23 Tetor, 1871 – 30 Dhjetor, 1940

Në ditëlindjen e Poetit Kombëtar

Nga Frank Shkreli

Pothuaj çdo ditë jemi dëshmitarë të një polarizimi politik në rritje e sipër në hapësirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor që rrezikon seriozisht, jo vetëm të ardhmen evropiane të shqiptarëve por edhe vet paqën shoqërore e politike, duke kërcënuar gjithashtu vetë demokracinë sado të brishtë në Shqipëri dhe në Kosovë. Mjafton të ndjekësh punimet në dy parlamentet e përfaqësuesve të shqiptarëve të kuptohet se në çfarë gjëndje të mjerueshme është sot diskursi ose mos-diskursi politik.   Është e pa-imagjinueshme për mua që pas 35-vjetëve të shembjes së Murit të Berlinit dhe pothuaj 25 vjetë pas çlirimit të Kosovës, klasa politike e botës shqiptare, nuk ka mundur gjatë gjithë kësaj kohe, të institucionalizoi një pajtim sadopak të vogël politik e kombëtar për një bashkpunim të rregullt midis dy partive kryesore politike të Tiranës zyrtare brenda vendit, por as në radhët e partive politike të Republikës së Kosovës, por as në nivel kombëtar midis dy shteteve shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës.

Mund të më quani naiv, ose i painformuar, ose të citoni At Gjergj Fishtën se historia na tregon se “Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!”  Kjo thënie e Gjergj Fishtës vërtetë pasqyron, ashtu si historikisht, mungesën serioze të bashkëpunimit politik dhe kombëtar ndërpartiak midis forcave politike shqiptare, në përgjithësi, e që për fat të keq të Kombit, pasqyrojnë dhe marrëdhëniet midis Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare, në veçanti.  Nuk ka asnjë dyshim se aktualiteti politik në Shqipëri dhe në Kosovë – pra, polarizimi i vazhdueshëm politik në hapësirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, vazhdon të rrezikojë dhe të minojë, seriozisht, paqën e sigurinë por edhe demokracinë, sado e brishtë që është ajo. Por edhetë shuaj edhe ëndërrën shekullore të shqiptarëve për integrimin e Kombit shqiptar me botën perëndimore.  Fishta do të thoshte se e gjithë kjo situatë konfliktuale në radhët e politikës mbarë shqiptare sot është rezultat — jo i ndonjë kërcënimi nga jashtë nga vende e kombe që, historikisht, nuk ia duan të mirën Kombit shqiptar — por është pasojë e një “rreziku të përbrendëshëm”. Frank Shkreli: Paralajmërimi i At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm! | Gazeta Telegraf. Për këtë rrezik të përbrendëshëm, analistë dhe ente të ndryshme ndërkombëtare gjatë dekadave kanë fajësuar – për mungesën e lirisë e të demorkacisë — polarizimin e vazhdueshëm politik, bojkotet parlamentare të opozitës, të “majta” e të “djathta” për periudhën kohore përkatëse në opozitë, qoftë nga njëra ose nga tjetra. Frika është se ky polarizim politik prej dekadash tani por edhe mungesa e frymës së bashkëpunimit dhe kompromisit dhe mosmarrveshjet në nivel kombëtar midis Tiranës dhe Prishtinës, po i çon shqiptarët drejtë ndonjë katastrofe të mundëshme kombëtare me pasoja të pa parashikueshme për interesat e Kombit.

