REFLEKTIM MBI SITUATËN POLITIKE NË KOSOVË

Shkruan: Esat Mehmeti

Kosova është një shtet i ri, i ndërtuar mbi gjakun dhe mundin e një populli që për dekada luftoi për liri, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar në shtetin e vet. Megjithatë, pas kaq vitesh shtetndërtimi, qytetarët e këtij vendi ndihen me një realitet zhgënjyes. Politika është shndërruar në një arenë ku luftohet më shumë për pushtet sesa për shtet dhe realiteti politik shpesh duket si një tradhti ndaj asaj sakrifice.

Kosova është një nga vendet ku qytetarët kanë treguar gjithmonë gatishmëri për të marrë pjesë në zgjedhje. Në çdo palë të zgjedhjeve, mijëra qytetarë dalin para kutive të votimit me shpresën se vota e tyre do të sjellë ndryshim, zhvillim dhe drejtësi, por pas çdo cikli zgjedhor, shoqëria kosovare përballet me të njëjtin zhgënjim.

Problemi nuk është mungesa e votës. Problemi është mënyra se si i zgjedhim përfaqësuesit.Shpesh votimi ndikohet nga emocionet,simpatitë partiake, propaganda apo interesat momentale.Ndërkohë, qytetarët ndahen në kampe politike dhe e trajtojnë politikën si një garë tifozësh, jo si një proces vendimmarrjeje për të ardhmen e shtetit. Kjo luftë e pandërprerë për pushtet ka krijuar një klimë të tensionuar politike dhe ka dobësuar besimin e qytetarëve                                                                                                                 

                    Egoja dhe zemërimi vrasin paqen dhe mençurinë

Kosova po përballet prej kohësh me një realitet të hidhur politik, me një ngërç të vazhdueshëm që po e pengon funksionimin normal të institucioneve dhe zhvillimin e vendit. Fatkeqësisht, ky ngërç shpesh nuk është rezultat i mungesës së zgjidhjeve, por i inateve dhe huqeve personale të krerëve politikë. Partitë politike përplasen çdo ditë,jo për të ndërtuar diçka më të mirë për vendin, por për të rrëzuar njëra-tjetrën dhe për të marrë kontrollin e institucioneve.

Në vend që politika të jetë një garë për ide, zhvillim dhe mirëqenie të qytetarëve,ajo është kthyer në një luftë të ashpër për pushtet. Vendimet e rëndësishme për shtetin bllokohen, institucionet mbeten të paralizuara dhe qytetarët mbeten peng i konflikteve politike.

Përplasjet mes partive dhe liderëve të tyre nuk kanë të bëjnë gjithmonë me ide apo programe, por me ambicie personale dhe me dëshirën për të mos i lëshuar rrugë njëri-tjetrit.Kjo situatë e ka futur Kosovën në një cikël krizash politike të përseritura.Ndërkohë, pasojat e këtij ngërçi i ndiejnë më së shumti qytetarët. Kjo situatë është e rrezikshme për një shtet që ende është në proces të konsolidimit të institucioneve të tij.

  Kur bashkëqeverisja kthehet në përçarje, pritet divorci politik Kurti-Osmani

Në skenën politike të Kosovës, për një periudhë të caktuar tandemi mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit u konsiderua nga shumë qytetarë si një nga bashkëpunimet më premtuese politike në vend. Ata shiheshin si simbol i shpresës dhe ndryshimit.Për shumë qytetarë ata përfaqësonin një frymë të re politike në qeverisje.Në opinionin publik, ata shpesh përshkruheshin si politikanë që plotësonin njëri-tjetrin: Kurti si lider politik me retorikë të fortë dhe vizion ideologjik, ndërsa Osmani si figurë institucionale me profil juridik dhe diplomatik. Shumë qytetarë u këndonin lavde, sepse besonin se më në fund Kosova kishte dy liderë. Përkrahësit i shihnin si një tandem që mund të sillte transparencë, luftë më serioze kundër korrupsionit dhe një orientim më të qartë drejt forcimit të institucioneve shtetërore. Por jo !

