Nga Qani  Osmani

Në këtë kohë të pandemisë aktuale kanë ndryshuar shumë gjëra, shumë shprehi, shumë sjelle tonat. Ndryshe frymojmë, keqaz ndjehemi, ditë për ditë përcjellim njerëz, jemi bërë sikur ecim mbi litar, si akrobatë që lëvizim mes jetës dhe vdekjes. Këtë radhë, këta që ikin në botën tjetër edhe i mediatizojmë, i publicizojmë. Çdo ditë s’mund të hapësh rrjetet sociale e të mos vëresh pasazhin hyjnor “Të Zotit jemi, te Ai kthehemi”, forma të shprehjes së dhimbjes si “S’ishte koha të ikje…”, “S’e besoj se s’do të jesh më me ne!”, e shumë të tjera që janë bërë zakon brenda këtyre më pak se dy viteve që jetojmë me Covid-19. Pra turbulencat ndryshojnë përceptimin për gjërat, por kësaj i shtohet teknologjia informatike, del një produkt sui generis . Gjithë kohën në skenë vdekja, që është bërë përcaktuese e përditshmërisë sonë. Bile sikur s’ka mbetur jetë dhe gjallni në mesin tonë. Shikuar sociologjikisht jemi shndruar në shoqëri të vdekjes.

Qytetërimi modern u mundua ta largojë vdekjen, ta eliminojë atë, ta bëjë njeriun të pavdekshëm, të përjetshëm, të gjejë sekretin e pavdeksisë, por deri më sot kot. U mundua që ta marginalizojë atë, ta qesë mënjanë, ta bëjë atë të padukshme, të ndërtojë një shoqëri të shpërfilljes së vdekjes, që meson se vdekja ekziston, por jo këtu, jo tani, dhe sigurisht, jo për ne. Kjo është shoqëria që s’mendon rreth vdekjes, ku vdekja është çuar tejandej, ku edhe doktorët, psikologët dhe punëtorët social nuk janë ndihmuar të kuptojnë ndjenat rreth vdekjes së vet. Njeriu bashkëkohor është rritur me këtë filozofi jete. Me formulën: “Shfrytëzoje çastin!” Kënaqu, merr sa të mundesh nga kjo botë, injoro fundin e pashmangshëm. Kultura tradicionale e mësonte njeriun që “të vdes para vdekjes”, kurse moderniteti premtonte eternalitet human. Një qytetërim i tërë u ndërtua për ta harruar vdekjen – shprehet një shkrimtar amerikan. Por “engjëlli i vdekjes gjithnjë ka qenë në veprim”. Prej kur është kurdisur kjo botë, çdo ditë vdekje. Në përmasa globale çdo vit vdesin rreth 56 milionë njerëz, pjesa dërmuese e tyre në vendet e zhvilluara. Vdekja është stëraktualizuar në veçanti tani, në kohë pandemie. Atë e ndjejmë më afër se çdoherë, sepse virusi për disa ditë, prej këndej mund të na çojë andej. “Vdekja, sëmundja më tmerruese, s’është asgjë për ne, derisa ekzistojmë, përderisa nuk është me ne, por kur vjen, ne s’jemi, s’ekzistojmë”-thotë Epikuri.

Vdekja sado e frikshme dhe e tmerrshme të duket e ka dimensionin e vet humanizues, këshillëdhënës, e bën njeriun më fragjill kur i kujtohet, se lë të faraonizohet, ia tregon fundin e pashmanshëm, e ulë përtoke, e bën më modest. I tregon atij se ç’qenie e vogël dhe e pafuqishme është, e shtynë të solidarizohet me të tjerët, të mos mendoj vetëm për veten. Ia jep leksionin më të fuqishëm: “Ke fillim dhe ke mbarim”. “ Jeto sa të jetosh, ngado që të kthehesh, vdekatar je”. “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen” (Kur’ani). Vdekja e tjetrit na e ftohë jetën, na i këput këmbët dhe shpresat e pafundëta. Por edhe fatalizmi dhe zezënia e krijuar nga kumtuesit e vdekjes nuk krijon shumë ambient për jetë normale. Narracioni që në epiqendër ka frymën e fundit, llogarinë, ndëshkimin, ta bën jetën ferr qysh këtu. Ky është skaj tjetër, ekstremi tjetër karshi shoqërisë hedoniste, sensualiste.

Imagjinoni të ndëgjoni një fëmijë të njomë, 5-6 vjeç, që ju këndonë “Më hidhni dhe mbi varrin tim!” Edhe këngët fetare të viteve të fundit, ilahitë, pjesa dërrmuese godasin nga teli i vdekatarisë. Në rregull, kulltura jonë, vdekjen e kupton si natyrshmëri nga e cila na ndan një frymë apo ndërprerje fryme, por deprimimi masovik, defetizmi i turmave përmes mesazheve tepër dëshpërimtare nuk është diskurs i qëlluar. “ Jeta qenka bosh”, “Shtrati im është dheu”, “Ah moj jetë”, “Pse erdha n’dynja?” janë disa nga tekstet që këndohen nga ilahistët dhe që kanë një ritëm që të ndrydh vullnetin për jetë. Shyqyr Zotit që ka edhe të atillë që frymojnë ndryshe: “Mos u dëshpëro, bashkë do ta kalojmë edhe këtë sprovë!” ka shkruar në mars një dijetar shqiptar lidhur me Covid-19. Bukuritë dhe dhuntitë e jetës janë të pakrahasueshme me shëmtitë dhe sprovat e saj. Në jetë ka vend edhe për kënaqësi, shijime gjërash të bukura, por, edhe për asketizëm, pa teprime, pa ekstreme. Covid-19 na e riaktualizoi vdekjen, na e solli më afër, e bëri atë të dukshme. Por kjo s’është arsye për ta mallkuar jetën.

Nëse doni që të jeni të lumtur, kënaquni me atë që keni. Kujtoni gjërat e mira, por të jeni të gatshëm edhe për të papritura. Gëzojuni gjërave të vogla, që të mund të keni një çast, ditë, javë, vit të lumtur! Mos pritni mrekulli, vetë bëni mrekullirat e jetës. Me atë që keni. Besoni në jetë, por mos harroni se një ditë do të ikni.Patjetër! Mundoheni të leni gjurmë që të jeni gjallë edhe pas vdekjes, ngase disa njerëz vdesin përgjithmonë, s’u mbetet gjurmë, kurse disa të tjerë janë të pavdekshëm, ndonëse fizikusi i tyre është tretur, është bërë pjesë e hirit, pluhurit të dheut.

Lumturinë e keni brenda vetes, edhe në këto kohëra kur jemi bërë një me vdekjen. Secili prej nesh ka një mision dhe gjasat për ta përmbushur atë i kemi deri në çastin apo frymarrjen e fundit! Rutinizmi i vdekjes na ka mësuar të mos të shohim shumë larg, të gjejmë prehjen te gjërat që kemi që s’ua kemi ditur vlerën në periudhën para 2020-së. Të mos i shqetësojmë njerëzit me lajme dhe foto, video rreth të vdekurve tanë! Janë bërë rrjetet sociale si skena të defilimit të të vdekurve. Theksi duhet të vihet te të gjallët dhe te përgëzimet, te sukseset dhe të arriturat e të gjallëve të mirë që afirmojnë misionin tonë në këtë botë dhe në univers në përgjithësi. Shkuarja përtej është e pashmangshme, e verifikuar empirikisht, këtë e dimë të gjithë, andaj për të shijuar mirësitë e pavdekësisë atje, duhet bërë më të mirën e mundshme në këtë botë.

   

By admini