“FATI I POPULLIT TIM ËSHTË EDHE FATI IM”- kështu kishte thënë i madhi Pjetër Bogdani, qysh para më shumë se 300 vjetëve.
Nikë Prela: “Në popullin tim e gjeta vetvetën”. Gjatë periudhës 1981-1989 Nikë Prela ishte i vetmi zë në mbrojtjen e çështjes së Kosovës. Ai ishte edhe krah i fortë i presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës
Koha kur imzot Nikë Prela kishte ardhur me shërbim në mesin e shqiptarëve të Kosovës, e që ishte vendosur në Ferizaj, në mungesë të lokalit për ipeshkvijë në Prizren, atmosfera politike nuk ishte e volitshme. Në fakt, ai kishte ardhur në Kosovë menjëherë pas demonstratave studentore të viteve 1968-1970. Në atë kohë të pa kohë në Kosovë ndihej mungesë e madhe e klerikëve shqiptarë, ishte mungesë e lirisë fetare e kombëtare për shqiptarë, ishte mungesë e objekteve kishtare, e shtëpive për priftërinj e motra nderi, ishte mungesë e madhe e literaturës dhe e shtypit fetar në gjuhën shqipe.
Do të ndodhin ngjarje shumë të rëndësishme
Pra, në kohën kur imzot Prela ishte ipeshkëv rrethanat shoqërore dhe politike ishin mjaft të ndërlikuara dhe të tensionuara. Për këtë arsye imzot Prela shpesh thoshte: “Po zihet moti si para shiut apo breshërit. Do të ndodhin ngjarje shumë të rëndësishme. Zoti na ndihmoftë e na ruajtë nga e keqja. Gjatë jetës sime mjaft shpesh kam përjetuar që kafshata të na vijë deri te goja, por jo edhe në gojë. Shpresoj se kësaj radhe nuk do ta humbim rastin. Besoj se ky rast do të jetë mjaft i mirë për popullin tonë”.
Po ashtu, edhe në takimet e shpeshta që kam pasur edhe vetë unë, autor i këtyre pak rreshtave, sikurse edhe në mjediset tjera, imzot Nikë Prela thoshte: “Deri sa isha me shërbim në trojet shqiptare, por edhe në ato të përziera në Mal të Zi, jetoja për shqiptarët, kurse që kur jam në mesin e njerëzve të gjakut tim, në popullin tim e gjeta vetvetën plotësisht. Dhe, nëse e kërkon nevoja jam i gatshëm që edhe jetën ta flijoj për popullin tim shqiptar pa dallim feje. Me fjalë të tjera, siç ka thënë i madhi imzot Pjetër Bogdani se “Fati i popullit tim është edhe fati im”. Me fuqinë e fesë dhe me frymëzim dashurie ishte vëlla, mik, prind dhe njeri i Zotit dhe i popullit për të gjithë njerëzit pa dallim feje. Në asnjë moment imzot Prela nuk e nënçmoi apo e dëboi askë mbi baza kombëtare apo fetare. Për të gjitha këto virtyte, që i pat shkelqësia e tij, edhe sot njerëzit e kujtojnë me nderim dhe falenderim.
Imzot Prela pat kujdes të madh për meshtarë, për rregulltarë dhe rregulltare, për thirrje të shenjëta, për besimtarë, si dhe për mbarë popullin shqiptarë. Gjatë shërbimit të tij në detyrën e ipeshkvit ai disa herë u takua me papët e kohës të Vatikanit, si dhe shumë herë me Nënën Tereze.
Imzot Nikë Prela kishte qëndrim të veçantë ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe të hendikepuarëve. Ishte gjithmonë i gatshëm të ndaj edhe kafshatën e gojës dhe petkun e trupit, sidomos për skamnorët. Gjatë veprimtarisë së tij në Kosovë ndihmoi varfënjakët me çka pat dhe sa mundi. Bile, në Ferizaj, në vitin 1990, gjashtë familjeve skamnore u ngriti shtëpi, pastaj e ndihmoi popullatën shqiptare me ilaqe e kujdes mjekësor, në veçanti ndihmoi më se 7500 fëmijë dhe të rinj shqiptarë, të cilët i helmoi okupatori serb. Ndihmoi masën e gjerë popullore shqiptare në Kosovë kur çdo ditë e më shumë po shtohej varfëria, veçmas në vitet 90 (pas vitit 1990) pas largimit nga puna të punëtorëve shqiptarë nga okupatori serb. Së bashku me dr. don Lush Gjergjin, pastaj me don Zef Gashin (tash arqipeshkëv i Arqipeshkvisë së Tivarit), me profesor Anton Çettën, me akademik Fehmi Aganin, por edhe me shumë veprimtarë të tjerë, themeluan Shoqatën humanitare bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze”.
