Konsullata serbe në Prishtinë e hapur më 1889 në një foto të dekadës së parë të shekullit XX
Nga: Skënder Latifi
Në muajin nëntor janë mbushur plot 125 vjet qëkur Serbia e dërgoi konsullin e parë në Vilajetin e Kosovës, gjegjësisht në kryeqendrën e sotme të Kosovës, në Prishtinë. Duke dashur që lexuesit t’ia afrojmë një pasqyrë më të gjerë të ngjarjeve, në këtë shkrim – që botohet me vazhdime – kemi afruar imazhe nga Prishtina e viteve 1346-1889, përfshirë edhe detaje nga udhëpërshkrues të ndryshëm. Pjesët në vazhdim i janë kushtuar zhvillimeve të ndryshme në Prishtinë, kur ajo tashmë ishte qendër diplomatike, politike, kulturore dhe këto ngjarje i përkasin viteve 1880 deri në vitet e tridhjeta të shekullit të XX. Përveç, tjerash në këtë punim janë të përfshira edhe dokumente arkivore, kujtime, të dhëna të sferës së ekonomisë, demografisë e të tjera, ndërsa temë qendrore e punimit, është 125-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovë (Vilajeti i Kosovës) – Serbi.
“Piaza de Pristina” dhe familja e fisnikëve ulqinakë Tani në Prishtinën mesjetare
Në njërën prej letrave të Papa Klimentit VI të vitit 1346, pa ose me dashje ishte harruar të përmendej kisha katolike e “Zojës së Bekuar“ në Prishtinë dhe siç mund të besohet përmirësimi i gabimit kishte ndodhur vetëm tre vjet më vonë, pra më 1387. Përveç tjerash prijësit e kishës prishtinase të “Zojës së Bekuar“ i gëzoheshin pamasë edhe dhuratave të çmueshme në para por edhe në ari e argjend, që për të dhuronin tregtarët e pasur raguzuianë dhe për këtë dëshmi janë edhe letërkëmbimet e tyre. Prej priftërinjve të kësaj kishe, më së shpeshti përmenden don Pjetri, don Nikolla dhe don Lesio. Më pastaj përmendet edhe Niksha Cetemani dhe don Andrea Drinka, por duhet theksuar se burimet historike rreth personaliteteve të fundit janë mjaft të varfra.
Se Prishtina ishte një vend i vogël me kolorit të theksuar katolik dhe mjaft simpatik, dëshmojnë edhe të dhënat e gjysmës së parë të shekullit XV, të cilat kanë të bëjnë me veprimtaritë kulturore në Prishtinën e asaj kohe. “Në Prishtinë çdo vit në Krishtlindje, si festë e rregullt e fisnikëve dhe qytetarëve, organizohej loja e shkëputjes së hallkës. Kjo lojë organizohej në vendvrapimin e kuajve, në një fushë të vogël jashtë vendbanimit. Pjesëmarrësit arrinin aty me kuaj, me pajisje të plota, me topuzë apo çomanga, shpata, harqe e shigjeta. Pastaj, kalorësit e hipur në kuaj duke vrapuar dhe me shtiza të shtrira, duhej ta shkëpusnin hallkën të vendosur mbi një shtyllë“, shkruhet në këto burime.
Krahas jetës kishtare dhe manifestimeve të ndryshme kulturore, Prishtina njëherësh ishte qendër e zhvilluar tregtare, dhe ajo në veçanti dallohej në planin e zhvillimit të tregtisë lokale.
Në sheshin e Prishtinës të njohur atëbotë si “Piaza de Pristina” njëri prej dyqaneve më në zë ishte ai i raguznianit, Junije Kaliq. Por, zgjerimi i shkëmbimeve tregtare me qendrat e tjera të kohës e ngriti nevojën e domosdoshme të ngritjes së komisionit gjyqësor në Prishtinë në vitin 1399. Komisioni përbëhej prej dy konsujve dhe dy gjykatësve, që ishin në funksion të zgjidhjes së kontesteve eventuale tregtare midis prishtinasve dhe raguzianëve. Bile në këto vite Qeveria e Raguzës e kishte bërë publike proklamatën ku iu tërhiqej vërejtja qytetarëve raguzianë se nëse në vitin 1402 kishin qëndruar në Prishtinë apo Novobërd, ata duhej menjëherë ta lëshonin qytetin, sepse në këtë vit në Kosovë, përfshirë qendrat e lartpërmendura, murtaja kishte marrë shumë jetë njerëzish.
Dhjetë vjet më vonë, gjegjësisht në vitin 1412 në Prishtinë si familje fisnike veçohet familja shqiptare ulqinake Tani, në krye me atin Makon dhe të bijtë Marinin, Stefanin dhe Junin. Më i njohuri prej tyre ishte i biri i katërt i Makos, Kimoja i cili për katërmbëdhjetë vjet, për 130 herë rresht u zgjodh si anëtar i komisionit gjyqësor. Familja fisnike ulqinake Tani, madje në Prishtinë shfaqet edhe me gjeneratën e tretë me Radojën, nipin e Makos dhe Vraneshin të birin e Marinit. Duke u mbështetur në burimet e kohës, si turke po ashtu edhe raguziane, në prag të rënies së Prishtinës nën sundimin osman, në kryeqendrën e sotme të Kosovës ushtroheshin njëmbëdhjetë zanate të specializuara, por besohet se numri i tyre ishte shumë më i madh.
Arritja e kadiut dhe nëntë mëhallët e Prishtinës
Arritja e kadiut në Prishtinë shënohet në vitin 1421. Madje thuhet se kur gjenerali i njohur i ushtrisë osmane, Isa Beu hyri në Prishtinë, të gjithë banorët ishin urdhëruar që të dilnin ta prisnin atë. Bile të gjithë ata që nuk vepruan ashtu u gjobitën më vonë, ndërsa nuk vonoi shumë kur prishtinasit vendorë filluan gradualisht të përfshiheshin në radhën e administratës së re. Edhe pse njohësi i administratës së Perandorisë Osmane Safvet beg Bashagiq, ka shkruar se Prishtina ishte e radhitur në klasën e tretë të kadillëqeve, bashkë me kadillëkun e Vrajës dhe të Tetovës, megjithatë kryeqendra e sotme e Kosovës atëbotë u dallua nga ndryshimet në pamjen e saj të cilat u vërejtën në tridhjetë vjetët e ardhshme, atëherë kur nisi ngritja e xhamive dhe objekteve të tjera me arkitekturë të shijes së sunduesve të rinj. Burimet e kësaj kohë në Prishtinë i kanë evidentuar shtatë mëhallë, me 351 shtëpi dhe me më pak se 2000 banorë.
Dyzet e ca vjet pas arritjes së kadiut në Prishtinë, në vitin 1467 në qytet ishin regjistruar 303 familje të krishtera. Shekulli përkatës, pra i XV njëherësh shënon përfshirjen në konvertime edhe të një numri të caktuar të spahinjve timarlinj nga radhët e të krishterëve të disa zonave të Kosovës, Shqipërisë por edhe të Maqedonisë së sotme të Veriut. Numri i tyre ishte bukur i madh, bile në disa raste 30 deri në 50 për qind të spahinjve në ato zona kanë qenë nga radhët e të krishterëve, dhe ky numër vetëm dhjetë vjet më vonë në të gjitha nahitë ka pësuar rënie nga 2-3 për qind.
Atmosferën e Prishtinës së fazës së konvertimit të prishtinasve në myslimanë të ardhshëm, e ka përshkruar francezi Jean Palerne Forézien (1557 – 1592).
