Nik-prela-kotor-sutomoreNIKË PRELA U LIND KUR RANË DY PERANDORI E FILLOI NJË TIRANI (II)

Nga Frrok KRISTAJ
Ipeshkvi shkollimin e filloi në Kotorr, e vazhdoi në Split, kurse e kreu në Strasburg të Francës. U shugurua meshtar në Kotorr, më 13 qershor 1941. Shërbeu si famullitar në Muo e në Sutomore, më 2 tetor 1969 u emrua ipeshkv ndihmës në Ipeshkvinë Shkup-Prizren, kurse shërbeu në Kosovë deri në vdekje (1995). Për shkak se gjithmonë mbajti shtetësi shqiptare u burgos disa herë

Nikë Prela u edukua nga prindërit e tij të ndershëm dhe besimtarë të përkushtuar, që më vonë e mori rrugën e meshtarit. Nikë Prela u bë prift, e më pastaj edhe ipeshkëv i devotshëm i kishës katolike, në veçanti i kishës shqiptare katolike të Kosovës.

Imzot Nikë Prela u lind në Kotorr, më 3 korrik të vitit 1918, kurse u pagëzua më 14 gusht. Ishte në rrezik edhe të mos lindet, sepse, kur e ëma e tij ishte shtatëzënë, mjeku i quajtur Galvanie, e kishte këshilluar të abortojë, për shkak se ajo kishte shëndet të lig dhe ishte anemike. Nëna Çiçile, si nënë shqiptare (gjithmonë e ka mbajtë veshjen shkodrane), nuk abortoi, por rrezikoj dhe me vështirësi të mëdha e lindi Nikollën, përkatësisht Nikën.

Do përmendur se babai i imzot Nikë Prelës, Gjergji kishte qenë dy herë i martuar. Me gruan e parë, që i kishte vdekur, kishte pasur pesë fëmijë, prej tyre tre djem dhe dy vajza, kurse me gruan e dytë, Çiçilën, po ashtu i kishte pasur pesë fëmijë, prej tyre tre djem dhe dy vajza. Nikë Prela kishte qenë fëmijë i nëntë i babait, kurse i katërti i nënës së tij. I ati i Prelës me bashkëshortën e parë i kishte pasur dy fëmijë me emrin Nikollë (Nikë), por që të dy i kishin vdekur, kurse me bashkëshortën e dytë e kishte Nikollën që i kishte jetuar, pra Nikë Prelën.

Ish-Jugosllavia nuk i njihte popujt josllavë
Prindërit e imzot Nikë Prelës kishin pasur një pasuri modeste. Ata ishin të njohur si rrobaqepës dhe tregtarë të dalluar. Ishin punëtorë të vyeshëm dhe shpirtërisht të pasur. Mirëpo, kur u lind Nika, pak vite kishin kaluar nga përfundimi i sundimit të Perandorisë Otomane, përkatësisht ishte kohë kur shkatërrohej edhe perandoria tjetër, ajo e Austro-Hungarisë. Pra, ishte koha kur po binin dy perandori të mëdha, por edhe kur  po themelohej një shtet fantazmë, që do të quhej Jugosllavi e serbëve, e kroatëve dhe e sllovenëve, shtet, i cili që në fillim nuk i njihte popujt josllavë brenda territorit që mëtonte ta kishte. Ndaj, edhe luftërat e kishin bërë të vetën dhe pasuria e familjes Prela ishte shkatërruar. Dhe, ja familja e Nikë Prelës, por edhe vet ai, Nika, mbet gjithmonë i huaj në vendin e vet, përkatësisht në shtëpinë e babait e të stërgjyshërve të vet.
Nikë Prela shkollën fillore dhe tri klasë të gjimnazit i kreu në vendlindje – në Kotorr, kurse klasën e katër e vazhdoi pas dhënies së dy provimeve (gjuhën latine dhe greke) diferenciale në gjimnazin klasik në Split. Studimet filozofike – teologjike i kreu në Split të Kroacisë dhe në Strasburg të Francës. Bile, pat probleme deri sa ishte në shkollim në Split. Atje Nikën kompetentët e detyruan të paguaj tatim si i huaj (e trajtonin si shqiptar i Shqipërisë) për banim dhe për mësim (!?) edhe pse ishte i lindur në Kotorr. Po ashtu, derisa ishte në studime në Strasburg kishte kërkuar pasaport nga Ambasada e Shqipërisë, të cilin e kishte marrë, por me emër tjetër, ashtu siç i kishte regjistruar prindi fëmijtë e tij në Shqipëri. Nikë Prela së bashku me prindërit e tij disa herë kishin shkuar në Shqipëri, sidomos në Shkodër te prindërit e nënës – dajat e tij.

Pas kryerjes së studimeve shugurimin si gjakon e bëri në Perast, kurse shugurimin meshtarak dhe meshën e parë i bëri në Kotorr, në Ditën e Shën Ndout, më 13 qershor të vitit 1941, pa ndonjë ceremoni festeje.  Shugurimin dhe meshën e parë, i kishte pritur me gëzim, ishin mbajtur në kohën e bombardimeve dhe të rreziqeve të shumëta të fillimit të Luftës së dytë botërore.