Imzot Nikë Prela, së bashku me imzot Nikollë Minin, famullitar në Prizren, ishin edhe themelues të revistës fetaro-kulturore “Drita”, si dhe të shtëpisë botuese katolike me të njëjtin emër, si e tillë ishte e vetmja në botë. Imzot Nikë Prela në veçanti u dallua në krijimtarinë letrare e shkencore. Ai ka shkruar disa vepra, por edhe ka përkthyer shumë sosh.
Bashkëpunoi ngushtë me Ibrahim Rugovën
Kontribut të madh ka dhënë sidomos në ngritjen e zërit për çështjen kombëtare shqiptare dhe të Kosovës, që nga viti 1981, kur ishte i vetmi zë shqiptar deri në vitin 1989, por edhe deri kur kaloi në amshim trokiti vet, por edhe me shkresa protestuese pothuajse nëpër dyert e të gjitha shteteve evropiane, të SHBA-ve, si dhe në Kombet e Bashkuara.
Madje, ai me shumë veprimtarë të tjerë dhanë kontribut të madh në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve dhe të ngatërresave ndërshqiptare. Ishte dorë e djathtë e udhëheqësve shqiptarë, sidomos bashkëpunoi ngushtë me presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, por edhe me institucionet e asociacionet tjera të kohës të Republikës së Kosovës. Në veçanti ai ishte një parashikues i mirë i ardhmërisë së çështjes shqiptare dhe të Kosovës.
Do përmendur se imzot Nikë Prela nuk kishte pasur shëndet të mirë, që ishte pasojë e mundimeve nëpër burgje. Për këtë kishte shkuar edhe në Itali më parë, si dhe në Igallo të Hercegnovit (në Mal të Zi). Ndërkaq, më 27 maj të vitit 1984, në udhëkryqin e Kamaranit, afër Gllogovcit, kishte pësuar në një fatkeqësi të komunikacionit, ku kishte marrë lëndime të rënda trupore, që do të thotë se kishte thyerje të kërdhokulës në këmbën e djathtë. Ipeshkvin e lënduar nga vendi i ngjarjes e kishte marr Shaban Hyseni dhe e kishte dërguar në Spitalin e Prishtinës. Në anën tjetër, më 30 maj të po atij viti, në Klinikën Ortopedike të Shkupit ipeshkvi pati një operacion të rëndë dhe të ndërlikuar. Më vonë shkoi në Ohër (korrik 1984) për shërim, pastaj edhe në Bajë të Kllokotit dhe (më 4 mars 1985) dhe më vonë në Qendrën mjekësore për eshtra në Risan (Mali i Zi). Megjithatë, gjatë vitit 1995, iu desht t’i nënshktrohej katër operacioneve të rënda në Itali. Kjo e detyroi ta amputojë këmbën e djathtë kështu që deri në vdekje jetoi me karrocë. Për këtë fatkeqësi Imzot Nikë Prelës i shkruan Nëna Tereze: “Më vjen shumë keq për fatkeqësinë tuaj. Le t’ju ndihmojë dhe t’ju ushqejë lutja në këto çaste të vështira”.
Imzot Prela gjatë jetës së vet 78-vjeçare, 14 vjet shërbeu në Sutomore e 14 në Muo të Malit të Zi, si dhe 27 vjet ishte në detyrën e ipeshkvit të Kosovës, që do të thotë se ai pa ndërprerë punoi 55 vjet. Do përmendur se imzot Prela ishte ipeshkvi i parë shqiptar, në nivel të Ipeshkvisë Shkup-Prizren, pas 48 vjetëve, përkatësisht pas imzot Lazër Mjedës.
Imzot Nikë Prela, edhe pse i kishte mbushur 75 vjet qysh më parë, në pension shkoi në moshën 78-vjeçare.
Mirëpo, vetëm pas shtatë ditëve të dorëzim-pranimit të detyrës ipeshkvit të ri imzot Mark Sopit, që u bë në Konkatedralën e Zojës Ndihmtare në Prizren, më 18 shkurt të vitit 1996, kaloi në amshim më 25 shkurt 1996, kurse mesha e dritës dhe përcjellja iu mbajt më 26 shkurt, përkatësisht mesha përkujtimore dhe varrimi i të ndjerit u bë në Prizren, në mënyrë madhështore, më 27 shkurt të po atij viti (1996).
Me rastin e kalimit në amshim të imzot Nikë Prelës, Ordinariatit Ipeshkvor në Prizren i kishin arritur shumë telegrame ngushllimi, e ndër ta edhe nga dr. Ibrahim Rugova, kryetar i Republikës së Kosovës.