
Ilustrim
Nga Memli Kurti*
Në Mal të Zi, e drejta për arsimim në letër ekziston. Në praktikë, për shumë studentë shqiptarë ajo shndërrohet në një proces të lodhshëm, të shtrenjtë dhe dekurajues, që shpesh përfundon me dorëzim ose largim të përhershëm nga vendlindja. Kjo situatë nuk është pasojë e rastësisë apo e ndonjë gabimi teknik, por rezultat i një sistemi që prodhon “diskriminim indirekt”.
Studentët shqiptarë që përfundojnë studimet në Shqipëri apo Kosovë – vende pjesë e Procesit të Bolonjës – përballen me procedura të tejzgjatura të nostrifikimit të diplomës. Atyre u kërkohen përkthime të detajuara të qindra faqeve planprograme, me kosto që arrijnë nga 3,000 deri në 4,500 euro, shuma që për shumicën e familjeve janë të papërballueshme. Në shumë raste, procesi shoqërohet edhe me kërkesa për provime shtesë, pavarësisht se diplomat janë marrë në universitete publike të akredituara.
Ky trajtim nuk mund të shihet thjesht si procedurë administrative. Kur rregullat “neutrale” krijojnë barriera financiare dhe burokratike që prekin në mënyrë disproporcionale një komunitet të caktuar, atëherë kemi të bëjmë me diskriminim indirekt. Në këtë rast, viktima janë studentët shqiptarë dhe gjuha e tyre amtare.
Problemi thellohet edhe më shumë nga fakti se Mali i Zi nuk ofron një universitet publik të plotë në gjuhën shqipe. Përjashtuar një program të kufizuar të mësuesisë, mungojnë studimet në fusha kyçe si mjekësia, inxhinieria, drejtësia apo shkencat e aplikuara. Kjo i detyron të rinjtë shqiptarë të studiojnë jashtë vendit. Por kur kthehen, sistemi i pret jo me integrim, por me pengesa.
Pasojat janë të rënda dhe afatgjata:
– studentë që zgjedhin studimet në gjuhën malazeze jo nga dëshira, por nga frika e mosnjohjes së diplomës;
– të rinj të kualifikuar që vendosin të mos kthehen fare, duke shkaktuar rrjedhje truri brenda komunitetit shqiptar;
– një proces i heshtur asimilimi akademik, ku gjuha shqipe shtyhet gradualisht jashtë arsimit të lartë.
Kjo situatë bie ndesh me parimet e Procesit të Bolonjës, i cili synon lehtësimin e lëvizshmërisë akademike, si dhe me standardet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. Për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, praktika të tilla janë jo vetëm problematike, por edhe alarmuese.
Arsimi nuk duhet të jetë mjet presioni, as filtër ekonomik, e aq më pak instrument asimilimi. Njohja e diplomave nuk është favor, por detyrim institucional.
Në vitin 2026, studentët nuk duhet të luftojnë kundër sistemit vetëm pse zgjodhën të studiojnë në gjuhën e tyre amtare. Arsimi është e drejtë themelore – dhe si e tillë, duhet të jetë i barabartë për të gjithë.
*Marrë nga faqja e autorit ne fb
