Një vepër origjinale dhe jokonvencionale për historinë shqiptare: Libri «Shqiptarët dhe të tjerët: nga Madona e Zezë deri te Molla e Kuqe» i historianit Ylber Hysa do duhej të ishte lektyrë e obligueshme për të gjithë studentët shqiptarë të historisë. Në shumë pika Hysa shkruan ndryshe nga shkenca e zakonshme shqiptare.
Historiografia shqiptare në Evropën Juglindore njeh një rend temash të përhershme, të cilat i ndjekin shumica e historianëve deri më sot. Prandaj të befasuar marrim në dorë një libër, i cili përpiqet të ec rrugëve të reja dhe qëllimisht rrok tema jokonvencionale. Ylber Hysa ka shkruar një vepër, e cila ofron një përzgjedhje interesante të trajtesave. Ai merret me çështjen e herezisë dualiste dhe heterodoksisë në Shqipërinë mesjetare, të cilën flamurtarët e ateizmit në Shqipërinë e Enver Hoxhës me qejf e përmendin si argument historik për distancën e shqiptarëve ndaj dy kishave (fq. 11-39); vijojnë pastaj një punim për Stećci (formë mesjetare e gurëve të varrit, v.j.), (fq. 41-60); thelbi i veprës i kushtohet popullsisë me prejardhje afrikane të Ulqinit (fq. 61-107); autori mandej ndjek «gjurmët e ortodoksisë te shqiptarët e Maqedonisë» (fq. 113-142); «Sinan Pasha dhe shafrani në Kaçanik» përbën objektin e kapitullit pasues (143-177); dy kapitujt e fundit rrokin titullin e librit – «Madona e Zezë në Kosovë» (fq. 185-234) dhe «Molla e kuqe» (fq. 235-267).
Në fillim Hysa paraqet mendimet e tij metodologjike. Me këtë rast ai fillimisht i qaset prezantimit të historisë shqiptare nga ata historianë serbë dhe bullgarë, të cilët shqiptarët i shihnin kryesisht si malësorë pa histori, që jetonin në katërkëndëshin e konstruktuar nga albanologu kroat Milan Shuflaj: Shkodër-Prizren-Ohër-Vlorë, përtej rrugëve të mëdha. Lidhur me fjalinë se «çfarë është për grekët deti dhe për sllavët rrafshina, për shqiptarët janë malet» (fq. 7) Hysa flet për një pikëpamje «horizontale». Paraqitja e hulumtimeve serbe është e diferencuar, pasi që Hysa nuk merr qëndrim vetëm kundër autorëve nacionalistë, por thekson edhe punimet e shkencëtarëve nga Ilarion Ruvarac deri te Olga Zirjoviq.
Një pikëpamje «vertikale» Hysa e konstaton në anën e historiografisë shqiptare, e cila, sipas tij, niset nga prania pothuaj e përhershme «metafizike» iliro-shqiptare në viset që sot banohen nga shqiptarët dhe «përtej tyre» (fq.9). Këtu ai përpiqet të qëmtojë elemente dinamike në imazhin statik të historisë.
Në shumë pika Hysa shkruan ndryshe nga shkenca e zakonshme shqiptare: kjo bëhet e qartë në shembullin e popullsisë zezake dhe shqipfolëse në portin e piratëve Ulqin. Si duhet të kategorizohet ajo? Nga njëra anë është krenaria mbi të kaluarën e qytetit, i cili në epokën e re të hershme përbënte një qendër të pashembullt piratësh në Adriatik, nga ana tjetër paqartësia, e cila krijohet nga përkatësia kombëtare që bazohet në prejardhje, kur ajo përballet me fenomenin e afrikanëve albanofonë.
