Një ndjesi për vendlindjen

Shpeshherë ne që jetojmë larg vendlindjes flasim me mall, me kujdes e me dashuri për të. Por, për fat të keq, shumë herë duket sikur zëri ynë humbet në boshllëk.Flasim, shkruajmë, këshillojmë, por rrallëkush dëgjon me vesh e me zemër.

Ka një prirje të çuditshme që, sa herë një bashkëvendas nga diaspora shpreh një mendim apo jep një këshillë, menjëherë dalin disa që e gjykojnë, e sulmojnë, madje edhe pa e njohur fare.Edhe kur ajo që thuhet është e drejtë dhe me qëllim të mirë, shpesh refuzohet vetëm sepse vjen nga “jashtë”.Është sikur dashuria për vendlindjen të matet me kilometrat që të ndajnë prej saj.

Ne kemi folur dhe vazhdojmë të flasim, jo për të kritikuar, por për të paralajmëruar se ne shohim diçka tjeter nga larg.

Kur këshilloheshimn me bashkvendasit e Ulqinit, ua thoshim se po e prishin vendin: flisnim për kanalizimet që qelbin përgjatë bulevardit “Teuta”, për ndërtimet e shumë banesave të panevojshme pa kritere, për mungesën e respektit ndaj natyrës dhe rregullit urban.Të gjitha këto janë injoruar dhe injorohen nga vetë vendasit që udhëheqin këtë qytet.

Por natyra nuk harron. Ajo nuk njeh kompromise, nuk i njeh justifikimet e njerëzve. Ajo reagon dhe, nëse nuk kujdesesh për të, ajo përgjigjet me të njëjtin rrespekt,të kthen dënimin pas,ndoshta jo menjëherë, por me siguri ka për ta kthyer.Sepse çdo shkelje ndaj saj ka pasojë, dhe çdo mungesë kujdesi e shkatërron vetë bukurinë që e ka bërë Ulqinin të veçantë ndër shekuj.

Në këtë dhimbje dhe mall për qytetin tonë, fjalët ndonjëherë nuk mjaftojnë. Atëherë lind nevoja për art, për poezi, për një zë që flet me zemrën e të gjithëve.

Dhe këtë ndjesi e kam përmbledhur më thjesht, në vargje që bëjn thirrje për tu zgjuar dhe jo për tu kritikuar!

MOS MA PRISHNI ULQININ

Haxhi Zeneli – Gusht, 2025, Ulqin

Strofa 1

Mos ma prishni ju Ulqinin,

Qyteti ëndrrave i lumturisë,

Aty zemra ruan kujtimin,

Ku deti i këndon dashurisë.

Çdo rrugë më vjen ndër sy,

Puthjet e para m’i dhurojë,

Por sot kam mall për ty,

Tradhtia zemrën ma lëndojë.

Refreni:

Mos ma prishni Ulqinin,

Ju që s’njihni dashurin,

Pa zemër shkoni e vini,

Ulqinit ja shuat bukurin.

Strofa 2

Erën e detit ma prishët,

Kujtimi në zemër nuk jeton,

Deti me të zeza po vishët,

Ullini varroset me beton.

Ulqini ishte dikur si ari,

Aty ne mbjellnim dashuri,

Mbi ty ma nuk gjelbëron bari,

Tash vajtojmë me nostalgji.

Refreni:

Mos ma prishni Ulqinin,

Ju që s’njihni dashurin,

Pa zemër shkoni e vini,

Ulqinit ja shuat bukurin.

Strofa 3

Vështroj qytetin e vjetër,

I mbuluar nga një plagë,

“Qytetarët” sollën të keqen,

Ulqinin e shndërruat varr.

Qytet i mbuluar me tullë,

Shkatërrimi e ndjek në total,

Kujtimet u varrosën në mur,

Aromë deti, hidhet në kanal.

Refreni:

Mos ma prishni Ulqinin,

Ju që s’njihni dashurin,

Pa zemër shkoni e vini,

Ulqinit ja shuat bukurin.

Këto vargje nuk janë thjesht poezi, janë zë i ndërgjegjes sonë kolektive,janë thirrje dashurie dhe kujtese.Janë pasqyrë e dhimbjes për një qytet që po na humbet para syve,po humb ngjyrën,aromën dhe shpirtin e vet nën peshën e pakujdesisë.Këtë po na e paralajmëron edhe natyra,që ka mëshirë për ne.

Në vend që të ndahemi mes “atyre që janë këtu” dhe “atyre që janë larg”, është koha të kuptojmë se dashuria për vendlindjen nuk ka kufij.

Nëse secili prej nesh do të kontribuonte qoftë edhe pak me fjalë,me vepra, me kujdes, Ulqini do të kishte një tjetër fat.

Sepse fjala e fundit e kësaj poezie, e kësaj ndjenje, nuk duhet të jetë vajtim.

Ajo duhet të jetë thirrje për zgjim.

Të mos e lejojmë që “Ulqinit t’i shuhet bukuria”, por të bëhemi bashkë për ta ruajtur atë që e bën unik: detin, ullinjtë, rrënjët, shpirtin njerëzor, mikpritjen dhe dashurinë për vendin tonë.

By admini

Leave a Reply