Të dhëna onomastike dhe demografike për Shasin dhe vendbanimet e nahijes së Bunës së Përtejme sipas defterëve osmanë të shekujve XV dhe XVI (3)

Prof. dr. Iljaz Rexha

Këto të dhëna onomastike të defterëve kadastralë osmanë kanë një vlerë të madhe shkencore për të ndriçuar dhe studiuar strukturën e ndryshimeve antroponimike, toponomastike, konfesionale, gjenealogjike, etnografike, sociale, sidomos atë demografike të popullsisë, në këtë rast të hapësirës gjeografike të Anës së Malit.

Të dhënat onomastike që i kemi deshifruar, parashtruar dhe analizuar në këtë punim, të nxjerra nga defterët origjinal kadastralë osmanë nga shekujt XV-XVI, përbëjnë dëshmi të pakundërshtueshme që provojnë se hapësira e Anës së Malit në mesjetë ishte e banuar krejtësisht nga popullsia albane – shqiptare, në shumicë e besimit katolik, ndërsa me një përqindje të vogël e besimit islam. Rrethanat dhe kushtet historike bënë që gjatë shekujve në vijim 2/3 e shqiptarëve katolikë të kalojnë në fenë islame, ndërsa 1/3 në atë ortodokse.

Një pjesë e katolikëve shqiptarë arriti ta ruajë besimin, identitetin, gjuhën dhe traditën e vjetër zakonore shqiptare deri në ditët tona. Edhe shqiptarët myslimanë, që për arsye të njohura dhe për të përfituar privilegje dhe poste në administratë shtetërore osmane, edhe pse e ndërruan fenë e vjetër, por kurrë nuk e identifikuan veten me pushtuesit osmanlinj, po ashtu arritën ta ruajnë gjuhën, identitetin dhe traditën e vjetër shqiptare. Ndërsa shqiptarët e besimit katolik që kaluan apo u konvertuan në fenë ortodokse, e humbën gjuhën, identitetin dhe traditën shqiptare, dhe plotësisht u asimiluan në sllavë.

Në këto vendbanime kemi të bëjmë me një popullsi albane – shqiptare autoktone, vazhduese e popullsisë së hershme ilire, e formuar historikisht shumë shekuj pëpara depërtimit sllav dhe atij osma në këto treva. Këto të dhëna të dorës së parë kundërshtojnë dhe hedhin poshtë hipotezat shkencore dhe antishqiptare të disa autorëve të huaj borgjezë, e sidomos të atyre sllavë, të cilët orvateshin të paraqitnin popullsinë shqiptare të kësaj ane si joautoktone, si të ardhur nga tokat e brendshme shqiptare më vonë, aty kah fundi i shek. XVII dhe fillimi i shek. XVIII, pas luftrave austriako -turke (1683-1690).

Edhe shumica e toponimeve të Anës së Malit janë dëshmi se ato i kanë emërtuar për herë të parë shqipfolësit, që i kishte shënuar administrata e kohës, në frymën e gjuhës shqipe, me një influencë të vogël nga administrata sllave dhe ajo osmaneturke si: Shën Gjergj-i, Shën Koli, Shën Todri, Shën Petra, Shën Andre, Shën Shirgji, Shën Mrija, Zogaj, Ifshas (Shasi), Gjonza, Kryq-i (Kruqi), Bukmir, Krroq-i, Bardon-i (Bardhoni), etj. Këto e disa të tjera toponime të kësaj ane janë regjistruar sipas natyrës së gjuhës shqipe dhe me forma të shqipes, e jo me format sllave, siç i hasim vendbanimet tjera shqiptare në viset e tjera, të kalkuara ose të përkthyera në gjuhën sllave nga administrata mesjetare sllave, si: Sveti Gjorgje, Sveti Nikola, Sveta Marija, Sveti Andrija, Bardoniq – Beliq, Palabardh – Bjelopavliq, etj. Disa toponime të protoshqipes së kësaj ane janë parasllave, si toponimi me substratin ilir bard+on> Bardon-i pranë Bunës e disa të tjera, dhe ngjan të jenë krijuar në kohën antike, si edhe toponimet tjera me bazën – ilire apo të protoshqipes bard=bardh, që janë dëshmuar në burimet e shkruara mesjetare sllave dhe osmane jo vetëm në këtë anë, por edhe në hapësirën tjetër gjeografike në Kosovë Bardoniq (Gjakovë) dhe Maqedoni Bardofci (Shkupi), etj.

Në vijim dua të shtoj se etika shkencore e kërkon të thuhet se të dhënat onomastike për vitin 1485 janë marrë nga origjinali, por edhe nga Defteri i regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës që e përktheu dhe e botoi historiani i mirënjohur, i ndjeri Selami Pulaha në vitin 1974 në Tiranë. Në defterin e vitit 485 ka të dhëna vetëm për 20 vendbanime që i takonin nahijes së Bunës së Përtejme, ndërsa ne kemi deshifruar dhe nxjerrë të dhëna onomastike dhe demografike për herë të parë edhe për 60 vendbanime me trollishta që ishin përfshirë në nahijen e Bunës së Përtejme nga defteri i mëvonshëm i vitit 1582, që ende nuk është botuar dhe që ka të bëjë po ashtu me regjistrimin e territorit të sanxhakut të Shkodrës të vitit 1582. Një kopje të origjinalit të këtij defteri e posedoj edhe unë, të cilin jam duke e deshifruar dhe përgatitur për botim.

Studiuesja Përparime Huta e botoi librin me titull: Fshati në Sanxhakun e Shkodrës në shekujt XV-XVI, Tiranë, 1990, që bazohet kryesisht në deshifrimet onomastike dhe demografike që i ka bërë pjesërisht Selami Pulaha e që gjenden në dorëshkrim në Institutin e Historisë në Tiranë, të cilat ne nuk i kemi pasur në dorë e as që kemi ditur se ato ekzistojnë. Andaj duhet pasur kujdes se ata studiues që shërbehen me dokumentet e deshifruara nga dikush tjetër e që nuk e njohin paleografinë mesjetare të shkrimit të gjuhës përkatëse, në këtë rast të gjuhës osmane, mund të bëjnë lëshime dhe gabime serioze në interpretimin dhe paraqitjen e punimeve të tyre Në librin e sipërpërmendur të Përparime Hutës, ku trajtohet fshati dhe problematika demografike në Sanxhakun e Shkodrës, mjerisht një numër i konsiderueshëm i nomenklaturës së emërtimeve të vendbanimeve kanë dalë me forma të shtrembëruara dhe jo të sakta në transkriptim.

Temë nga projekti “Fol, shkruaj dhe përdore gjuhën tënde, gjuhën shqipe” –  Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2025”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini