Në Zyrën e Gjendjes Civile në Katërkollë, Komuna e Ulqinit, një praktikë e pazakontë dhe e tejkaluar vazhdon të jetë realitet. Sipas gjendjes së evidentuar në janar 2026, dokumentet zyrtare ende përgatiten me makinë shkrimi, shkruan Ulqini Online.

Në këtë zyrë lëshohen dokumente të rëndësishme si certifikatat e lindjes, martesës, vdekjes e të tjera. Por, në vend të sistemeve digjitale dhe printerëve, qytetarët përballen me një metodë që i përket së shkuarës.

Kjo mënyrë pune sjell vonesa, rrit mundësinë e gabimeve dhe ul standardin e shërbimit publik. Në një kohë kur administrata duhet të jetë efikase dhe moderne, një praktikë e tillë është e papranueshme.

Megjithatë, problemi nuk qëndron tek stafi. Dy punonjëset në këtë zyrë janë të përkushtuara dhe bëjnë maksimumin për të ndihmuar qytetarët, pavarësisht kushteve të kufizuara dhe mungesës së mjeteve moderne.

Zgjidhja është e thjeshtë: pajisje bazike si kompjutera dhe printerë, të cilat sot janë standard minimal në çdo administratë.

Institucionet përgjegjëse duhet të reagojnë. Qytetarët meritojnë shërbim të shpejtë, dinjitoz dhe në përputhje me kohën.

Modernizimi nuk është luks – është detyrim.

By admini

Leave a Reply