“Më 16 gusht të 1582 mbrritem në Prishtinë. Prishtina është një qytezë e bukur me xhami dhe karavansaraje ku edhe e kaluam natën. Të nesërmen më 17 gusht u nisëm dhe pas tetë mileve, arritëm në një qytezë të vogël ku gjendet varri i Sulltran Muratit, që siç na u tha me pesë apo gjashtë njerëzit e tij e kishte vrarë Millosh Komneni në çadrën e tij…”, ka shkruar francezi Forézien. Ndërsa në vitin 1596, në Prishtinë kishin mbetur vetëm 103 familje të krishtera. Megjithatë krahasuar me qendrat e tjera si për shembull me Shkodrën ku ajo tashmë ishte islamizuar, Pejën me 90 për qind të islamizuar, Vushtrrinë 80 për qind, Elbasanin 79 për qind, Tetovën 71 për qind, Prishtina ishte islamizuar vetëm 60 për qind.
Përkundër faktit se prishtinasit e konvertuar, ishin të obliguar që në jetën e tyre të përditshme t’i nënshtroheshin regjimit të ri sa i përket jetës fetare, kulturore e politike, megjithatë kjo qendër si shumë të tjera nuk mundi t’u shmangej epidemive të ndryshme të kohës.
Dëshmi për këtë ka afruar një mjek i ri britanik, i quajtur Edwrad Brown, i cili me të përfunduar studimet e mjekësisë, në vitet 1668 – 1669 e kishte ndërmarrë një udhëtim të gjatë. Në vjeshtën e vitit 1669 ai kishte mbërritur në Prishtinë.
“Vazhduam për Prishtinë që është një qytezë e bukur ku edhe shpresonim se do të gjenim një vend të mirë për t’u vendosur. Por kur hymë në një dhomë të bukur, në të ishte i shtrirë një njeri i sëmurë nga murtaja. Duke pasur kujdes për veten nuk qëndruam gjatë aty. Me një rom si udhërrëfyes u nisëm drejt një vendbanimi që ishte rrallë i banuar, por i begatë dhe i bukur. U këndellëm sadopak duke ngrënë qershi që me bollëk ishin pranë rrugës. Kishim fat se murtaja nuk ishte përhapur në vende të tjera pos në qytetin e madh të Prishtinës në Kosovë”, ka shkruar Brown.
Prishtinasit, ndihma e tyre për kishën e Jerusalemit dhe zanafilla e propagandës nacionaliste
Ndërsa njëra prej kërkesave të sulltanit e datës 1 dhjetor 1767 padyshim se do të ketë ngjallur mallëngjim për besimin e dikurshëm të krishterë te prishtinasit e vjetër. Urdhëresa e arritur në duart e kadiut të Prishtinës më 1 dhjetor 1767 (9 rexhep 1181) ia bënte me dije atij se në kufijtë e Kazasë së Prishtinës duhet dhënë (sadaka) pasi paraprakisht patriku i Jeruslemit (Kudusi Sherifit) iu kishte drejtuar sulltanit me një letër duke e njoftuar se gjendja e kallogjerëve në Jerusalem ishte e vështirë, pasi ata nuk e kishin të caktuar një vend ku do t’i merrnin rrogat. Prandaj, kallogjerët jerusalemas ishin të detyruar të jetonin nga lëmosha e nënshtetasve të krishterë biznatinë të krahinave të mbrojtura. Për këtë qëllim prifti Manaskije bashkë me një grup njerëzish, do të qëndrojë në kazatë Prishtinë, Pejë, Vushtrri etj.”.
Por, saktësisht 55 vjet më pas, gjegjësisht në verën e vitit 1822 në Prishtinë do të vijë deri te manifestimi i qëndrimit kundër pushtetit, gjegjësisht kundër Maliq pashës, mytesarifit të Prishtinës.
Në këtë kohë në disa krahina shqiptare nis qeverisja e pavarur e disa feudalëve shqiptarë, prandaj duke e parë dobësimin e pushtetit qendror, sulltan Selimi III (1789-1809) i ndërmori reformat që ai i quante rrënjësore por edhe shpresonte të ishin të tilla.
