Ilustrim: Nga mbledhjet e kaluara

Kuvendi Komunal i Ulqinit ka refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetarit të Komunës, Genci Nimanbegu, nga procedurat që lidhen me rastin e objekteve në Bunë, shkruan Ulqini Online.

Kërkesa ishte paraqitur nga përfaqësuesit ligjorë të pronarëve të dy shtëpive në Bunë, të cilët dyshonin në ligjshmërinë e veprimeve të Policisë Komunale gjatë procesit të largimit të objekteve të paligjshme në bregun e lumit.

Përveç Nimanbegut, pronarët kishin kërkuar përjashtimin edhe të inspektorëve komunalë dhe zyrtarëve të tjerë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe procedurat administrative.

Pas diskutimeve, këshilltarët miratuan një rekomandim sipas të cilit instituti i përjashtimit mund të zbatohet vetëm për personat që marrin pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrje në procedurat administrative. Sipas këtij qëndrimi, kryetari i Komunës nuk është organ që vendos në thelb për çështjen në fjalë dhe për këtë arsye nuk mund të përjashtohet.

Ky vendim i Kuvendit nënkupton se kryetari i Komunës do të vazhdojë të jetë pjesë e proceseve që lidhen me këtë rast, i cili mbetet ende në zhvillim.

By admini

Leave a Reply