Ekskluzive / 76-vjeçari Gjokë Dabaj nga Tivari në një intervistë për të përditshmen shqiptare Dita rrëfen edhe për shpëtimin nga dënimi “Agjitacion e propogandë”, martesa me studenten nga Përmeti, dasma e veçantë në Korçë dhe takimi pas 30 vitesh në Klos të Matit me nënën e tij që kishte ardhur si turiste në Shqipëri
76-vjeçari Gjokë Dabaj: Pasi u verifikua nga Sigurimi i Shtetit dhe Partia se unë nuk isha armik, kur nuk e prisja, nga internimi në Tepelenë, më çuan për studime në Universitetin e Tiranës. Aty u njoha dhe në vitin e tretë u martova me shoqen e jetës, Fotininë. Pas vëllait që erdhi në Shqipëri dy dit me një grup shokës, 30 vite pas arratisjes në Shqipëri, nëna mundi të vijë si turiste dhe më takon në Klos të Burrelit.
Pasi i shpëton dënimit si i akuzuar për agjitacion e propagandë kundër shtetit, atëherë kur nuk e priste, Gjokë Dabajt i jepet bursa për studime në Fakultetin Gjuhë-Letërsi në Tiranë. Aty njihet dhe kur ishte në vitin e tretë martohet me Fotininë, vajzën nga Përmeti. Ndërkohë, pas përfundimit të studimeve, fillon punën si mësues në fshatrat e Matit. Jetën e tin si student, si mësues dhe takimin pas 30 vitesh në Klos të Matit me nënën e tij, të ardhur si turiste nga Jugosllavia, Dabaj i rrëfen në intervistën e tij në vazhdim….
Si vazhdoi jeta juaj pas fillimit të studimeve universitare në Tiranë?
-Gjatë studimeve universitare, unë u njoha me një vajzë nga Përmeti, e cila do të bëhej më pas shoqja ime e jetës. Ajo ishte Fotini Dabaj, që studionte në Institutin dy vjeçar për Gjuhë-Letërsi. Njohja erdhi natyrshëm, ashtu siç njiheshin e martoheshin të rinjtë e asaj kohe në Shqipëri. Po ashtu, edhe dasma jonë ishte një dasmë e veçantë, duke filluar nga vendi, krushqit e dasmorët dhe mënyra e organizimit…
Kur dhe ku u bë dasma juaj?
-Martesa ime me Fotininë u bë në vitin 1979, kur unë isha në vitin e tretë të universitetit. Unë isha njeri i vetëm në Shqipëri, pasi të gjithë familjarët e të afërmit i kisha lënë në vendlindje, në ish-Jugosllavi, isha ndarë me ta nga viti 1962… Gruan, Fotininë, pasi mbaroi Institutin, e emëruan dhe nisi punë si mësuese në Vinçan të Korçës. Edhe dasmën e bëmë në Korçë, por nuk ka lidhje me këtë… Dasmën e bëmë në shtëpinë e njeriut të nderuar, kosovarit Rifat Kuçi…
Kush është Rifat Kuçi?
-Rifat Kuçi është një emër i njohur, është nga Suhareka. Ai, për bindje dhe aktivitet patriotik, është burgosur nga regjimi i Tito-Rankoviçit në vitet 1952-1956 në burgun famëkeq në Golitek. Ai ishte profesori i njohur i gjuhës shqipe në Prizren. I përndjekur nga UDB-ja dhe regjimi vendas, në vitin 1964 ai u detyrua të ikë familjarisht dhe të akomodohet familjarisht në shtetin amë, në Korçë. Unë e njihja Rifatin që më parë, që kur ishte në Prizren… Thashë që njeri tjetër unë në Shqipëri nuk kisha, e ai u bë njeriu im më i afërt. Pra, dasmën e bëmë në shtëpinë e Refatit. Ishte një dasmë e thjeshtë, tradicionale shqiptare, me këngë, valle e dolli. Ai njeri zemër mirë, më trajtoi e më martoi sikur të më kishte fëmijën e tij. Nuk ja kam harruar dhe nuk do ja harrojmë gjatë gjithë jetës, unë, gruaja e fëmijët atij burri… Kështu, edhe pas martesës, unë ndiqja mësimet si student në Tiranë, ndërsa gruaja, Fotini, vazhdonte punën si mësuese në Vinçan të Korçës…. Kështu, unë shkoja e vija në Korçë, deri sa mbarova dhe studimet në universitet…
Ku ju emëruan pas përfundimit të studimeve në Tiranë?
