Në skenën politike të shqiptarëve në Mal të Zi po shfaqet një fenomen që ka nisur të gjenerojë gjithnjë e më shumë debat publik: ndërsa përfaqësuesit politikë shqiptarë protestojnë kundër vendimeve të qeverisë, ata në të njëjtën kohë vijojnë të mbeten pjesë e asaj qeverie, shkruan Ulqini Online.

Ky kontrast i fortë mes retorikës opozitare në rrugë dhe bashkëqeverisjes në pushtet është bërë më i dukshëm gjatë dy muajve të fundit, kur në Ulqin janë zhvilluar një sërë protestash kundër marrëveshjes për dhënien me koncesion të Plazhit të Madh kompanisë “Eagle Hills” nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Një vendim ky që është cilësuar si i dëmshëm për interesin publik dhe për të ardhmen ekonomike dhe mjedisore të Ulqinit – një nga zonat me shumicë shqiptare në Mal të Zi.

Ndërkohë që qytetarët dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre, partitë politike shqiptare që janë pjesë e koalicionit qeverisës në Podgoricë, nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për të sfiduar këtë vendim nga brenda institucioneve. Përkundrazi, mbeten në pozitat e tyre në qeveri, duke krijuar një situatë që shumëkush e ka cilësuar si hipokrizi politike.

Një prej zërave kritikë ndaj kësaj sjelljeje është ish-deputeti shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, Xheladin Zeneli. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Zeneli shprehet se kemi të bëjmë me një paradoks të thellë politik dhe moral. “Në momentin kur Ulqinit po i servirohet ‘marrëveshja e shekullit’, a ka kuptim dhe a mund të arsyetohet bashkëpunimi i partive politike shqiptare me një qeveri që merr vendime kundër interesave të popullit që ato përfaqësojnë?”, pyet ai.

Zeneli argumenton se protesta reale nuk duhet të kufizohet vetëm në rrugë, por duhet të reflektohet edhe në institucionet shtetërore. Sipas tij, largimi i përfaqësuesve shqiptarë nga pushteti do të ishte një akt i fuqishëm politik, që do të përforconte mesazhin se shqiptarët nuk mund të jenë fasadë në një qeveri që vendos mbi pasuritë e tyre natyrore pa konsensus.

Kjo situatë ngre pyetje serioze për kredibilitetin politik të përfaqësuesve shqiptarë në Mal të Zi. A janë këto parti të gatshme të sakrifikojnë postet dhe privilegjet në emër të interesave të komunitetit që përfaqësojnë? Apo e shohin pjesëmarrjen në pushtet si qëllim në vetvete, pavarësisht kostos që kjo mund të ketë për besimin e votuesve?

Për momentin, përgjigjja duket e paqartë. Por ajo që është e qartë, është se qytetarët shqiptarë në Mal të Zi po e ndjejnë gjithnjë e më shumë peshën e përfaqësimit simbolik dhe mungesën e aksionit të vërtetë politik. Ndërkohë që toka dhe deti i tyre shiten me marrëveshje të dyshimta, përfaqësuesit e tyre politikë duken më të shqetësuar për ruajtjen e posteve sesa për mbrojtjen e interesit publik.

By admini

Leave a Reply