Aleatët e djeshëm u shndërruan në rivalë të sotëm ! Raportet mes tyre u plasariten dhe perceptimi publik për këtë tandem filloi të ndryshojë. Bashkëpunimi që dikur paraqitej si model politik, tani duket i goditur nga përçarjet që janë rezultat i inateve dhe garës për protagonizëm sesa i dallimeve politike.Kjo është një nga tragjeditë e politikës në Kosovë.

Shtrohet pyetja: si është e mundur që dy figura që dikur përfaqësonin shpresën kolektive të një shoqërie të përfundojnë në një raport të ftohtë politik ? Një pjesë e përgjigjes qëndron në vetë natyrën e shqiptarit. Politika shpesh nuk është vetëm garë idesh, por edhe garë egoje.Përçarjet mes figurave të rëndësishme politike mund të kenë edhe pasoja. Kosova nuk ka nevojë për liderë që garojnë mes vete për krenari personale, por për udhëheqës që dinë të vendosin interesin e vendit mbi egon politike. Sepse besimi i qytetarëve është i vështirë të fitohet, por shumë i lehtë të humbet.

                              Mungon kultura e përgjegjësisë politike

Deri sa politikanët luftojnë për poste dhe privilegje, qytetarët përballen me realitetin e hidhur: akuza, përçarje, bllokada, me varfëri dhe mungesë perspektive, papunësi, korrupsion, dhe një mungesë të thellë shprese për të ardhmen. Nuk është rastësi që gjithnjë e më shumë të rinj po largohen nga vendi, jo sepse nuk e duan Kosovën, po ikin sepse janë lodhur nga një politikë që premton shumë dhe jep pak.Po ikin sepse iu kanë vra shpresën, kanë humbur besimin se politika mund të sjellë ndryshimin.

Klasa politike duket se e ka harruar një të vërtetë të thjeshtë: shteti nuk është pronë e tyre, shteti është i qytetarëve.Por,për fat të keq, në praktikë shpesh ndodh e kundërta. Institucionet përdoren për interesa partiake, premtimet bëhen vetëm për vota, ndërsa përgjegjësia zhduket sapo fitohet pushteti. Në vend që energjia dhe angazhimi i politikanëve të përqendrohet në zhvillimin e vendit, në përmirësimin e ekonomisë dhe në mirëqenien e qytetarëve, një pjesë e madhe e kohës harxhohet në përplasje politike, akuza të ndërsjella dhe luftë për poste. Politikanët janë pasqyrë e shoqërisë, andaj kjo klasë politike ka krijuar një kulturë ku përgjegjësia mungon. Pasojat e kësaj politike i paguajnë qytetarët.

                             Kosova nuk është pazar, meriton më shumë

                                                                                                                                                                     Qytetarët e Kosovës kanë treguar shumë herë se janë të gatshëm të sakrifikojnë për vendin e tyre.Tani është koha që edhe politikanët të tregojnë të njëjtin përkushtim, duke luftuar për forcimin e shtetit. Andaj, lind pyetja e dhimbshme: a po qeveriset ky shtet ashtu për të cilin u sakrifikua aq shumë, apo po përdoret si mjet për ambiciet personale të politikanëve ? Kosova ka potencial, energji dhe një shoqëri të re që merition një të ardhme më të mirë.

Një shtet nuk mund të ecë përpara kur politika dominohet nga egoja.

Një shtet i fortë nuk ndërtohet me rivalitet, por me punë, përgjegjësi dhe bashkëpunim.

Shteti nuk mund të mbahet peng i inateve dhe huqeve personale, sepse atëherë humb qëllimi dhe arsyeja.

Kosova mund të dalë nga ngërçi atëherë kur krerët politikë do ta vendosin interesin e shtetit dhe të qytetarëve mbi interesat e tyre personale.

Në politikë shpesh jetojnë jo më të fortit, jo më të mençurit, por ata që dijnë të levizin në kohën e  duhur, që njohin njerëzit dhe kuptojnë veprimet e tyre.                                             

                                                            ……………………marrë nga “ Koha javore”

By admini