-Më emëruan në rrethin e Matit, mësues në fshatin Fullqet. Në fakt, dëshirë kisha që të më emëronin në qytetin e Burrelit, por e dija se kjo do të ishte vetëm dëshirë, pasi shpesh mendoja me vete se dhe kaq që më kishin dhënë, e kisha tepër… Kjo, edhe pse kisha përfunduar studimet me rezultate të mira… Unë kisha një dosje, dhe ajo do të më ndiqte pas ngado që unë të shkoja… Më kujtohet një detaj nga ditët e para të fillimit të mësimit në Fullqet të Burrelit, që lidhet me Mehmet Cenin, një mësues i njohur në atë zonë e që në atë kohë ishte zëvendësshef i Arsimit të rrethit të Burrelit. Në intimitet ai më tha:”Kemi nevojë shumë për ty në qytet, por nuk mundem!”. Dhe unë e mirëkuptova, e dija këtë…
Më pas, për rrethana që ende nuk u mësuan plotësisht, ky njeri i mirë vrau veten… Kështu, si mësues e gjuhës e letërsisë shqipe, unë dhashë mësim 6 vjet në fshatin Fullqet të Matit… Pastaj, më lëvizën që aty…
Ku u dërguan më pas?
-Më emëruan mësues i së njëjtës lëndë në shkollën e mesme të Klosit në Burrel, që ishte afër rrugës nacionale Tiranë-Peshkopi, e jo shumë larg nga qyteti i Burrelit… Këtu, në Klos, qëndrova e jetova më gjatë… Kështu, nga 400 libra që kisha në bibliotekën time modeste, i bëra 12 mijë. Është një pasuri që unë e ruaj si sytë e ballit dhe e shtoj atë vazhdimisht… Por theksoj këtu, se nuk harroj njerëzit e mrekullueshëm të Klosit, që ishin bashkëqytetarë të mi të gjithë gjendur… Po për këtë do flas më poshtë… Këtu në Klos të Burrelit, unë e bashkëshortja Fotinia, përjetuam gëzimet më të shtrenjta të jetës sonë…
Cilët janë këto gëzime?
-Lindja e rritja e fëmijëve tanë. Këtu më lindën fëmijët, përjashto Dardanin që lindi në Korçë dhe kur unë fillova punë në Klos të Matit, ai ishte tre muajsh. Sot, djali i madh, Dardani, punon dhe jeton në Neë-York të Shteteve të Bashkuara ët Amerikës. Në Klos të Burrelit lindi vajza, Ujkina, sot inxhiniere ndërtimi, drejtoreshë e një firme. Na lindi djali, Auloni, që sot është arkitekt, punon në Tiranë. Po na lindi dhe djali tjetër, Molosi, me profesion inxhinier që sot punon me subjekte të ndryshme në Tiranë dhe ën Durrës. Ndërsa vajza e fundit, Është Ditjona, që lindi në vitin 1981…
Na bën përshtypje se emrat e fëmijëve tuaj, kanë emra vendesh historikë, emra tradicional apo që përkojnë me ngjarje e data të rëndësishme?
-Po, sigurisht që po. Kjo ka qenë dhe mbetet një tendencë për shqiptyarët, veçanërisht për ata që banojnë në trojet e tyre jashtë shtetit amë, apo për shkaqe ekonomike janë në emigracion nëpër botë.
Ja për shembull Dardani, të kujton Dardaninë… Ujkina, një trevë të njohur shqiptare, Auloni e Molosi po ashtu. Ndërsa vajza e ka emrin Ditëjona (Erdhi dita jonë) pasi ajo lindi në vitin 1991, vit në të cilin në Kosovë ndodhën protestat e mëdha që paralajmëronin lirinë e shqipatrëve nga regjimi shtypës serb…
Të kthehemi tek marrëdhëniet me bashkëqytetarët tuaj në Klos?
