
Arti i të luajturit, kënduarit dhe punimit të lahutës shqiptare është shpallur zyrtarisht pjesë e pasurisë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, në listën e elementeve që kërkojnë mbrojtje urgjente. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Blendi Gonxhja, i cili në një reagim publik theksoi se ky sukses është rezultat i një pune të gjatë e të përkushtuar kërkimore të ekipit të studiuesve Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge.
Përfshirja e lahutës në UNESCO shënon një moment kyç për identitetin kulturor shqiptar, duke i dhënë zë një tradite të lashtë që ka mbartur kujtesën historike, epike dhe shpirtërore të popullit ndër breza. Por kjo ditë gëzimi kolektiv është shoqëruar edhe me një emocion të veçantë: përkujtimin e një prej mjeshtërve të këtij arti, lahutarit të njohur nga Ana e Malit, Xhemal Hajdari Gjoni, shkruan Ulqini Online.
Aktori i njohur Shefqet Luca, duke marrë shkas nga lajmi i UNESCO-s, ka ndarë në rrjetet sociale një dedikim të veçantë për lahutarin e ndjerë, duke e rikthyer në vëmendje figurën e tij të paharruar.
“Në ditën e pranimit të lahutës shqiptare në UNESCO kujtojmë lahutarin e Anës së Malit Xhemal Hajdarin (Gjoni). Në nderim të tij po e postoj këtë foto nga Festivali Folklorik Mbarëkombëtar i Beratit, viti 1995”, shkruan Luca, duke i dhënë kështu zë një kujtimi të çmuar personal e kolektiv.
Fotografia e ndarë nga aktori – një fragment i historisë sonë kulturore – sjell para nesh figurën e një artisti që e mbajti gjallë këngën e lahutës me përkushtim dhe dinjitet, një mjeshtër që e çoi traditën përpara në një kohë kur rreziqet e zhdukjes ishin të mëdha. Dedikimi i Shefqet Lucës është më shumë se një kujtim; është një falënderim ndaj atyre që, si Xhemal Hajdari, i qëndruan besnikë këngës dhe lahutës deri në frymën e fundit.
Në këtë ditë historike për kulturën shqiptare, nderimi ndaj lahutarëve të shkuar merr një kuptim të ri. Përfshirja e lahutës në UNESCO nuk është vetëm njohje ndërkombëtare, por edhe një homazh për të gjithë artistët që e mbajtën këtë traditë të gjallë. Dhe mes tyre, emri i Xhemal Hajdarit do të vazhdojë të tingëllojë si një lahutë që nuk hesht kurrë.