Fakti që një historian merret me të kaluarën osmane përtej kryengritjes dhe represionit po ashtu duhet të vihet në dukje: Hysa është njëri prej historianëve të parë shqiptarë që hulumton një temë të kulturës materiale, fjala është për shafranin e rëndësishëm në periudhën osmane dhe të njohur në mbarë Evropën juglindore, i cili mbillej në Kosovë.
Gjatë trajtimit të Stećci boshnjakë (formë mesjetare e gurëve të varrit, v.j.) Hysa mban anën e atyre shkencëtarëve, të cilët ata nuk i shohin si dëshmi të Kishës Boshnjake, por si monumente të lashta ballkanike – më saktë ilire.
Referencat ndaj mendimtarëve të njohur vërehen edhe gjatë trajtimit të ortodoksëve shqiptarë të ritit sllav. Zakonisht në shkencën shqiptare dhe në historiografinë shqiptare ortodoksia kufizohet në Shqipërinë e sotme jugore, e cila deri në shekullin 20-të ka ndjekur ritin grek. Sa i përket Kosovës mesjetare përkatësia e shqiptarëve në ritin ortodoks hidhet poshtë me vërejtjen se të gjithë (ose shumica) e shqiptarëve të krishterë paskëshin ndjekur ritin romak. Edhe atëherë kur hulumtohet çështja e ortodoksëve albanofonë të ritit sllav (Pejë dhe Ohër), vështrimi jo përherë është i çliruar nga shtesat nacionale; thuhet se ky grup i ortodoksëve dalëngadalë edhe gjuhësisht iu kishte përshtatur shumicës sllave, në rastin konkret asaj maqedonase, kështu që pastaj portat janë të hapura për teorinë se disa, shumë ose të gjithë – varësisht nga orientimi politik – ortodoksët maqedonas të një rajoni të caktuar qenkan «në fakt» ortodoksë të asimiluar albanofonë, ose edhe më mirë: shqiptarë ortodoksë. Hysa sjellë shembuj interesant për shkrimin e shqipes me alfabet cirilik (fq. 122-123), shënim varri i Andçes, i biri i Duko, në Tetovë, dhe tërheq vëmendjen te publicisti Josif Bageri nga Reka, i cili ishte botues i revistës «Shqypeja e Shypënis/Albanski orel» në Sofje.
Për Hysën asimilimi i shqiptarëve ortodoks është një «dëm kolateral» (fq. 144) i krijimit të shtetësisë maqedonase dhe identitetit nacional maqedonas. Kësaj ai ia kundërvënë traditën shqiptare të identitetit mbifetar. Grupin e ortodoksëve shqiptarë të maqedonizuar ai e sheh në fushën e tensionuar të «asimilimit të plotë ose ruajtjes së trikonfesionalitetit».
Për hulumtimet shkencore shqiptare i pazakonshëm është përdorimi i gjerë i bibliografisë ndërkombëtare dhe sidomos i literaturës në gjuhët sllave. Përzgjedhja e temave, metodologjia, kontekstualizimi i historisë shqiptare në një kornizë më të gjerë hapësinore si dhe marrja parasysh e literaturës sekondare ndërkombëtare e bëjnë librin e Hysës njërën ndër veprat më origjinale, në mos veprën më origjinale të historiografisë shqiptare të decenieve të fundit. Nuk është e thënë të jemi të një mendimi me autorin në të gjitha detajet, por qasja e tij kritike ndaj ideologjisë dhe distanca e tij ndaj ngurtësive të prezantimit nacionalstalinist të historisë e karakterizojnë këtë libër, i cili do duhej të ishte lektyrë e obligueshme për të gjithë studentët shqiptarë të historisë.
Oliver Jens Schmitt është profesor i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës. Ai është autor i tri librave të rëndësishme mbi historinë e shqiptarëve («Arbëria venedikase», «Skënderbeu» dhe «Kosova – Histori e shkurtër e një trevë qendrore ballkanike»). Recensioni i mësipërm do të botohet në revistën shkencore «Südost-Forschungen».
/Dialogplus/