-Përmenda më lart se mes tyre gëzonim një respekt e admirim të veçantë. Ishim pjesë e gëzimeve dhe hidhërimeve të tyre, sikundër dhe ata pjesë e gëzimeve e hidhërimeve tona. Nga që ishim jabanxhinj, ata bënin çmos që të na i lehtësonin hallet dhe problemet e jetës. Këto lidhje i kemi mbajtur dhe më vonë e vazhdojmë t’i mbajmë edhe tani. Banorët mua më kanë shpallur ‘Qytetar Nderi i Klosit’, e kjo është një nga mirënjohjet që unë atyre ua shpërblej me mirënjohje të pakufishme…
Që nga arratisja më 1962 e në vitet më pas, kishit lidhje me familjen tuaj në Jugosllavi?
-Asnjë kontakt fizik apo telefonik për dekada të tëra. Dihet si ishte ajo kohë. Kishim kontakte tepër të rralla, vetëm me letra. Dhe komunikimi me letra (shumë i rrallë, siç ju thashë), nuk bëhej direkt por nëpërmjet njerëzve tanë që kishim në Stamboll të Turqisë. Babai shkruante letrën për mua e ua dërgonte njerëzve në Stamboll, ndërsa ata, ma nisnin mua nga Stambolli në Shqipëri.
Po kontaktet e para fizike me familjarët kur i keni pasur?
-Vetëm pas 18 vitesh munda të takoj vëllanë. Kur u arratisa nga Jugosllavia, ai ishte vetëm 13 vjet. Pra, ishte burrëruar, shkolluar e martuar… Në vitin 1981, vëllai im, Palë Dabaj, me një grup inxhinierësh të Obiliqit, vijnë për probleme pune në Shqipëri, ashtu siç vinin atëherë, në bazë të marrëveshjeve që kishin du shtetet, Shqipëria dhe Jugosllavia. Lajmërohem për këtë, e më japin lejë të takohem. Shkoj e rri me ‘të dy dit në Shkodër. Thashë se e kisha lënë 13 vjeç kur u arratisa në Shqipëri, e ai tani ishte 31 vjeç. Qamë sa nuk pushonim dot. Nuk e besoja se do ja arrinim kësaj dite. E pyesja për babanë, nënën, për shokë e miq, e bisedat tona nuk kishin të mbaruar. Kujtoj se atë kohë, jo vetëm vëllai, por dhe shokët që ishin me të e që kishin mundur të vinin në shtetin amë, ishin tejet të lumturuar. Shkonim ato dy netë në ato koncerte e lokale ku këndoheshin këndë shqip. Qante vëllai, qanin edhe shokët kur këngëtari i talentuar Sali Mani këndonte këngë për Enver Hoxhën e për Shqipërinë. Enveri ishte idhull për kosovarët atë kohë, ndërsa Shqipëria identifikohej nga ne njëlloj si nëna biologjike…
Ndonjë të veçantë gjatë takimit të parë me vëllanë e shokët e tij?
-Janë të shumta. Nuk mjaftonin orët e ditës, por natën e kalonim pothuaj të pa gjumë. Vinin me radhë në dhomën ku flija unë, e bisedonin e qanim… Mall për ndarjen e largët, por dhe dhimbje për situatën e rënduar në Kosovë nga shtypja e shtetit serb… Ditëk e qëndrimit të tyre kaluan shpejt, e erdhi ndarja… Atë tani e kam të vështirë ta përshkruaj… Por ky çast do të vinte… Gjithë se si, për herë të parë pas 18 vitesh, unë isha takuar me vëllanë, të vetmin pjesëtar të familjes që kisha lënë pas ikjes në vitin 1962. Diçka prekëse me vëllanë, para se ai të largohej. U ndamë me një anë dhe më afroi 13 mijë marka dhe më tha: “Mbaji, të duhen për hallet që ke!” I thashë se nuk më duhen pasi isha mirë e atyre që ishin shumë njerëz, këto para u nevojiteshin… Por të them të drejtën, atëherë nuk mund të pranoje para kështu në Shqipëri, pa deklaruar, pa e ditur shteti. Vëllai këmbënguli. E kuptoi me sa duket, e shkoi aty në sportel të ‘Turizmit’, i ktheu markat në lekë shqiptare e m’i dha mua. I mora, pasi ishte e pamundur t’i refuzoja… Në fakt, unë kisha marrë nja 30 mijë lekë borxh, e paratë që më dha vëllai, ma zgjidhën këtë problem…
Po takimi i parë me nënën?
