Nga Frank Shkreli
Nuk është vonë kurrë për të dënuar kriminelët dhe krimet e nacizmit dhe të komunizmit. Deutshe Welle dhe media të tjera gjermane njoftuan ditët e fundit se prokurorët gjermanë kanë përgatitur akuzat kundër një numri personash që thuhet se shërbenin si roje në kampin nazist të përqëndrimit në Auschwitz, megjithse ka kaluar një kohë e gjatë dhe megjithë faktin se më i riu ndër ta thuhet të jetë jo më pak se 87 vjeç.
Njoftohet se zyra e prokurorit gjerman në Frankfurt ka paraqitur një akt-padije kundër një 96-vjeçari — një ndër të fundit që ende janë gjallë — nën akuzën se kishte pasur gisht në vrasjen e mijëra të burgosurve, nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Media njofton se personi në fjalë, emri i të cilit nuk njoftohet, kishte qenë anëtar i forcës ushtarake elitare naziste SS dhe si i tillë kishte shërbyer si roje në kampin Lublin-Majanek, në territorin polak të okupuar nga Gjermania naziste, aty ku sipas të dhënave historike, kanë gjetur vdekjen dhjetra mijëra hebrejë dhe pjesëtarë të grupeve të tjera pakicash etnike. Në një deklaratë të prokurorëve gjermanë, gjithnjë sipas medias, thuhet se personi në fjalë, i cili në atë kohë ishte në moshën 22 vjeçare, “Kishte dijeni për tmerin e vrasjeve të organizuara në masë dhe e dinte se të burgosurit, të cilët përballeshin me fatin e tyre, si të pafajshëm dhe të pa mbrojtur, janë vrarë për arsyet më çnjerzore që mund të merren me mendë.” Në atë deklaratë të prokurorëve gjermanë theksohet gjithashtu se, “Duke qenë pjesë e grupit të rojeve të burgut”, personi në fjalë i akuzuar nga prokurorët, “ka qenë kontribues në ekzekutimet” (e Festivalit Erntefest) më 3 Nëntor, 1943 ku u u vranë të pakën 17,000 të burgosur hebrejë, pasi u detyruan të hapnin vet varrezat e veta. Në këtë mënyrë, si roje e burgut, deklaruan prokurorët, personi në fjalë, duke ditur se ç’po nddhte dhe me vullnet, ka “mbështetur këto akte barbare”, thuhet të deklaratën e Prokurorisë gjermane në Frankfurt.
Gjermania, njihet si vendi që gjatë viteve, ç’prej periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore e deri në shembjen e komunizmit dhe më pas, jo vetëm që ka ndjekur për të kapur dhe arrestuar ish-zyrtarët nazistë kudo qofshin ata dhe për t’i sjellur para drejtësisë, por vazhdon të jetë edhe sot shembull për vendet ish-komuniste, për rishikimin e së kaluarës komuniste dhe hapjes së dosjeve. Me përvojën dhe eskperitzën e saj, Gjermania është duke i treguar vetes dhe të tjerëve se nuk është vonë kurrë të dënohen kriminelët dhe keqbërsit, qofshin ata nazistë ose komunistë, ashtuqë më në fund të mësohet e vërteta e atyre krimeve ç’njerzore. Këtë e ka bërë dhe e bën edhe për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm, me qëllim që ajo histori e tmershme jo vetëm të kujtohet, por të mos harrohet, me shpresë që të mos përsëritet më.
Sipas medias gjermane, rasti i këtij personi dhe të tjerëve si ai, gjykohen duke u bazuar në një standard të ri provash. Me fjalë të tjera, mjafton që i akuzuari të përballet me drejtësinë, nëqoftse ka punuar në një kamp përqëndrimi ku janë vrarë të burgosurit, madje edhe nëse nuk ekzistojnë prova se ai ka patur lidhje të drejtë për drejtë me vrasjet ose zhdukjen fizike të burgosurëve.
A me të vërtetë duhet të harrohen këta persona dhe krimete tyre, ashtu siç pretendojnë disa — që me dijeni dhe me vullnet kanë marrë pjesë në krime të tilla barbare, qoftë gjatë nacizmit, qoftë gjatë komunizmit — krime të cilat shpesh kalojnë çdo imagjinatë njerëzore, për nga barbarizmi i njeriut kundër njeriut?
Gjermania, e cila i ka provuar duke i përjetuar krimet e të dy këtyre ideologjive vrarëse, thotë: Jo. I thotë vetes dhe botës, se pa marrë parasyshë sa kohë ka kaluar, nuk mund të vendoset asnjë afat për zbulimin e krimeve dhe as për gjykimin dhe dënimin e atyre personave që kanë marrë pjesë në ato krime ose që kanë qenë dëshmitarë të krimeve kundër njerëzimit, gjatë shekullit të kaluar. Gjermania, me vepra dhe me prova, i thotë botës se kurrë nuk duhet të skadojë afati që kriminelët të përballen me drejtësinë dhe kurrë nuk duhet të jetë vonë për zbulimin e të vërtetës.
Ky mesazh nuk është vetëm i Gjermanisë për gjermanët, por duhet të jetë një mesazh universal për mbarë botën e qytetëruar, përfshirë botën shqiptare, se pa marrë parasyshë kalimin e kohës, krime të tilla kundër njerëzimit, të kryera nga nacizmi dhe komunizmi gjatë shekullit të kaluar, nuk duhet të tolerohen kurrë nga asnjë shoqëri e civilizuar dhe se kurrë nuk duhet pushuar të kërkohet dhe të zbulohet e vërteta.