Aurenc Bebja (Francë), 19 Mars 2016
Shkrimi më poshtë, në një gegnishte të mrekullueshme, i cili më ra në dorë falë mikut dhe kontribuesit tim të parë në blog, Avni Dani, na kthen në Matin e vitit 1930.
Kol Mjeda, deputet i dikurshëm i Dibrës, bashkë me poetin Ndre Mjedën, i cili kërkonte të ndiqte në atë kohë gjurmët e klerikut dhe shkrimtarit të njohur Pjetër Budi, me qëllim për të realizuar një studim mbi origjinën, jetën dhe veprën e tij, kanë shkuar në vendlindjen e autorit, në fshatin Gur i Bardhë, në Mat.
Gazeta e Perkohshme Leka, me vendodhje në Shkodër, e botuar asokohe çdo dy muaj, ka publikuar rrëfimin e udhëtimit të Kol Mjedës, ku sipas meje përmes ndjekjes së gjurmëve të Budit vihet gjithashtu në dukje bukuria, bujaria, mikpritja dhe emancipimi i shoqërisë matjane.
Në vazhdim parathënia e gazetës dhe rrëfimi i Kol Mjedës :
Êmz. Pjeter Budi
Kol Mjeda, Gazeta e Perkohshme LEKA, Vjeti II, N. 4 – Korrik 1930
Êmzot Pjeter Budi kje shqyptar, prej Gurit të Bardhë (Mat).
Librat mâ të motshem, qi janë shkrue n’alfabetin latin, janë atà të Budit ; por mjerisht librat e tij të gjith kanë hupë, posë perkthimit të doktrinës së krishtênë të Kardinallit Belarmino, prej së cilles n’a ka metë vetun e treta dorë e botueme në 1664, qi gjindet fort rrall.
Me gjithsè giuha e Budit nuk âsht aq e qortueme, prap vepra e tij meriton m’u marrë në kujdes, në mos tjeter, pse në tê na kemi mâ të parat vjerrsha shqype. Libri i tij duket se ka kenë fort i perhapun në popull katolik e i perdoruem deri nder kohë të vona, per arsye qi e shofim rishtypun tri herë në vjetë 1868.
Faik Konitsa pat gjetë në Paris edhè nji tjeter liber të quejtun « Speculum confessionis in Epiroticam linguam a Petro Budi, Episcopo Sapatense et Sardanense translatum. » Libri â formatit XII me 408 faqe âsht botue prej Propagandës në vj.1621. Por prej ktij libri vetun kjo copë qi ka gjetë Faik Konitsa e tjeter nuk njihet.
Zotni Kolë Mjeda, deputet i Dibrës, qi tesh vonë desht m’e percjellë D.Ndré Mjedën në vendin e shkrimtarit të motshem shqyptar, per me bâ studime mi tê, i a dergoj ksajë Perkohshme artikullin qi na ktû poshtë me andje po botojmë.
Per ket arsye, edhe vijimin e artikullit mî edukaten e ndiesis s’atdheut po e lâm per numer tjeter.
Kah trojet e Budit
Sikuersè âsht pa edhè nder shtylla të fletoreve të kryegjytetit, udhtimi i êm me të Nd. Zotni Don Ndré Mjeden ka pasë per qellim vetem studimin mbî nji botim të Don Pjeter Budit, prej Gurit të Bardhë, të shtypun në giûhë amtare në vjetin 1621.
Me 19.6.1930 kalueme Tufinen edhè Shkallen e Tujanit, kû syni nuk ka të ngim tue e pa at bukuri natyre, e, kah ora 20.30 mrrijtme në vendin e caktuem për bûje t’asajë natë, qi thirret « Hani i Zallit » kû kjeme pritë s’ka ma mirë prej Jashar Bejt, i dibranë.
Ne e nesre, kah ora 6. 30 vijueme udhtimin mbi Qafen e Morizës e, mas nji rruge mjaft të mundshme, por të bukur, mrrijtme në maje të malit, kû gjetme Postë Komanden e Gjendarmeris e bri ksajë nji han, kû pushueme e pime kafe e tamel, e prep u vûeme per rrugë, qi kishim nisë.
