
Kuvendi Komunal i Ulqinit ka miratuar vendimin për themelimin e Ndërmarrjes “Transporti Urban” Ulqin, duke hapur rrugën për organizimin e transportit publik në qytet, shkruan Ulqini Online.
Ky vendim ishte pjesë e rendit të ditës me disa pika, ku ndër prioritetet kryesore ishte përmirësimi i shërbimeve për qytetarët dhe rritja e efikasitetit në transportin publik.
Sipas arsyetimit të vendimit, themelimi i kësaj ndërmarrjeje synon organizimin dhe zhvillimin e transportit urban dhe ndërurban në territorin e komunës, si një shërbim me interes publik. Qëllimi është sigurimi i një transporti më të qasshëm, më të sigurt dhe më efikas për qytetarët, si dhe mbështetja e zhvillimit ekonomik dhe turistik të Ulqinit.
Për realizimin e këtij projekti, Komuna tashmë ka siguruar pesë mjete transporti (kombi), të cilat pritet të përdoren për funksionimin e linjave të para të transportit publik.
Ky hap konsiderohet i rëndësishëm për rritjen e mobilitetit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në qytet, duke plotësuar një nga nevojat më të theksuara të banorëve të Ulqinit.
