Javën e kaluar para ndërtesës së Komunës së Ulqinit u organizua një protestë e qytetarëve, të cilët ngritën zërin kundër vendimeve të Qeverisë së Malit të Zi që ullishta mos t’u kthehet ish – pronarëve në gjirin e Valdanosit. Atë ditë ishin bashkuar afro 100 qytetaarë të pakënaqur e të zhgënjyer. Kishin ardhur vetë, të paorganizuar dhe të pastrukturuar, pa asnjë parullë , si qytetarë të lirë, ashtu siç u ka hije, për të kërkuar pronën e tyre dhe të baballarëve, të cilën e shfrytëzonin me shekuj. Të gjithë prisnin me padyrim t’u drejtohet dikush nga pushtetarët vendorë e qëndrorë , që atë ditë bisedonin për këtë çështje kaq të rëndësishme e madhore në zyrën e kyretarit të komunës, e cila do të duhej të preokupojë të gjithë opinionin e kësaj komunë. Por çuditërsiht kurrkush nuk u tha asgjë, asnjë fjalë. Protestuesit ndiheshin të braktisur. Të vetmuar. Të pafuqishëm për të reaguar karshi kërkesave të tyre legjitime. Të ndodhur në këto kushte, këta njerëz të pashpresë pas gati dy orësh qëndrimi nën qiellin e hapur para ndërtesës së komunës u shpërndanë të qetë, ashtu siç kishin ardhur, por më të hidhëruar. Me këtë logjikë po i bie se ullishta u takon vetëm protestuesve pjesëmarrës?
Çfarë e karakterizoi këtë protestë, e cila më shumë ngjau në një tubim spontan të qytetarëve rreth një çështje shumë më pak të rëndësishme seç ishte kjo e asaj ditë?
Një reagim i dobët qytetar ndaj shkeljes së të drejtave të tyre nga ana e pushtetarëve në njërën anë, dhe një sjellje inferiore e pushtetarëve ndaj kërkesave legjitime të qytetarëve, në anën tjetër. Shkaqet e oponencës së vogël qytetare, respektivisht të këtij nënshtrimi qytetar janë të shumta, kurse rrënjët e hershme. Në numrin e njerëzve në protestë konsideroj që ndikuan disa faktorë, ndër të cilët po përmend mungesën e guximit qytetar , nivelin e ulët të vetëdijes kolektive, mentalitetin komunist të frikës nga politika dhe presionet nga jashtë.
Qytetarët, as pas 26 vitesh të sistemit plularist, nuk po e ndiejnë veten të lirë të luftojnë për për të drejtat e tyre. Disa njerëz, në mesin e tyre për fat të keq edhe intelektualë , ose nuk duan ose nuk dëshirojnë të dinë se çka është protesta. Nga kokat e tyre assesi të shlyhet bindja se frika është intstrumenti më i vjetër i pushtetit.
Kur do ta kuptojmë se protesta përgjithmonë ka qenë, është dhe do të mbetet vlerë e përgjithshme qytetare dhe obligim moral i secilit qytetar, e jo heshtja? Kur do të arrijmë që heshtjen ta shndërrojmë në protestë dhe protestën ta bëjmë normë shoqërore, morale dhe filozofi të jetës sonë shoqërore e politke , siç e bën bota e civilizuar?
Përgjigjja është: Kur të kuptojmë se mosreagimi nuk na nderon, se pasiviteti sjell sundim , se jemi të barabartë me ligjin, se një e ardhme e mirë nuk vjen vetë, se së fundmi protesta është arma e vetme për të mos heshtur para padrejtësive, që nesër nuk do të na mbyllin rrugën, por edhe sytë dhe veshtë.