Mas do kohet n’a u paraqit nji panoramë e shkelqyeshme në të cillen muejtme me da per së largut shpija të nalta. Qeraxhit n’a thane se atà ishin shpijat e Gurit të Bardhë, kû mrrijtme në krye të nji orës e gjysë. At vend e kishte stolisë natyra me kodrina të thepisuna e të veshuna me blerim, me kroje, qi i zotnote brija e malit të naltë të Dajtit.
Mas pak kohet u gjetme tu hani pranë Xhamis, i cilli ishte hani i Ibrahim Boedit (Budit), me të cillin u falme mas zakonit, hime në dhomen e shtrueme me qylyma e halija, kû, masi pime kafe e hangme dreken, pushueme deri n’oren pêsë të masdites.
Mandej bashkë me Ibrahim Boedin duelme me shetitë katundin, e, mas bisedimeve qi bâme me tê, u sugurueme se aj ishte, bashkë me kater familje tjera, prej shpis së Budit.
Shkueme te dugâja e vêndit, kû patme rasë me u perpjekë me disa burra të pjekun e plot eksperjencë, masi gadi të gjith vêndasit e atij katund kishin kerkue kah Selaniku, Serezi, Stamolla. Kuvendi i marë i atyne burrave n’a bindi, ankimet e tyne n’a u dukne krejt t’arsyeshme, sidomos per pasuni qi kishin nder fushat e Selanikut e njeti, qi Greqija i a u kishte zaptue e se Qeverija e jonë nuk kishte marrun masat e meritueshme.
Si maruene atà fjalët e veta u kallxova qellimin e ardhjes s’onë në vendin e tyne, due me thanë se dishrojshim me dijt per shpin e Budit, se psè âsht nji liber shqyp i shtypun tash treqind vjet e aj qi e ka botue thotë se jam Gurabardhas e se thirret Don Pjeter Budi.
– Zotni – m’u pergjejgne – ktû nder ne s’ka burra të vjeter si me thanë nji qind vjetsha, e atà 70 vjetshat s’dijnë mâ teper se na.
– Prej shpis së Budit âsht ky Ibrahimi e ashtù edhè kater familje tjera. Âsht edhè nji shpi në Berzhojë qi thirret e Budit.
Masi i pyeta a thue âsht e dalun prej Gurit të Bardhë, më pergjegjne se jo, as ajo shpi, as katundi nuk e din, vetem porsè thirret « Budi ».
Muerme vesht prej atyne burrave se « Boedit e majnë vedin se janë fis me nji prift, i cilli nder kohë të veta âsht thirrë Budi, e mas nji lufte të bjerrun në Maqedoni, ka kenë shterngue bashkë me të vett me xanë vend në Gur të Bardhë, kû ka lypë ndimen e Princit të Matjes e, mâ vonë, masi kanë ndollë lidhjet krejt t’afermeve, nuk paskan marrë me shoqi shojnë per arsye relacjonesh familjare.
Katundi perbâhej prej 300 shpijash e s’kanë dhanë e marrë prej katundeve e fiseve tjera ; prej kndej mund të vertetohet se Gurabardhsit kanë kênë shum mâ vonë kristjan. Por edhè sot aj katund as merr as nep me tjera katunde e as argjidhek s’jepshin per vasha.
N’a thanë se tash nja 60 a 70 vjet, per rreth kû kishte pasë kênë shpija e vjeter e Budit, kundrej Xhamis së sotshme, nji plakë tue mihë, paska zblue nji kumonë mjaft të madhe, të cillen i a kishte pasë shitë per 400 grosh nji kallajxhis, e ky i a kishte shitë nji korcullës në Durrës për 10.000 grosh.
Petkat e fugurja e Budit
Populli i atyshem paska pasë kujtue se bë Teqe të Martaneshit gjinden petkat me gjith fugure të Budit, por pa kush nuk i kishte.
Vetem dihej se nji plakë kuer ka kênë tue dekë u ka thanë të birve të vet : Un nuk jam kthye prej besimit, pra shkoni e m’a bini filan resem (fugure) para se të më dalin shpirti. »
Edhè masi i a kanë prûe e e ka pasë nder duer at resem ka ndrrue jetë, kshtu thotë sot gojdhana e atij populli.
