
Një shi i dendur që përfshiu Komunën e Ulqinit gjatë vikendit të fundit ka shkaktuar përmbytje në disa lagje të qytetit, duke nxjerrë në pah një nga problemet më të mëdha infrastrukturore të ketij qyteti – sistemin e kanalizimit.
Ujërat e zeza kanë depërtuar në sipërfaqe, rrugët janë mbushur me ujë e baltë, ndërsa era e rëndë që vjen nga pusetat e hapura po e bën të padurueshme jetën e qytetarëve, shkruan Ulqini Online.
Pas çdo reshje të fortë e shiut qyteti kthehet në një pellg, pasi kanalizimet janë të mbyllura ose të bllokuara nga mungesa e mirëmbajtjes. Por këtë herë, situata është përkeqësuar nga ndërtimet e shumta të viteve të fundit.
Në lidhje me këtë edhe kryetari i Komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu gjatë punimeve të një séance të parlamenti lokal përmendi zaptimin e pronave publike që është bërë praksë, mbylljen kanalet, vendosjen tubacionet e vegjel dhe si pasojë që normalisht ka vërshime.
Në fushën e Ulqinit dhe në zonat periferike janë ngritur dhjetëra komplekse banesore shumëkatëshe, të ndërtuara me leje ndërtimi. Megjithatë, shumë prej tyre nuk janë të lidhura me rrjetin qendror të kanalizimit.
Në mungesë të infrastrukturës bazë, këto ndërtesa funksionojnë me gropa septike, një zgjidhje primitive që për një qytet turistik si Ulqini përbën jo vetëm rrezik sanitar, por edhe ekologjik.
Kombinimi i kanalizimeve të bllokuara, gropave septike dhe reshjeve të forta përbën një “bombë biologjike”. Ujërat e ndotura mund të depërtojnë në tokë, duke ndotur ujësjellësit dhe duke rritur rrezikun e sëmundjeve infektive. Njëkohësisht, era e rëndë dhe ndotja vizuale krijojnë një imazh të keq për vet banorët por edhe për turistët që vizitojnë qytetin.
Është koha e fundit që Komuna e Ulqinit që të shpallë gjendje emergjente mjedisore dhe të nisë menjëherë inspektimet në komplekset banesore që përdorin sisteme septike.
Ulqini po ndërtohet më shpejt se sa po zhvillohet infrastruktura. Kemi pallate moderne mbi një tokë që nuk e përballon dot kanalizimin e një lagjeje, këto janë probleme që kërkojnë zgjidhje të mënjehershme.
Derisa institucionet të marrin masa konkrete, qytetarët e Ulqinit do të vazhdojnë të jetojnë mes ujërave të zeza, aromës së rëndë dhe frikës nga çdo shi tjetër që mund të kthehet në përmbytje.
