Autostrada Adriatik-Jon, e cila lidh Evropën Qendrore me Greqinë, përmes Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Shqipërisë, do të kalojë përmes zonës së Anës së Malit të komunës së Ulqinit.
Në bazë të Planit Hapësinor, të miratuar së fundmi, pjesa e kësaj autostrade që kalon nëpër Malin e Zi është e ndarë në tri pjesë. Pikërisht aksi i tretë do të kalojë përmes territorit të komunës së Ulqinit, pikërisht nëpër zonën e Anës së Malit, për t’u lidhur në Sukubinë-Muriqan me Shqipërinë. Më herët është folur se kjo pjesë e autostradës, nga kryqëzimi në Smokovac do të kalojë përmes Tuzit drejt Shkodrës.
Ministria e Planifikimit Hapësinor i ka dhënë kompanisë “Monteput” kushtet urbanistike dhe teknike për ndërtimin e autostradës Adriatik-Jon. Pas kësaj, deri në fillimin e punimeve kanë mbetur edhe pesë hapa – dhënia e pëlqimit për zgjidhjen ideore, zhvillimi i projektit kryesor, rishikimi i projektit kryesor, përzgjedhja e kontraktorit dhe mbikëqyrja, si dhe leja e ndërtimit.
Kushtet urbanistike-teknike ofrojnë mundësinë për të vlerësuar prioritetet e ndërtimit dhe ndërtimin me faza sipas akseve. Gjerësia e korridorit nëpër të cilin do të kalojë kjo autostradë është nga 600 deri në 1 000 metra, kurse gjurma e saktë se ku do të kalojë autostrada do të dihet vetëm pas hartimit të projektit kryesor. Në territorin e komunës së Ulqinit, përkatësisht nëpër Anë të Malit, pritet të kalojë nëpër fshatrat Leskoc, Krythë, Kllezën, Katërkollë, Shas, Brajshë, Lisën, Bore, Sukubinë dhe Kravar.
Një nga kërkesat e përcaktuara me kushtet urbanistike është që gjatë hartimit të projektit t’i kushtohet kujdes i posaçëm ruajtjes së të mirave kulturore në afërsi të të cilave kalon kjo autostradë. /Koha Javore/

By admini