Shtresimet historiko – legjendare lidhur me Krajën e Sipërme (5)

Ilustrim
Prof. Dr. Bahri Brisku
Paganizmi i takon lashtësisë para kristiane. Ai popull që disponon me reflektimet besimit të tillë, që bazohet në shumë fuqi mbinatyrore – polutetiste, është popullatë shumë e lashtë. Në një mori krijimesh të gjeniut popullor të kësaj treve, gjenden gjurmë dhe reflektime të besimit pagan. Popullata e Shestanit ka pas zbatuar rite të tilla që vërehen te kremtimi i Natës së buzmit, te Dita e Verës më 14 mars, te betimet e lashta të tyre, si ‘Pasha qiellin’, ‘Pasha tokën’ dhe ‘Pasha diellin’. Gjatë shekujsh është përcjellur jë besim i tillë deri tani. Pastaj gjendet Lutja e rënies së shiut kur bënte të thatë. Gjithashtu paganizmi ka lënë gjurmë në lutjet që bëhen në gjuhën popullore për largimin e sëmundjeve. Lutjet për fryerjen e erërave që nuses t’ia sllin me anije burrin në shtëpinë e tij.
Asaj kohe i takojnë edhe krijimi i qenieve imagjinare, siç janë: zanat, lugetërit, shtrigat, pastallavicat, përpinitë etj. Mbi katundin Brisk gjendet Maja e Zanës, Bregu i Zanës, Gropa e Zanës, Shpella e Zanës si dhe Gropa e Judës. Këto emërtime edhe sot janë vende të tmerrshme. Barinjtë nga frika asnjëherë nuk kalonin pranë këtyre vendeve.
Në Kërnjicë të Shestanit, më 1791 populli dyshonte se ato që sillnin fatkeqësi ishin shtriga. Me qëllim të shpëtimit të katundit nga këto fatkeqësi, ata e merrnin një grua dhe e hidhnin në thellësi të liqenit. Ekzistonte bindja popullore se nëse personi që hidhet në liqe mbytet pasi supozohej që nuk ka qenë shtrigë se shtrigat nuk mbyten. Një bestytni e tillë tregon për një zanafillë të lashtë duke e vendosur etnogjenezën e kësaj popullate shqiptare deri në kohën pellazgo – ilire – albane.
Karakteristikë e veçantë e tërë Krajës është që për kujtim të personave të fisit ndërtojnë rrugë, saranxha, lera, pusa, ubla, lugje, logje takimesh, mriza të veçantë etj. Të tilla objekte quhen me emërtimet e tyre si: Ubla e Lekës, Rruga e Sylos, Lera e Gjonit, Lugjet e Lenës, Logu i Idrizit, Mrizi i Gjokës etj.
Vlerë unikate që përthekon për studimet albanologjike në veçanti dhe për lashtësinë e kësaj treve në veçanti, është fakti që sipas hulumtimeve gjuhësore, gjuha e ”Mesharit” të Gjon Bdek Buzukut është e ngjashme me të folmen e lashtë të Krajës. Deri tani dihet që Kisha e Briskut është ndërtuar në vitin 1552, por nuk përjashtohet mundësia që të tilla objekte të besimit të vjetër të kësaj popullate të kenë ekzistuar ndoshta edhe disa shekuj më parë se kjo në Brisk, ku supozohet se Gjon Buzuku ka ngritur meshë si vendas i kësaj treve. Këtë supozim e përforcon bindshëm vetë fakti se në Krajë gjendet Katundi Priftaj, i cili sipas rrënojave që ndodhen aty, qartas dëshmon lashtësinë e Mesjetës së mungët.
Për rrënjët e lashtësisë së Krajës së Sipërme, flet fakti që Kraja në shekullin XVII kishte kontin e vet legal. Në këtë apësirë etnike arbane është varrosur mbretëresha Elena e Balshajve që ishte bijë e Anzhuinëve francezë. Elena pas vdekjes së burrit shugurohet si murgeshë e Kishës së Ishullit të Plakut në Liqenin e Shkodrës.
Rezyme
Përkundër ekzistimit të apetiteve të politikës sllave për ta shkombëtarizuar Krajën, në mënyrë të theksuar Shestanin, falë ndërgjegjes së lartë patriotike kombëtare, armiku nuk arriti të kryejë synimet e tij të shkombëtarizimit, siç arriti të bëjë në Kuç, Piper, te Palëbardhit (Bellopavliqët), në Bokë të Kotorrit etj.