Libri i Budit e djalekti i Gurabardhsve
Me gjith se Gurabardhsit kerkojshin tjera dhena, djalekti i tyne, qi ndryshon prej krahinave t’aferme, i giet gadi 50 % librit të Budit. Ket dishmi i a lâ Z. Dom Ndré Mjedës, qi ka me e ribotue librin sa mâ shpejt tue i bashkue studimet e komentet e veta.
Largimi i ynë prej Gurit të Bardhë
Nder ftyra t’atyne të thjeshtë shifej se keq u vinte pse daheshim prej tyne. U falme si mas zakonit, por Ibrahimi desht me na percjellë nji copë rrugë e nuk u da nesh veç masi e shterngueme. Gjith rrugës na u knaqte syni nder blerime e shpesh ndeshme në tuba të bardha delesh.
Ky katund në kohna të motshme kishte 300 shpi e blegtorija ishte njaq në perparim sa kishin mâ se katerdhetmi dhen e dhi, por Veziri i Shkodrës nder dy lufta qi kishte bâ me ta, i u kishte marrë ka dymdhetmi krenë per luftë. Kahë prendimi mrrîjtme në Bershê ku na priti, me djelmt e tij, nji burr si motit, Zot. Ahmet Nushi. Naten e kalueme masmiri e ne nesre u vûeme në rrugë per Burrel.
Ky katund nuk ishte mâ aj i 1916, por ishte shndrrue më nji gjytet. Dahen në shêj shpija e Naltsis Tij Princ Xhelalit, Bashkija, Zyra e Rekrutimit, hotele, kafe, restauranta, dugajë etj. Ashtu ishte tue ngrehë nji tjeter ndertesë madhshtore Princi, i cilli kishte kalue per Tiranë. Edhè ktu auktoritetet e vendit na pritne mjeft mirë e Bashkija dha nji darkë. Shum dishirë tfaqne parija e vendit sidomos më bâni preshtypje të mirë kuer më thane se kerkojnë prej Qeveris e prej Deputetve t’u hapet nji konvikt per varza, pse edhè seksi fêmnuer, do të perparojnë në vend t’onë. Ky âsht nji hap mjeft i madh per të cilllin e kam menden me folë në Parlament.
Konvikti i Matit
Âsht per t’u levdue ky institut per rregullim e displinë qi kishte. Godija ishte mjeft e mirë por e vogel per 100 xânsa. Grupi i msueve na gostiti e xânsat veshë me robe kuq-zi na ndejne në nderim. Ne nesre u bâne provimet e fundit të vjetit shkolluer e metme teper të knaqun prej të gjegjunave të fmive, të cillit i pyeti ndo ‘i herë edhè Z. D. Nd. Mjeda. Dijtne mirë me pergjegjë mî histori të Shqypnis e sidomos kush âsht Zogu I. e cillat kan kênë dyrët shqyptare mâ të permenduna. Deklamuene fare mirë do vjerrsha e sidomos atê të vllavrasit qitun prej të Nd. Z. Dd. Nd. Mjedës.
Ne e nesre mrama kjeme miqt e Kadis se Matjes, nji burr plot urti. Edhe ktu na pritne mirë e mandej u nisme, dikû rrugës së ré qi âsht tue goditë e diku rrugës se shtegtarve qi âsht mjeft e vshtirshme ; kshtû mas nji udhtimit ndandë orësh mrritme në Krue.
Per rrugen Burrel – Krue populli ka bâmun shum sakrifice, por Ministrija e P. Botore ato vende qi i tokojnë me i punue nuk âsht kujdesue per to si duhet. Mirë âsht qi ksajë verë ajo Ministri të perpiqet me krye çka ka per detyrë.
Libri i Dom Pjeter Budit besoj se shpejt ka me u ribotue prej Z. D. Ndré Mjedës të cillit i uroj nji sukses të lartë.
Shkodër 7 VII 1930
Kol Mjeda
Publikuar për herë të parë online në versionin origjinal te Blogu Dars (Klos), Mat – Albania