“Banorët e këtyre kadillëqeve (peticionin, përveç banorëve të Prishtinës e kanë nënshkruar edhe ata të kadillëkut të Vushtrrisë dhe Novobërdës) që janë pjesë e nazaretit (administratës) të Shkupit i janë mirënjohës sulltanit që në bazë të lutjes së tyre dhe sipas mëshirës së tij e ka transferuar Maliq pashën nga Prishtina në Sofje”, thuhet në peticionin e datës 16 gusht 1822 (27 zilkade 1237). Peticionin në Prishtinë e firmosën 111 personalitete me ndikim, midis tyre edhe 23 zyrtarë fetarë. Nënshkruesi i parë ishte profesori i medresesë Muhameti, ndërsa i fundit bujku Hysamedini. Por, siç është e njohur, përkundër që Maliq pasha fillimisht u transferua në Sofje, dhe rreth 3000 banorë të kadillëqeve të sipërpërmendura ia mësynë Stambollit, ai me vendimin e sulltanit prapë u kthye në Prishtinë duke arritur që ta stabilizojë pushtetin e tij.
Duke mos u dëshpëruar me rezultatet e peticionit dhe të protestave të prishtinasve, megjithatë duke e marrë parasysh strukturën e personaliuteve që e hodhën firmën e tyre kundër Maliq pashës, duket qartë se Prishtina e fillim shekullit XIX, e kishte të ngritur një elitë njerëzish të profileve të ndryshme.
Megjithatë, pushteti qendror më tutje thuajse nuk do të ketë kohë të merret me mosmarrëveshjet e nënshtetasve të saj që i përkisnin të njëjtit komb, sikur në rastin e shqiptarit Maliq pasha dhe banorëve shqiptarë të kadillëqeve të Prishtinës, Vushtrrisë dhe Novobërdës. Ishte gjendja e të krishterëve brenda Perandorisë Osmane që do t’i shqetësojë faktorët ndërkombëtarë të kohës dhe sipas tyre ajo domosdo duhej të ndryshonte në të mirë të krishterëve si nënshtetas osmanë. Pra, është fjala për kohën e Tanzimatit që filloi me Hati Humajunin e vitit 1839. Sipas historianit të njohur turk Halil İnalcık (1916 – 2016) “qëllimi i reformave të Tanzimatit ishte që raja krishtere të lidhej me identitetin osman përmes parimit të barazisë si dhe të ruante e të forconte unitetin e perandorisë”. Sipas tij, një politikë e tillë gjeti mbështetje te shtetet perëndimore, e cila njëherësh edhe ndikoi në rritjen e prestigjit të shtetit osman në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, ndikim në nxitjen e veprimit të masave të krishtera në Perandorinë Osmane kundër pushtetit patën revolucionet që ndodhën në Europë më 1848 dhe reflektimet e tyre në shtetin osman. Dhe ashtu siç ka ngjarë shpeshherë gjatë historisë, fryma e revolucioneve të vitit 1848 u përhapën në Austrinë e atëhershme, gjë që fillimisht pati ndikim të tërthortë ndërsa më vonë edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, prandaj kjo frymë ndikoi në hapjen e shtigjeve të reja të veprimtarisë së elementëve etnikë brenda shoqërisë osmane. E para që e shfrytëzoi gjendjen e krijuar nga revolucionet ishte Rusia që “u hodh menjëherë në veprim me qëllimin për të siguruar përfitime nga shteti osman. Kështu në rrjedhën e përpjekjeve të organizimit në rrethanat e reja pas Tanzimatit dhe revolucioneve evropiane, në një bashkëpunim të krerëve serbo – kroatë, nacionalistët, Ilija Garashanin (1812 – 1874) dhe kroati Matija Ban (1812 – 1903), në pranverën e vitit 1849 e përpiluan ‘Kushtetutën e Propagandës Politike’ e cila parashihte ushtrimin e propagandës politike në ‘tokat sllavo – turke’. Pas bekimit që kushtetuta e mori nga kreu i Serbisë