E folmja aktuale e Krajës, posaçërisht asaj të sipërme, ku janë ruajtur forma dhe terma të lashtë historiko-gjuhësorë, qartas dëshmon për vjetërsinë e ekzistencës së etnosit shqiptar, për të cilat gjerësisht kanë folur albanologët e njohur Eqerem Çabej, Shufflay, Hahni, Jeriçeku etj.
Faktori historiko-gjuhësor i analizës së oponimeve si dhe posedimi i terminologjisë nga fusha e lundrimit dhe peshkimit në katundet pranë Liqenit të Shkodrës, i hedh poshtë tezat së disa pseudoshkencëtarëve serbosllavë, të cilët përpiqeshin ta mashtrojnë opinionin shkencor se gjoja shqiptarët nuk kanë terminologji lundruese dhe të peshkimit. Qëllimi i këtyre keqdashësve ishte që me çdo kusht të shkruajnë se shqiptarët në këto rajone janë ardhacakë. Këtyre mendimeve kryekëput armiqësore qartas iu kundërvihet fakti që në gjuhën shqipe të Krajës dhe rajonit të gjerë, ekzistojnë një mori termash të lundrimit dhe të peshkimit në gjuhën shqipe.
Një cilësi e veçantë e këtyre banorëve është fakti që një pjesë e tyre edhe pse patën kaluar në besimin islam, arritën të mbrojnë gjuhën, kulturën dhe traditat e mrekullueshme kombëtare dhe vijuan marrëdhëniet vëllazërore me bashkëvendësit katolikë.
Dëshmi e qartë e lashtësisë së Krajës është fakti që këtu kanë ekzistuar mbi 30 kisha shqiptare katolike, prej të cilave gjysma e tyre janë në këmbë. Kisha e Briskut është ndërtuar më 1502, por sipas të dhënave mendohet që këtu kanë ekzistuar kisha shqiptaro-katolike edhe më përpara. Ekzistojnë të dhëna gjeologjike për ekzistimin e dy toponimeve me emërtim Qyteza, ku janë evidentuar rrënoja dhe themele të ndërtesave që demonstrojnë lashtësi të mungët.
Në rajonin e Krajës së Sipërme (Shestan), gjatë hapjeve të themeleve të ndërtesave, ublave, pusave, saranxhave etj., janë gjetur orendi të ndryshme bujqësore dhe shtëpiake shumë të lashta. Tri prej tyre disponojnë figurën e gjarprit, farkuar në hekur. Figura të tilla paraqesin vazhdimësinë e kësaj popullate shqiptare nga pellazgo-ilirët.
Në këtë kumtesë në mënyrë të posaçme jam marrë me zanafillën, prejardhjen e emërtimit të katundit Brisk, ku ekzistonte një lagje e tërë e farkëtarëve, të cilët përveç tjerave merreshin edhe me farkimin dhe punimin e thikave, shpatave, brisqeve etj. Pasi që në Krajë disa katunde kanë marrë emrin nga zejet që ushtronin vendasit, si: Kacaj, prodhonin kacasheke të verës, djathit etj., tërë katundi Kacaj emërohet me këtë mbiemër Kacaj. Gjithashtu lagjja Çekaj në Arbnesh, merrej me mjeshtërinë e farkatërisë. Natyrisht farkimin e kryenin me anë të çekiçëve dhe u quajtën Çekaj – Cekaj. Ndaj, është e natyrshme dhe shumë e logjikshme që edhe Brisku e ka marrë emërtimin e katundit prej prodhimeve të thikave e brisqeve. Ekziston edhe mendimi që këtë emërtim Brisku e ka marrë prej konfiguracionit të terrenit që përbëhej nga arat e ngushta që në Krajë quhen brinja. Por, duke u nisur nga fakti që tërë Kraja disponon me një konfiguracion të brinjëve, na duket që nuk qëndron dhe nuk ka logjikë shkencore që posaçërisht Brisku të emërtohet sipas rripave të tokës – brinjëve, kur e tillë është e tërë Kraja. Duke u nisur nga një mori faktesh që kam elaboruar në këtë kumtesë qartas na del se edhe emërtimi i Briskut, rrjedh nga prodhimi i farkimit të veglës brisk, ashtu si në rastin e Bibajve, Kacajve, Çekajve etj.
Temë nga projekti “Fol, shkruaj dhe përdore gjuhën tënde, gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2025”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.
