Botim shumëfish i rëndësishëm

Nga Gjekë Gjonaj

Prof. dr. Anton Nikë Berisha është autor i dhjetëra e dhjetëra veprave letrare dhe studimore. Mbi të gjitha është njeri i mirë e i thjeshtë me një kulturë të gjerë, një mik i sinqertë e pastaj një intelektual me përmasa mbarëkombëtare, profesor, poet, prozator, përkthyes letrar e studiues i mirëfilltë, i nderuar nga autoritete shkencore e letrare shqiptare e më gjerë.

Diskursi i tij letrar e studimor është i gdhendur, i thellë, i skalitur e efektiv. Ky nivel arrihet, sigurisht, falë talentit, përkushtimit krijues dhe vetëdijes së lartë për misionin e fjalës së shkruar, por Anton Nikë Berishën si shkrimtar e studiues dhe posaçërisht si intelektual e karakterizon edhe guximi për ta thënë troç atë që mendon dhe ndien, në të gjitha rastet dhe rrethanat.

Profesori ka mbaruar studimet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, Dega Gjuhë e Letërsi shqipe, pastaj studimet e rregullta pasuniversitare pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Zagrebit dhe doktoratën shkencore po ashtu në Zagreb (më 1981). Realizoi tri qëndrime studimore në universitetet e Gjermanisë si bursist i DAAD-së dhe i Fondacionit “Alexander von Humboldt”.

Ka punuar disa vite në Institutin Albanologjik të Prishtinës, pastaj në Universitetin e Mynihut dhe në Katedrën e Letërsisë Shqipe –të Fakultetit të Letërsisë dhe të Filozofisë të Universitetit të Kalabrisë.

Ka mbajtur mësim në disa universitete të Evropës, po dhe në universitetin e Prishtinës, Tiranës, Shkodrës, Korçës, Elbasanit, Vlorës etj.

Një punë të rëndësishme ka bërë dhe në fushën e përkthimeve letrare nga disa gjuhë.

Për veprën e tij letrare dhe shkencore janë botuar deri më tani 21 libra e studime nga autorë shqiptarë dhe italianë.

Për kontributin e tij të madh, Anton Nikë Berisha, është shpërblyer me disa çmime. Po përmend vetëm Shpërblimin e dhjetorit të KSA të Kosovës, shpërblimin “Beqir Musliu”, Medaljen Presidenciale të Meritave të Republikës së Kosovës, Dekoratën Nëna Tereze të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë dhe Çmimin kombëtar letrar  për vepër jetësore “Azem Shkreli” të Ministrisë së Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës (për vitin 2023).

Me veprat e tij, të botuara e të ribotuara, gjatë gjashtë dekadave të kaluara, Anton Nikë Berisha, jo vetëm se e pasuroi opusin krijues të tij, por gjithsesi edhe letërsinë tonë shqiptare. Ai theu kufijtë gjeografikë, krahinorë e ideologjikë, duke u prezantuar si një studiues me integritet të plotë.

Kompleti i studimeve letrare të zgjedhura në 10 vëllime që doli këto ditë nga Shtëpia Botuese “Faik Konica” e Prishtinës e dëshmon mirëfilli punën e tij të pasur e serioze në fushën e studimeve letrare.

Në Fjalën paraprake të këtij kompleti prof. Antoni shkruan pos të tjerash: “Në vitin e largët – 1968, në revistën atëherë të shquar, “Fjala” të Prishtinës, botova punimin “Analogji e porosive të fantazmave”, ku krahasoja porositë e fantazmave të tragjedisë “Hamleti” të Shekspirit dhe të “Istori e Skënderbeut” të Naim Frashërit.

Në vitin 1970 botova përmbledhjen me poezi për fëmijë “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”, ndërsa më 1978 librin me kritika letrare “Përkime poetike”. Një vit më vonë atë me ese dhe vështrime “Mundësi interpretimi”(të tria botime të redaksisë së botimeve të Rilindjes).

Në vazhdim botova një varg veprash, qoftë në fushën e studimeve letrare, qoftë romane dhe vepra me përsiatje poetike (poezi).

Në punën time në fushën e artit të fjalës, letërsisë, i jam përmbajtur asaj që thoshte shkrimtari i shquar rus, Anton Çehov: “Të moskënaqurit me vetveten është themeli i çdo talenti të vërtetë”.

Në 25 vjetët e fundit, sidomos gjatë kohës sa punova në Universitetin e Kalabrisë (Itali, nga viti 1993), botova një varg punimesh e studimesh për veprat e letërsisë së arbëreshëve të Italisë, dy studimet monografike për “Mesharin” e Buzukut, studimet për Budin poet e prozator, për Estetikën dhe estetikën e letërsisë, për “Këngën e këngëve”, për “Poetikën” e Aristotelit, për Skiroin, Fishtën, Koliqin, Dushko Vetmon, Martin Camajn, Azem Shkrelin etj., po dhe për disa vepra të letërsive të tjera si për “Epin e Gilgameshi”, “Pslamet”, “Gjeorgjikat” e Virgjilit, “Silvia-n” e Nervalit, “Princin e vogël” të Ekzyperisë, “Mantelin” e Gogolit, “Sytë e vëllait të përjetshëm” të Cvajgut, “Histori të mërzitshme” të Çehovit, për poezinë e poetit italian, Daniele Giancane etj.

Në dy vitet e fundit botova dy vëllime me punime të zgjedhura: “Mbi disa kryevepra të letërsisë botërore (2022) dhe Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë” (2023).

Në këto dhjetë vëllime me studime letrare të zgjedhura kam përfshirë vetëm ato punime – interpretime dhe studime monografike që, sipas mendimit tim, bëjnë pjesën më cilësore të punës sime në fushën e studimit të artit të fjalës, letërsisë, po dhe ku vështrohen disa nga veprat letrare më të njohura në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Kam lënë anash, për një arsye ose për një tjetër, një varg punimesh e librash.

Këto punime – interpretime dhe studime monografike janë dëshmi e mënyrave të ndryshme të qasjes dhe të veçimit të cilësive poetike të teksteve të veprave përkatëse; vetëm leximi i vëmendshëm dhe i disa hershëm, njësimi shkallë – shkallë me tekstet dhe me kumtet poetike që dilnin prej tyre, bëri të mundur komunikimin e duhur me to dhe ndriçimin e vlerave kryesore shprehëse poetike.

Në dy vëllimet e para kam vënë studimet për çështjet teorike të letërsisë, të tekstit letrar, të estetikës dhe të estetikës së letërsisë, në vëllimin e tretë ato hulumtuese kërkimore – dy studimet monografike për “Mesharin” e Gjon Buzukut dhe studimin për veprën letrare të Pjetër Budit, për t’u lënë vend pastaj vëllimeve me vrojtime dhe me interpretime për dukuri dhe vepra të autorëve të tjerë”.

Ky botim 10 vëllimesh me studime letrare të zgjedhura dëshmon jo vetëm për punën e rëndësishme dhe cilësore të Anton Nikë Berishës në këtë fushë, po dhe për cilësinë dhe pjekurinë e studimeve tona letrare në përgjithësi.

Botimi “Studime letrare të zgjedhura” do të jetë i mirëseardhur për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për çështje teorike të letërsisë, për estetikën e veprës letrare, për veprimtarinë e disa nga shkrimtarët më të shquar – shqiptarë dhe të huaj – për interpretimin e disa nga kryeveprat e letërsisë sonë e të letërsive të tjera.( Koha javore)

By admini

Leave a Reply