dhe me qëllim që propaganda të ishte më efikase, kuptohet se propaganda nacionaliste duhet t’u paraprinte kryengritjeve të armatosura, tokat ku do të përhapej fryma nacionaliste u ndanë në krahina dhe në të ardhmen në to do të vepronin të paguarit e qeverisë përkatëse. Kështu krahinën jugore e përbënin Dalmacia, Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria, ndërsa në krahinën veriore bënin pjesë: Bosnja, Sanxhaku i Novi Pazarit, Serbia e Jugut dhe Bullgaria jugperëndimore. Në rrjedhën e ngritjes së celulave deri në nivelin e nahive, në majin e vitit 1850 organizimi i propagandës politike, ishte shtrirë në të gjitha krahinat e sipërpërmendura. Duke u mbështetur në ‘Kushtetutën e Propagandës Politike’ agjenti i zonës së Rashkës paguhej 60 talirë për aktivitetet e tij, pasi kjo zonë njëherësh llogaritej si më e rëndësishmja. Njëra prej nahive kyçe për përhapjen e propagandës politike ishte paraparë të ishte ajo e Prizrenit, pasi prej kësaj nahije më së shpejti depërtohej në Gjakovë, Pejë, Bihor, Novi Pazar por edhe në krahinën e Mirditës. Ndërsa në qytetin e Prishtinës si përgjegjës i zhvillimit dhe përhapjes së propagandës nacionaliste tashmë ishte emëruar tregtari Vasa Gjorgjeviq”.
Megjithatë nuk duhet harruar se aktivitetet e zhvillimit të propagandës politike serbo-kroate, thuajse përputhen me kryengritjet anti-osmane të shqiptarëve që tashmë ishin zhvilluar në viset lindore, të njohura si kryengritjet e Dervish Carës. Të kujtojmë se këto kryengritje në fillimet e tyre patën karakter social. “Njëri nga udhëheqësit e Dervish Carës, Soliman Toli (Tërnoca), në tetor të vitit 1843, në fshatrat rreth Vrajës, Prizrenit dhe Prishtinës, fliste me ashpërsi të veçantë kundër të gjitha tatime¬ve, duke i bindur fshatarët që të mos paguanin më shumë se 5 piastra në vit” , thuhej në një raport diplomati të kohës.
“Në pran¬verën e hershme të vitit 1844 një kryengritje serioze kundër sundimit turk kishte ndodhur në Shqipë¬rinë Veriore. Ishte raportuar se kryengritësit shqip¬tarë kishin arritur t’i mposhtnin trupat osmane në disa beteja dhe ata ia kishin dalë t’i largonin au¬toritetet osmane jashtë provincës”, ka shkruar Sir Austen Henry Layard, (1817-18949 i dërguari i amba¬sadorit brita¬nik në Kostandinopojë, i cili më vonë do të jetë negociatori kryesor midis prijësit të krye¬ngritjes shqip¬tare, Dervish Carës dhe autoriteteve osmane.
“Omar Pasha më propozoi të takohesha me Dervish Carën dhe të përpiqesha ta bindja”, ka shkruar në kujtimet e tij Sir Austen Henry Layard. Kërkesat e kryengritësve ishin: që ushtria osmane të tërhiqej prej territoreve shqiptare, më pastaj shqiptarët refuzonin t’u nënshtroheshin ligjeve të reja të Tanzimatit dhe kërkesa tjetër e shqiptarëve ishte që rekrutët shqip¬tarë të mos përfshiheshin në radhët e nizamëve.
“Pasi u ngritëm, biseda ime e nisur natën e ka¬luar me Dervish Carën dhe udhëheqësit e tjerë u rinis… E pashë që ishte e kotë të insistoja më shumë, andaj ua përmenda atyre trajtimin ndaj të krishterëve dhe mizoritë, të cilave u ishin shtruar ata, duke iu referuar raporteve që kishin arritur në Kostandinopojë. Udhëheqësit shqiptarë protes¬tuan me indinjatë, sepse mendonin se nuk kishte asgjë të vërtetë në këto raporte, të cilat, siç pohonin ata, ishin shpikur nga armiqtë e tyre”. /Koha Net/