
Nga Hajrullah Koliqi
Ah, moj Zana e Rumisë
Tunde serb-Trojicën, kotec
Pastaj, te Shpella e borës
Pusho, këndo e qesh!
Thuhet se “filloi legalizimi i kishës në Rumi” dhe s’ka dyshim se nëpërmjet këtij veprimi po legalizohet, jo vetëm kisha ilegale ortodokse serbe “Sveta Trojica”, por po legalizohet edhe uzurpimi i malit të Rumisë, i këtij monumenti natyror dhe shpirtëror të shqiptarëve të trevave përreth tij dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, pa dallim feje apo etnie. Ky është një veprim shovinist serbomadh thellësisht antishqiptar dhe antinjerëzor i Kishës Ortodokse Serbe dhe i autoriteteve shtetërore malazeze.
Siç dihet, mali i Rumisë gjeografikisht dhe historikisht ishte dhe është, në radhë të parë një mal i Krajës dhe i krajanëve. Për krajanët e hershëm, qysh kur ata visheshin me “lëkurë harushe” (Ndre Mjeda), ajo nuk ishte thjesht një mal, por më shumë se kaq. Ndër të tjera Rumia ishte edhe një mal i zanave. Kur krajani këndonte këngën “Kendon Bega, zanë në mal”, ai imagjinonte Begën e bukur, e cila këndonte si zana (zanat) e Rumisë. Ai këndonte edhe për “trimat si zana”.
Maja e saj natyrore (pa objekte kulti), me shekuj ishte një vend pelegrinazhi, një ritual i lashtë pagan, si një lidhje harmonike midis njeriut, natyrës dhe botës shpirtërore (Mark Tirta). Adhurimi i saj lidhej ngushtë me kultin e qiellit dhe të diellit, në veçanti. Për t’iu afruar sa më shumë atyre, krajanët këndonin dhe uronin që kjo “bjeshkë e naltë” të bëhet edhe “ma e naltë”. Për “rriten” e malit të Rumisë, pelegrinët krajanë dhe të tjerë, kontribuuan nëpërmjet obligimit pagan të ngjitjes së një guri në majën e saj (sa më të madh, aq më mirë!), zakonisht para lindjes së diellit. Për këtë dëshmon edhe grumbulli aq i madh i gurëve, i cili Ruminë vërtet e bëri më të lartë! Kushdo që ngjitej në majën e saj, i dukej se po “sundonte botën”, duke përfshirë Krajën dhe Anën e Malit, Shkodrën e liqenin i Shkodrës, Bjeshkët e Nemuna, Zetën e Podgoricën, Cërmnicën, Tivarin e bregdetin adriatik. Këtë ndjesi e përjetova edhe unë, kur, me një grup krajanësh, dolëm në majën e saj.
Natyrisht, krajatat e jetës dhe zhvillimet historike-shoqërore, gjatë shekujve sollën ndryshime edhe në praktikat e hershme pagane. Kisha e krishterë, për shembull, e përvetësoi praktikën e pelegrinazhit, e modifikoi atë dhe e shndërroi në ritual fetar (të krishterë). Ndërkaq, feja islame ishte kundër idhujtarisë dhe praktikave pagane. Në kohën e komunizmit dhe ideologjisë ateiste praktika e pelegrinazhit në Rumi u ndalua, por kurrë nuk u harrua. Në kujtesën kolektive të krajanëve dhe të tjerëve, deri në fillim të shek. XXI, Rumia mbeti, jo vetëm një monument natyror dhe shpirtëror, por edhe pikë reflektimi e bashkimi me natyrën dhe lartësinë qiellore, shenjë identiteti etnik dhe koheziviteti njerëzor, kusht dhe amanet i të parëve.
Rumia qëndroi e tillë, bardhë si bora, e papërlyer, ashtu siç e kishte bërë natyra, deri më 31 korrik 2005, kur në majën e saj papritur “zbriti nga qielli” nëpërmjet dy helikopterëve ushtarakë, një kishë (kotec) metalike ortodokse serbe. Kështu, Kisha Ortodokse Serbe, ushtria serbo-malazeze dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi e uzurpuan dhunshëm malin e Rumisë, të cilën mjekroshët shpirtzinj, të prirë nga kryemjekroshi famëkeq Amfillohije Radoviq, e tjetërsuan atë dhe e bënë të zezë si futa! Këtë kishë (kotec), kishë-varr jo vetëm për Krajën e krajanët, ia dedikuan Trinisë së Shenjtë (Sveta Trojica) të serbizuar, në funksion të Svetosavljes dhe projektit të “Botës Serbe”. Për këtë akt skandaloz mesjetar në shek. XXI, përkatësisht për këtë kishë kontradiktore, skandaloze e përçarëse, u diskutua shumë nga deputetë, politikanë, intelektualë e gazetarë shqiptarë, malazezë etj. Hajrudin Muja botoi edhe monografinë “Kisha e sherrit” (2014).
Nën presionin e opinionit u tha se një gjykatë malazeze kishte vendosur që ky institucion fetar ilegal të largohet nga maja e Rumisë. Por jo, kjo nuk ndodhi. Në vend që ajo të largohej, pas njëzet viteve (2025) filloi procedura e legalizimit të saj nga institucionet shtetërore malazeze. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e Marrëveshjes Themeltare midis Kishës Ortodokse Serbe dhe Malit të Zi (3 gusht 2022), nënshkruar nga Dritan Abazoviq, ish-kryeministri aksidental i Malit të Zi. Kështu, shteti i Malit të Zi vihet në shërbim të Kishës Ortodokse Serbe, në funksion të hegjemonizmit serb dhe Serbisë së Madhe! Këtë mund ta bënte vetëm Mali i Zi serb (Srpska Crna Gora), e jo Mali i Zi kandidat për integrim në Bashkimin Evropian.
Në këtë gjendje dëshpërimi dhe nostalgjie, të krijuar nga kjo kishë-varr, nga emigrimi masiv i krajanëve e braktisja e Krajës dhe Rumisë, si dhe nga rëndesa e moshës së pleqërisë, kujtoj Tagajt e Ljares, të cilët këtë mal e mbrojtën me tagan në dorë, kujtoj Adem Boboshtin, Ali Brahimin, Kasem Gjokën, Sinan Briskun, Salë Hardollin, Salë Dushin, Myrto Ftjanin, Smajl Isufin, Zef Tagajn, Lekë Perkolën, Hasan Danin, Izet Smajlin, Luc Pjetrin, Omer Selën, kujtoj ata shestanas të cilët, bashkë me Cafo beg Ulqinin, në vitin 1940, ngriten flamurin kombëtar shqiptar tek Ullini i vjetër në Dobrovodë (Ujëmirë), afër Tivarit, kujtoj me pietet e respekt të veçantë heroinën Nazire Curaj… Jeta, vepra dhe shpirti i tyre frymëzojnë dhe dëshmojnë se “amaneti nuk vdes kurrë!”
/Koha Javore/