Sot për sot, nuk duket që Kombi shqiptar të ketë ndonjë kërcënim nga jashtë. Por përball këtij polarizimi politik të pa përgjegjëshëm në radhët e klasës aktuale politike shqiptare — ndërkohë që siç shkruante Fishta pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë — se, ndonëse “Ideali ynë përsa i përket pamvarsisë dhe lirisë së Kombit shqyptar u realizue”, dhe ndërsa “Shteti shqyptar leu”, ai shtron pyetjen: “Po mirë: por a jeton? A rritet Kombi shqiptar”. Sot, në ditëlindjen e tij (23 Tetor 1871) Fishta bën të njëjtën pyetje, ndërsa palajmëron klasën aktuale politike shqiptare në përgjithësi se rreziku ndaj interesave të Kombit –mbrpjtjes së  pavarësisë, lirisë dhe demokracisë — nuk vjen, domosdoshmërisht, nga armiqët e shqiptarëve, por nga një rrezik i përbrendshëm. “…Qe, pra, se kush janë rreziku ma i madh i Shqypnisë: vagabondat, sallahanat, rrugaçat. Por, megjithkëte, këta njerëz, këta mikrobe të kombit, jo veç se po kanë sy e faqe me lypë, por edhe po munden sot me shpresue të hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar. Po a përnjimend se, për me ushqye e me majtë këta njerëz të poshtër, tregtari ynë do të thithë miazmat e dugajave e të sokaqeve, bulku ynë do ta mbajë kryet në gërshanë gjatë shtigjeve të vështira? E po ku jemi na, o Zot? A përnjimend se edhe kuptimi i burrënisë asht harrue në këte dhe, që njerëzve kaq të poshtër po u delka me u ushqye me djersë – me gjak – të Kombit shqyptar…?

Natyrisht se gjendja aktuale politike në radhët e shqiptarëve sot, me dy shtete të pavarura në Ballkanin Perëndimor, është ndryshe nga gjendja politike e shqiptarëve në fillim të shekullit XX — menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë – për të cilën ka shkruar At Gjergj Fishta. Ndërkohë që polarizimi politik dhe mungesa e frymës së bashkëpunimit dhe kompromisit politik në interes të shqiptarëve, por edhe mosmarrveshjet e turpshme në vazhdim, në nivel kombëtar, midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, rrezikon t’i çojë shqiptarët drejtë ndonjë katastrofe të mundëshme kombëtare me pasoja të pa parashikueshme. Por ideali kryesor kombëtar nuk ka ndryshuar megjith dallimet politike sot: Shqiptarinë e kemi bashk, ka ngulur këmbë At Gjergj Fishta.

“Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!”

Fishta nuk ishte naiv, i dinte mirë të përbashktat por edhe dallimet: intrigat dhe ndryshimet politike, fetare, krahinore e të tjera midis shqiptarëve të kohës së tij, por megjithkëtë besonte me ngulm se, mbi të gjitha, dhe megjithë ndryshimet e kohës midis shqiptarëve, bijtë e SHQIPËS besonin se, “Shqiptarinë e kemi bashkë”, dhe sipas tij, kjo e përbashkët do të mjaftonte që Shqipëria dhe Kombi shqiptar të rilind, të bëhej dhe të rritet.  

Drejt këti qëllimi gjithëpërfshirës kombëtar, At Gjergj Fishta — në këtë përvjetor të lindjes i bën thirrje klasës politike shqiptare, anë e mbanë trojeve iliro-arbërore, që në frymën e porosisë së tij, se Shqiptarinë e kemi bashkë, atëherë kjo klasë politike, sa më parë dhe urgjentisht të zgjohet nga gjumi, duke vepruar mbi interesat personale e partiake, dhe të fillojë të bashkpunojë në realizimin e interesave kombëtare të shqiptarëve, duke ofruar drejtime të reja strategjike për Kombin, nepërmjet një bashkpunimi gjithëpërfshirës të partive politike, enteve publike dhe organizmave të tjera shoqërore,përpara se gjëndja aktuale e polarizimit politik në radhët e partive politike të dëmtojë rëndë interesat e Kombit dhe të ngadalsojë ose të prishë përgjithmonë mundësitë e procesit për integrimin e plotë politik, ekonomik dhe ushtarak të Shqipërisë dhe Kosovës në radhët e botës perendimor aty ku e ka vendin.

“Nuk ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar At Gjergj Fishta.

By admini

Leave a Reply