-Eh. Pas shumë vitesh, pas rreth 8 vitesh… Po bëheshin 30 vjet që nuk ishim parë. Bile, dhe kur erdha ilegalisht kufirit, për shkak të konspiracionit të detyrës që më ishte ngarkuar, unë nuk u thashë asgjë. Vetëm pasi shokët u bindën se unë isha futur në Shqipëri pa problem, diçka i kishin thënë babait, por i kishin thënë se do të kthehesh pas 5-6 ditësh. Por kishin kaluar rreth 30 vite, e unë s’u ktheva dot në vendlindje…
Po nëna juaj, si mundi të vijë në Shqipëri?
-Histori më vete dhe kjo. Mundi të sigurojë një ardhje me vizë si turiste. Sigurisht, ardhja e saj kishte të bënte me mua. Nuk më kishte parë e nuk e kisha parë për tri dekada. Isha martuar, kisha lindur fëmijët, ata ishin rritur, e nëna nuk i kishte parë. Erdhi nëna, e si i themi ne, ‘ma gjeti shtëpinë’ në Klos të Burrelit. Nuk jam në gjendje që ta përshkruaj tani takimin me të… Nuk jam në gjendje të përshkruaj përqafimin e nënës me fëmijët e mi, me bashkëshorten… Por ardhja e nënës time, ishte festë edhe për bashkëqytetarët e mi në Klos të Burrelit. Është pak ta them që e pritën si ‘Ambasadore’. Shqipërisë në atë kohë i mungonin shumë gjëra, por fqinjët, shokët e shoqet u kujdesën për gjithçka, u kujdesën që në shtëpi të mos mungonte vaji, sheqeri, kafeja, orizi, mishi…. Siç i themi ne, u kujdesën që të kishte dhe ‘qumësht dallëndyshe’, që nëna të ndjehej sa më mirë….
Sa kohë qëndroi nëna në Shqipëri?
-Qëndroi tre muaj, aq sa e kishte dhe vizën turistike. U çmallëm, por mungesa e afro 30 viteve, nuk mund të kompensohej… Hynin e bisedonin me nënën njerëz pa pushim. Lotonte nëna kur dëgjonte t’i thoshin fjalët më të mira për mua, për familjen time. “Nuk e kam parë djalin për 30 vjet, e kam lënë në duart tuaja të sigurta nëna”, u thoshte ajo mes lotëve.
Pati ndonjë reagim nga nëna juaj për situatën tënde shoqërore e ekonomike, për qytetin ku jetonit?
-Jo, jo. Nëna ime fisnike, edhe pse i kuptonte ca gjëra që asaj i dukeshin absurde(bie fjala kolektivizimi), nuk tha një fjalë… Nuk donte që të shtonte ndonjë brengë jetës sime, që dhe ashtu siç kishte ardhur deri në atë ditë, nuk i kishte të pakta… Vetëm në një rast të vetëm, nëna bëri një konstatim dhe më tha diçka…
Më konkretisht?
-Gjatë kohës që nëna ishte tek unë, e shëtitëm nga mundëm. Shpesh, pasditeve, e nxirrnim dhe në periferi të qytezëz ku banonim, ku ishin dhe ekonomitë bujqësore, administratat dhe peisazhi i zakonshëm i jetës kolektive në fshat në atë kohë. Në një moment kur u ndodhëm para një stalle lopësh, nëna qëndroi pak, pasi diçka i kishte bërë përshtypje. Lopët e kooperativës, ishin shumë të dobëta. Asaj, duke i krahasuar me lopët që kishin fshatarët andej(të mbajtura mirë, të shëndosha), mu drejtua dhe më tha: “Kështu i keni lopët të gjitha në Shqipëri, more bir?!”. “Po”, ja ktheva unë. “Ah more bir, nuk paskeni gjë kështu”, vazhdoi ajo. Por mos harrojmë, se në sytë e bashkëkombasve jashtë kufijve, Shqipëria ishte shteti amë, nuk shahej… Edhe po të kishte diçka që stononte… /dita/
Interviste dhe rrefim interesant. Me kujtohet vellau i tij Gjoka ne Prishtine. Ne ishim si student e Gjoka punonte ne Obiliq. Djalosh i mire ka qene Gjoka dhe i afert me ne studentet nga Ulqini.
Me falni desha te them me kujtohet vellau i Gjokes, Pala, se Gjoken nuk e njoh dhe as Palen nuk e kam pa qysh me 1981!