteti Kolhida, në Detin e Zi. Disa prej tyre kishin anijet e veta, por pjesa më e madhe e tyre punonin në anijet e pronarëve, kusarëve të vendit.
Kusarët suliotë, të Qeparos, pranë Sarandës, janë të njohur në historinë e detarisë tonë si guximtarë që luftuan jo vetëm kundër kusarëve gekë, por edhe turq dhe atyre të Ali Pashë Tepelenës, i cili synonte që t`i shtrojë. Turqia në kohën e paqes (të shumtën e rasteve) kusarët shqiptarë i linte të lirë, por në kohën e lutrave, Porta i mblidhte të tërë, duke i mobilizuar që të luftojnë për qëllimet dhe llogaritë e tyre. Në shtegtimet e Bajronit, himariotët përmenden si detarë të zhdërvjelltë dhe krenarë. Këta ndodheshin në të gjitha portat shqiptare dhe cilësoheshin si detarë të aftë.
Temë nga projekti “Fol, shkruaj dhe përdore gjuhën tënde, gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2025”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.