Nikë Prela më pastaj shërben famullitar në Sutomore (1941-1954) e më vonë edhe në Muo, nga viti 1955 deri  më 1969. Ishte dalluar në shumë veprimtari meshtarake, si prift i zellshëm, si predikator i guximshëm dhe si njeri me zemër të madhe. Për këtë që besimtarët dhe vendasit e tij në Kotorr, si dhe në vendet ku kishte shërbyer, e quanin “ don Nikua ynë”. Megjithatë, Nikë Prela gjatë shërbimit në Sutomore të Malit të Zi, nga të patenzonët, ishte burgosur  vetëm e vetëm se kishte kërkuar shtetësi jugosllave, kurse ai konsiderohej shtetas i Shqipërisë, por ishte edhe shqiptar dhe prift katolik, që për pushtetin sllav të kohës, nuk ishte i dëshiruar. Burgun hetues, që i kishte zgjatur afro tri vjet, e mbajti në Cetinë, ku siç thoshte ai deri sa ishte në jetë, “në burg më kanë munduar me punë të rënda fizike, me etje, uri, me spiunime, me rrahje e maltretime të ndryshme psikike, si dhe me kërcënime”.

Meqenëse burgu hetues kishte zgjatur shumë, nëna e tij kishte bërë ankesë te Tito-ja, i cili kishte kërkuar të mbahej menjëherë gjykimi. Gjykimi ishte mbajtur në Tivar, ku ishte dënuar me katër vjet heqje lirie. Pas ankesës i ishte hequr një vjet dhe duhej t’i mbante tri vjet burg. Nga Cetina e kishin dërguar në vuajtje të dënimit në Kotorr, ku të burgosurit i shtynin të punonin nëpër kanalizime të qytetit, ku një herë e kishte parë edhe nëna e tij djalin duke punuar, për çka Nika ishte prekur shumë.
Nikë Prela kur evokonte kujtime nga vuajtjet në burg thoshte: “Nuk dij se si kam mbetur gjallë. Me ka ndihmuar Zoti, feja, urata… Bile, në trup deri në varr do t’i barti gjurmët dhe shenjat e palshyeshme të maltretimit fizik. Në anën tjetër, tri herë më kanë çuar me dhunë në kufi me Shqipërinë kinëse si spiun i tyre vij në ish – Jugosllavi, përkatësisht kinëse nuk dëshiroja të jetoj në ish – Jugosllavi dhe shkoja për të spiunuar në Shqipëri. Më kanë thënë se “e do më shumë Papën fashistë se Titon komunist”. Dhe, siç thotë dr. don Lush Gjergji, as në raste të tilla nuk iu ka trembur syri, nuk ka lëshuar pe, por trimërisht dhe heroikisht Nikë Prela e ka dëshmuar fenë katolike, besnikërinë ndaj Zotit, dhe besnikërinë ndaj popullit të vet shqiptar.

Ishte i përndjekur dhe i burgosur
Në Mal të Zi ishte i përndjekur, i burgosur vetëm se ishte shqiptar dhe se këtë përcaktim asnjëherë gjatë jetës së tij nuk e kishte mohuar. Për këtë arsye edhe konsiderohej si shqiptar i rrezikshëm, si shqiptaromadh, si njeri që Zotin dhe popullin e vet i do dhe i rrespekton pamasë dhe mbi të gjitha.

Pas shërbimit të tij në Muo, nga ana e Papës emrohet ipeshkëv ndihmës “sedi datus” për besimtarët shqiptarë të Kosovës në kuadër të Ipeshkvisë Shkup – Prizren. Ky emrim ishte bërë më 2 tetor 1969, kurse ishte shuguruar ipeshkëv në Sarajevë më 21 dhjetor të po atij viti. U intronizua në Konkatedralën e Zojës Ndihmtare në Prizren, më 6 janar të vitit 1970. Për emrimin e tij ipeshkëv kishte diskutuar edhe Kuvendi i Kosovës. Në fakt, pas vendosjes së marrëdhënieve dilomatike në mes të ish-Jugosllavisë me Vatikanin në vitin 1966, kishte mbetur një obligim, që me rastin e emrimit të ipeshkvijve duhej të jepej pëlqimi edhe nga shteti (lexo: ish-Jugosllavia). Megjithatë, me rastin e diskutimit në Kuvend të Kosovës, për emrimin ipeshkëv të Nikë Prelës, ndër të tjera ishte thënë se ai “nuk angazhohet për çështjen shqiptare, se Kosova ka nevojë për një ipeshkv që angazhohet për çështjen shqiptare, se ai duhet të jetë proshqiptar (!)”. Dhe, shih tash kur në Mal të Zi ndiqej si shqiptar, në Kosovë akuzohej si antishqiptar! Duhet thënë se imzot Nikë Prela në ish-Jugosllavinë monarkike ishte i anatemuar dhe i përjashtuar, në ish-Jugosllavinë komuniste ishte i përndjekur dhe i burgosur, por edhe në kohën e shthurjes së ish – Jugosllavisë ishte i sulmuar, i etiketuar se po i helmon të rinjtë shqiptarë, se po propagandon nëpër botë kinëse shqiptarët në Kosovë nuk kanë kurrëfarë të drejtash elementare, se po vriten e burgosen shqiptarët e shumëçka tjetër. Megjithatë, edhe pa pëlqimin e organeve shtetërore imzot Nikë Prela mbet ndihmësipeshkëv i Ipeshkvisë Shkup – Prizren, i angazhuar për punë me besimtarët katolikë shqiptarë në Kosovë dhe në nivel të Ipeshkvisë Shkup – Prizren, ku katolikët shqiptarë  përbënin 90 për qind të besimtarëve katolikë.

By admini